×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gati dy vite pas sulmit, Prokuroria nuk e ka identifikuar asnjërin nga tre sulmuesit e gazetarit Duriqi

    Insajderi
    04 February 2023 - 22:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kanë kaluar afro dy vite që nga koha kur autori i emisionit hulumtues InDoks, dhe kryeredaktori i Gazetës Insajderi, Visar Duriqi ishte sulmuar në afërsi të banesës së tij nga tre persona të maskuar. Megjithëse ka kaluar goxha kohë, prokuroria ende nuk e ka identifikuar asnjërin nga sulmuesit e Duriqit.

    Në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV, Duriqi është rrëfyer rreth rastit i cili mbetet ende enigmë për shtetin e Kosovës.

    “Problemi është që personat kanë qenë profesionist, nuk kishin as telefona, e kane ditë edhe ku ka kamera, praktikisht e dinin terrenin”, ka thënë Duriqi.

    Ndërkaq, prokurori Bashkim Zeqaj tha se mënyra e veprimit në sulmin e kryer ndaj gazetarit të njohur, Visar Duriqi ishte e sofistikuar.

    “Mënyra e veprimit ka qene e sofistikuar edhe janë marre të gjitha veprimet hetimore çka i përkasin Prokurorisë”, tha Zeqaj.

    Ai shtoi se pavarësisht se janë marrë të gjitha veprimet e mundshme hetimore nuk është arritur të identifikohet asnjëri sulmues deri më tani.

    “Në këtë rast janë marrë komplet veprimet e mundshme ekzaminimi i provave është bërë zbatimi i masave të fshehta, por, s’kemi arritur që të identifikojmë ndonjë kryerës se kush ka qene personi ose personat që e kanë sulmuar Gazetarin Duriqi”, tha ai.

    Sipas autorit të emisionit InDoks, kur në pyetje janë gazetarët, shteti i injoron ato ngjarje dhe i kushton rëndësi vetëm një ose dy ditë.

    “Mendoj që kur eshtë fjala për gazetar vetëm ditën e parë ose të dyte kur jam nën presion nga mediat i marrin seriozisht tutje i injorojnë”, tha ai në “Betimi për Drejtësi”.

    Kujtojmë se sulmi ndaj Duriqit kishte ndodhur më 24 shkurt të vitit 2021 teksa i njëjti ishte kthyer nga një emision televiziv, dhe po hynte në banesën e tij.

    Tre persona të maskuar e kishin rrahur Duriqin, duke ia thyer hundën dhe dhëmbët, por edhe lëndime të tjera, të rënda, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për sulmin ndaj Duriqit, kishin reaguar organizatat që mbrojnë punën e gazetareve, duke e dënuar rëndë aktin brutal.

    “AGK-ja do t’i njoftojë të gjithë akterët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre. Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend”, thuhej në reagimin e Asociacionit të Gazetarevë të Kosovës, transmeton Gazeta Insajderi.

    Reagim ndaj dhunës së Visar Duriqit, kishte bërë edhe Asociacioni Europian i Gazetarëve, por edhe Rrjeti për mbrojtjen e gazetarëve “Safe Journalists”.

    Sulmi i egër ndaj gazetarit të Gazetës Insajderi ishte dënuar edhe nga Bashkimi Europian.

    “Thellësisht të shqetësuar nga sulmi ndaj gazetarit hulumtues Visar Duriqi. Gazetarët duhet të kenë mundësinë për të punuar në një ambient të lirë dhe të sigurt. Bëjmë apel tek autoritetet që të hetojnë shpejt incidentin dhe të sjellin sulmuesit para drejtësisë”, thuhej në reagimin e BE-së, transmeton Gazeta Insajderi.

    I menjëhershëm pati qenë edhe reagimi i Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

    “Këto sulme janë shqetësuese për ne në Parlamentin Evropian. Liria e Media është një nga bazat në një demokraci. Kosova duhet të mbrojë të gjithë gazetarët e saj. Shërim të shpejt Visar Duriqi”, pati shkruar Cramone, transmeton Gazeta Insajderi.

    Edhe Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për Kosovën në vitin ishte fokusuar edhe tek situata e mediave. Theks të veçantë i ishte dhënë rasteve të Insajderit. Aty ishte folur për rastin kur Policia nën ndikimin e Qeverisë ndërhyri në Gazetën Insajderi duke intervistuar Parim Ollurin, drejtorin e gazetës për një hulumtim, dhe rastin ende të pazgjidhur të sulmit fizik ndaj gazetarit hulumtues, Visar Duriqi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark