Kandidati për kryetar të Pejës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, synim e ka edhe mandatin e tretë në krye të kësaj komune.
Muhaxheri në emisionin Rubikon në Klan Kosova tha se për 80 vjet në këtë qytet janë ndërtuar vetëm dy shkolla, ndërkaq për tetë vjet janë ndërtuar katër shkolla të mesme.
“Kjo është ajo që po dua t’ua them qytetarëve. Se kjo është ajo që do të thotë ta kesh një kryetar të përgjegjshëm. Për 80 vjet i ke dy shkolla, për tetë vjet i ke katër shkolla. E kam ndërtuar shkollën e mjekësisë, shkollën e muzikës dhe artit e këto”.
“Prej se ka hyrë TITO dhe e ka nxjerrë NATO është ndërtuar vetëm një shkollë. Unë për tetë vjet mandat i kam ndërtuar katër shkolla”.
Kryetari aktual i Pejës theksoi se me buxhet të paktë ka realizuar punë të mëdha.
“Çka kam bërë për këto tetë vjet e dijnë qytetarët e Pejës me atë buxhet të paktë. Jam munduar të bëj punë të mëdha dhe i kam bërë. Për atë kur zgjidhet kryetari i komunës është sikur më zgjidh “zotin e shtëpisë”. Për atë nëse ia ke dhënë zotit të shtëpisë budalla qesen e ke marrë në qafë atë shtëpi”.
“Qytetarët e Pejës ia kanë dhënë një zot shtëpie të mirë qesen. Investimet që kanë bërë këto tetë vjet i kam bërë me nikoqirllëk”.
“I kam bërë mbi 700 kilometra rrugë çka nuk i ka bërë asnjë kryetar tjetër. I kam ndërtuar katër shkolla të mesme. Prej se ka hyrë Serbia më 1912-ten dhe e ka nxjerrë Gjermania në 46-ten është ndërtuar vetëm një shkollë e mesme, gjimnazi”.