Përfaqësuesja U19 e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka fituar ndeshjen e parë të Ligës B për kualifikimet e Evropianit 2023. Në duelin e luajtur të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova ka triumfuar bindshëm ndaj Gjibraltarit, me rezultatin 7:0.
Kjo ndeshje i ka takuar miniturneut kualifikues për Grupin 5 të Ligës B, ndërsa fituesit e shtatë grupeve të kësaj lige, do të promovohen në Ligën A për t’i vazhduar ndeshjet kualifikuese të raundit të dytë.
Futbollistet e trajnerit Kushtrim Munishi në pjesën e parë, i dhanë fund çështjes së fituesit në këtë përballje, pasi shënoi katër herë. Golat për Kosovën në pjesën e parë, i kanë shënuar sulmueset Flondra Behrami (5’, 18’) e Albulena Guri (26’, 42’), ndërsa në pjesën e dytë, realizuan edhe Elma Kadriu (49’) nga penalltia, Erisa Popaj (84’) dhe Vesa Paqarizi (90’). Ndeshjen tjetër, Kosova e luan pas tri ditësh ndaj Bullgarisë, po ashtu në Prishtinë. Kosovës i duhet fitorja për të avancuar në Ligën A.