Shpesh ftesa e Kombëtares është ajo që çdo futbollist e pret me padurim gjatë sezonit. Por ka edhe nga ata që shohin përtej detyrës për të përfaqësuar vendin e tyre, duke i dhënë prioritet për një moment karrirës së tyre në klub. I tillë është edhe rasti i Lirim Kastratit, i cili së fundmi ka qenë në qendër të kritikave te Legia e Varshavës. Shkak u bë lënia në shtëpi nga ish-trajneri i kampionëve të Polonisë për arsyen se alkooli dhe jeta e natës ishte kthyer në rutinë për të.
Futbollisti shqiptar duket se është i vendosur të fitojë besimin e tifozëve dhe të stafit teknik, prandaj shfrytëzon periudhën e pushimit prej ndeshjeve të Kombëtareve. Legia e Varshavës bën me dije se Kastrati ka refuzuar ftesën e Kosovës për sfidat e fundit në kualifikueset e Kupës së Botës, pasi dëshiron të stërvitet me klubin në Poloni.
“Lirim Kastrati, me kërkesë të tij dhe në marrëveshje me Federatën kombëtare, nuk do të marrë pjesë në grupimin e radhës të përfaqësueses së Kosovës. Lojtari do të përgatitet me skuadrën për ndeshjet e ardhshme të Legias së Varsshavës“, shruan klubi polak në njoftimin e bërë në kanalet zyrtare në rrjetet sociale./SportEkspres/