×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Gilles Lipovetsky: “Modernizmi”

    Insajderi
    29 September 2023 - 17:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Modernizmi nuk është vetëm rebelim kundër vetvetes, ai është në të njëjtën kohë edhe revoltë kundër të gjitha normave dhe vlerave të shoqërisë borgjeze: pikërisht këtu nis “revolucioni kulturor” i fundshekullit XIX.

    Duke qenë larg riprodhimit të vlerave të klasës sunduese, novatorët e artit të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe ata të shekullit XX mburren të frymëzuar në këtë pikë nga romantizmi, nga vlerat e ngritura mbi ekzaltimin e unit, mbi autenticitetin dhe kënaqësinë, vlera drejtpërdrejt kërcënuese për zakonet e borgjezisë, të cilat përkundrazi, lidhen ngushtë me punën, kursimin, moderacionin, puritanizmin.

    Nga Bodleri tek Remboja e Zharija (Jarry), nga Virxhinia Uolf tek Xhojsi, nga Dadaizmi tek Surrealizmi, artistët novatorë radikalizojnë kritikat e tyre ndaj konvencioneve dhe institucioneve shoqërore, bëhen denigrues të egër të shpirtit borgjez duke përbuzur kultin e tij të parasë dhe të punës, asketizmin dhe racionalizmin e tij të ngushtë. Të jetosh me maksimumin e intensitetit – “çrregullim në të gjitha kuptimet” – të ndjekësh impulset dhe imagjinatën tënde, të zgjerosh fushën e eksperiencave të tua, “kultura moderniste është par exellence një kulturë e personalitetit.

    Ajo ka për qendër “unin”. Kulti i të veçantës fillon me Rusoin” dhe zgjerohet me romantizmin e kultin e tij të pasionit.

    Duke u nisur nga gjysma e dytë e shekullit XIX, procesi merr një përmasë luftarake, normat e jetës borgjeze bëhen objekt i sulmeve përherë e më të ashpra nga ana e bohemit në revoltë. Në këtë mënyrë u shfaq një individualizëm i pakufishëm dhe hedonist, duke realizuar atë që logjika e tregut kishte kundërshtuar: “Ndërkohë që fuste një individualizëm radikal në fushën e ekonomisë dhe ishte gati të suprimonte të gjitha raportet shoqërore tradicionale, në fushën e kulturës shoqëria borgjeze i trembej eksperiencave të individualizmit modern”.

    Nëse borgjezia ka revolucionarizuar prodhimin dhe shkëmbimin, në të kundërt, rendi kulturor në të cilin ajo është zhvilluar ka mbetur disiplinor, autoritar dhe puritan, po qe se për këtë të fundit marrim si pikë referimi ShBA-në. Eshtë pikërisht ky moral protestan-asketik që përgjatë viteve të para të shekullit të XX do të pësojë sulmin e artistëve novatorë. /Gazeta Express/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark