Drejtori i Monza, Adriano Galliani thotë se shumë lojtarë dëshirojnë t’iu bashkohen, derisa refuzoi të komentojë nëse kanë pasur kontakte me ish yllin e Barcelonës, Luis Suarez.
Monza u promovua në Seria A për herë të parë në historinë e klubit, sidoqoftë nën urdhrat e Berlusconit dhe Gallianit duan të arrijnë lartë e më lartë.
Një ndër emrat që u përflit gjatë kohëve të fundit ishte askush tjetër përpos Suarez, i cili tani është agjent i lirë pasi u largua nga Atletico Madrid.
I pyetur nëse ka pasur kontakte me uruguaianin, Galliani theksoi se nuk dëshiron ta pohojë ose mohojë një gjë të tillë.
“Kam një kujtesë të shkurtër, nuk më kujtohet nëse ka pasur ndonjë kontakt. Nuk e konfirmoj dhe nuk e mohoj“.
Tutje, Galliani deklaroi se shumë lojtarë dëshirojnë të vijnë te Monza dhe premtoi se do të transferojnë një ose dy sulmues.
“Një ose dy sulmues do të arrijnë, por nuk dua që të përmend emra. Jam i qetë dhe nuk do të shtoj asgjë më shumë“.
“Ka shumë lojtarë që do të donin të luajnë në Monzan e Silvio Berlusconit“, përfundoi Galliani.
Ndërkohë, përpos Suarezit mediat e ndryshme raportojnë se edhe Edinson Cavani është në listë, por që momentalisht nuk ka kontakte zyrtare.