×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Gati t’i përfundoj gjysma e mandatit, 37 premtimet infrastrukturore ende të panisura nga arkitekti “londinez”

    Insajderi
    15 August 2023 - 16:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama gjatë fushatës zgjedhore kishte bërë plotësisht 43 premtime për infrastrukturën e kryeqytetit. Ndër projektet më të mëdha që ai i kishte premtuar ende nuk kanë filluar të implementohen në kryeqytet.

    Ndërtimi i nënkalimit për lëvizjen e veturave nga rrethi i Veternikut deri tek Stacioni i Autobusëve.

    Zgjidhja e problemit të kanalizimit në të gjitha fshatrat e Prishtinës gjatë dy viteve të para të mandatit.

    Ndërtimi i nënkalimit që lidhë “Rrethin e Flamurit” me rrethin e QKUK-së i cili do të ketë të integruar edhe një parking nëntokësor të hyrja e qytetit në zonën në mes tre rrathëve”, janë disa nga projektet më të mëdha që ende nuk kanë nisur.

    Më 7 dhjetor të vitit 2021 Përparim Rama ishte betuar si kryetar i Komunës së Prishtinës.

    Gjatë fushatës zgjedhore kishte bërë gjithsej 206 premtime, ku 43 prej tyre ishin vetëm për infrastrukturën e kryeqytetit.

    Ndërtimi i 430 vend-parkimeve të reja në lagjen “Ulpiana”, në formë të dis-nivelit, duke ruajtur gjelbërimin lartë tij, është i vetmi premtim gjysmë i përmbushur.

    Prej 42 premtimeve të tjera vetëm pesë prej tyre kanë filluar të implementohen në kryeqytet.

    1. Krijimi i sheshit “Historik të Prishtinës” dhe zgjerimi i shesheve ekzistuese dhe lidhja e tyre deri të zona e rrethit të flamurit.
    2. Ndërtimi i parkut të qenëve, të ngjashëm me Parkun e Arinjëve, në të cilin do të strehohen qentë endacakë.

    Kjo e fundit ende nuk ka rezultuar me ndonjë sukses pasi që ende sheshet e Prishtinës janë të stërmbushura me qenë endacak.

    Për këtë çështje Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim që t’i ndajë nga 50 euro për qytetarët që adoptojnë qentë endacak. Mirëpo procesi i adoptimit ende nuk ka filluar.

    3. Lidhja e zonave të gjelbërta përmes krijimit të korridorëve të gjelbërt, të cilët do t’u mundësojnë qytetarëve lëvizje nga një pikë e qytetit në tjetrën, kryesisht përmes korridorëve që janë të gjelbërta.

    4. Realizimi i projektit rruga “A”.

    Punimet e kësaj rruge kanë filluar katër muaj më parë me një kosoto financiare prej 8.4 milionë euro. Rruga është paraparë të lidhet me rrugën B dhe do të jetë me gjashtë korsi, dhe do të ketë shtigje të biçikletave.

    Tenderin në këtë projekt Komuna e Prishtinës ia dha firmës “Sallahu”, derisa pronari i saj Naim Sallahu është i dënuar për mashtrim nga Gjykata Themelore e Prishtinës vitin 2018. Për këtë çështje Prokuroria pati filluar hetimet.

    5. Rigjenerimi i rrjetit të grumbullimit të mbeturinave. Ndarja e qytetit në pesë zona, për menaxhim të mbeturinave.

    Mbeturinat po vazhdojnë të jenë ende problem për qytetarët, pasi që shumë prej lagjeve kundërmojnë nga era shkaku i tyre se nuk kanë vend ku të vendosen.

    Kryetari Rama, para pesë ditësh ishte në teren për të parë gjendjen nga afër, ku kishte njoftuar se kanë porositur 1400 kontejnerë të rinj, po ashtu edhe 8 kamionë të mëdhenj.

    Zgjidhjen e problemit të kanalizimit në të gjitha fshatrat e Prishtinës, Rama e pati premtuar që do ta përfundonte në dy vitet e para të mandatit por e njëjta ende nuk ka filluar të realizohet.

    Të dhënat e përdorura në tekst janë nga Instituti GAP.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark