Njerëzit sportivë shpesh janë në dilemë të madhe, nëse duhet që të ushtrohen jashtë në natyrë, apo brenda katër mureve të palestrës, të rrethuar nga komoditetet, makinat dhe ekranet. Më poshtë janë gjashtë arsye se përse është zgjedhja e duhur që të nisësh të stërvitesh jashtë
Disa mënyra shumë të mira për t’u ndier në formë mendërisht dhe fizikisht janë të ushtrohesh në natyrë, të bësh joga apo të vraposh. Në kohën e tanishme, shumica e njerëzve e konsiderojnë domosdoshmëri aktivitetin fizik dhe sapo mbarojnë punën, e cila shpesh sjell lodhje dhe stres, i drejtohen palestrës për të shkarkuar energjitë negative, për të mbajtur formën fizike dhe për të ngritur humorin. Njerëzit sportivë shpesh janë në dilemë, nëse duhet që të ushtrohen jashtë në natyrë, apo brenda katër mureve të palestrës, të rrethuar nga komoditetet, makinat dhe ekranet. Më poshtë janë gjashtë arsye se përse është zgjedhja e duhur që të nisësh të stërvitesh jashtë.
Stërvitja në natyrë të shton pozitivitetin
Një studim i 2012-s zbuloi se të kalosh kohë në natyrë i bënte njerëzit 50% më të lumtur sesa të kalonin kohë në palestër. Edhe kërkimet e mëparshme e kanë lidhur stërvitjen jashtë me një ulje të tensionit, konfuzionit, inatit dhe depresionit, kur u krahasuan me aktivitetin brenda katër mureve. Dhe kjo nuk ka pse të jetë një shëtitje e gjatë në park. Një studim i 2010-s gjeti se edhe vetëm 5 minuta stërvitje në një hapësirë të gjelbër mund të përmirësojë humorin dhe vetëvlerësimin.
Përmirëson vëmendjen dhe fokusin
Një studim i shkurtër nga Universiteti i Illinois-it zbuloi se fëmijët me çrregullime mendore ADHD ishin të aftë që të përqendroheshin më mirë pas një shëtitjeje prej 20 minutash në park, krahasuar me një shëtitje në rrugët e qytetit, apo të lagjes.
“Ajo çfarë na tregon ky studim i veçantë është se mjedisi ka rëndësi”, tha Frances E. Kuo, një prej autoreve të studimit. “Ne nuk e dimë se çfarë është ajo që ndikon në park saktësisht, nëse është gjelbërimi apo mungesa e ndërtimeve, që ndikon në përmirësimin e vëmendjes së personave”.
Do t’ju ndihmojë ju që ta doni stërvitjen
Të bësh stërvitje, sado pak, ka rëndësi të madhe për njeriun. Shumica prej nesh kanë mundësi që të ushtrohen më shumë. Udhërrëfyesi i Aktivitetit Fizik për amerikanët rekomandon që një i rritur duhet të stërvitet rreth 2 orë e 30 minuta në javë me ushtrime kardio me intensitet të moderuar. Për më tepër që duhet të kryejë dy ose më shumë sesione për të forcuar trupin. Ndërmjet orëve të pafund të punës dhe kërkesave që familja ka, është shumë e thjeshtë që t’i bësh bisht një seance stërvitore. Gjithsesi, një vëzhgim i vitit 2011 gjeti se të stërvitesh në natyrë ta riforcon dëshirën për të dalë e për t’u ushtruar prapë. Madje kjo dëshirë është më e fortë sesa tek ata persona të cilët zgjedhin palestrën për të punuar për trupin e tyre.
Pesha juaj do jetë e qëndrueshme
Ajri i freskët, drita e diellit, pamja, hapësira. Ka shumë arsye se përse të qëndruarit jashtë ta shton dëshirën për të kryer më shumë aktivitet fizik krahasuar me të qenët brenda një hapësirë të madhe të rrethuar nga vegla dhe mure. E gjithë kjo lëvizje e madhe sjell rezultate të prekshme. Një studim i vitit 2008 zbuloi se përqindjet e fëmijëve me peshë mbi normalen të cilët kalonin më shumë kohë jashtë ishte 27 deri në 41 më ulët krahasuar me fëmijët që kalonin më shumë kohë brenda katër mureve.
Do prodhoni më shumë energji
Është e sigurt që ushtrimet do t’ju rinojnë kur ju ta ndieni veten të përfshirë nga përtacia, por ajri i freskët mund ta shtojë edhe më shumë këtë efekt. Një studim i vitit 2009 nga Universiteti i Rochester-it zbuloi se vetëm 20 minuta jashtë mund të të gjallërojnë, po aq sa edhe një filxhan kafeje. “Shpeshherë ne lumturohemi kur marrim në dorë një filxhan kafeje, por këtu na sugjerohet një mënyrë më e mirë që të mbushemi plot energji. Ajo është që të krijosh lidhje me natyrën”, tha autori i studimit Richard M. Ryan, profesor i psikologjisë.
Do të përmirësohet niveli i vitaminës D
Të bësh ushtrimet jashtë është një mënyrë shumë e mirë që të thithësh vitaminë D shtesë. Një studim i 2011-s që zbuloi se ushtrimet e vrullshme prodhojnë nivele më të larta të vitaminës, hamendësoi se kryerja e tyre në natyrë mund të jetë arsyeja e kësaj. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për njerëzit të cilët duan që të humbin disa kilogramë sipas “Everyday Health”, duke qenë se njerëzit mbipeshë kanë dy herë më shumë të ngjarë që të mos marrin mjaftueshëm vitaminë D. Vetëm duhet të bëjnë kujdes që të mos përdorin pak krem mbrojtës kundër diellit.