×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Gjuhëtarët Mansaku dhe Ismaili flasin për artikullin e revistës “Science” rreth vjetërsisë së gjuhës shqipe

    Insajderi
    27 August 2023 - 22:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    (Artikull i marr nga e përditshmja tiranse “Shqiptarja”)

    Pas publikimit të një studimi në revistën akademike amerikane ‘Science’ për vjetërsinë e gjuhëve indoevropiane, në vendin tonë ‘shpërthyen’ një sërë interpretimesh.

    Një prej hipotezave të opinionit që u fol shumë edhe mediatikisht është se mosha e shqipes vërtitët në 6000 vjet. Gjuhëtarët Seit Mansaku dhe Rexhep Ismajli sqarojnë se si është e vërteta.

    Ky studim i revistës akademike amerikane “Science.org”, i publikuar në përfundim të muajit korrik, sugjeron, në bazë të rezultateve të statistikave, se mosha e gjuhëve indoevropiane është më e hershme nga ç ‘është menduar deri më tani. Sipas rezultatit të studimit, origjina e gjuhëve indoevropiane është në jug të Kaukazit, ku sot gjenden shtete si Armenia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani dhe daton 8120 vjet më parë.

    Në shqyrtimin e bërë, ku u përfshinë 161 gjuhë indoevropiane, gjuha shqipe, e konfirmuar si pjesë e tyre që në shekullin e XIX, në grafikën e ilustruar, paraqitet në trungun e pemës gjuhësore. Vetëm kaq mjaftoi, që në opinionin publik dhe pasqyrimet mediatike të shpërthenin hipotezat vendase mbi vjetërsinë e shqipes, ku mbizotëronte mosha 5000-6000-vjeçare, apo në raste ekstreme përcaktohej edhe si gjuha më e vjetër në botë.

    ‘Ka shumë diskutime, ka dhe teprime, por një gjë është e saktë, që shqipja është nga gjuhët më të vjetra të Evropës dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me bazën indoevropiane. Është një gjuhë krejt e veçantë, në familjen e gjuhëve indoevropiane. Këto përcaktime që thuhen 6000 vjet -7000 vjet janë pak të vështira, vetëm arkeologët kanë gjetur metoda për të përcaktuar lashtësinë e objekteve materiale. Kur thonë se shqipja është ‘nëna’ e të gjitha gjuhëve, këto janë teprime që nuk i bëjnë mirë as shkencës”, thotë gjuhëtari, ak. Seit Mansaku.

    “Këto janë shkrime të një natyre tjetër. Gjuhësia ka metodat e saj . Nuk mund të përcaktohen vitet në këtë mënyrë , përcaktohen elementë të tjerë gjenetikë bartëse , po gjuhët kanë zhvillime pak më të ndryshme. Ka metoda të krahasimit që janë shumë të sofistikuara dhe të specifikuara’, thotë akademiku dhe albanologu Rexhep Ismajli.

    Lidhur me origjinën e shqipes, gjuhëtarët sqarojnë se nuk mund të flitet për moshë ekzakte, ndërsa tentojnë të sqarojnë dilemat.

    ‘Shqipja e ka burimin nga Ilirishtja kjo është e dokumentuar historikisht dhe gjuhësisht. Nga pikëpamja historike, sepse dihet që në këto troje që nga antikiteti kanë banuar ilirët, dhe shqipja nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e ilirishtes”, shton më tej ak. Mansaku.

    “Është një shkencë e tërë që flet për këto zhvillime. Ne mund të diskutojmë, por merrni frëngjishten ajo s’ka më shumë se 1000-vjet, më përpara ishte latinishtja, dhe para latinishtes, gjuhët para indoevropiane etj. Dhe shqipja i ka kaluar këto faza nuk mund të flasim pa i vështruar të gjitha problemet”, thotë ak. Ismajli.

    Pavarësisht se bashkë me shqipen, revista rendit edhe disa gjuhë të tjera si degë parësore të pemës së gjuhëve indoevropiane, gjuhëtari Seit Mansaku, pohon se shqipja është një gjuhë unike.

    “Shqipja është krejt e veçantë, pa lidhje fisnie, farefisnie me asnjërën prej këtyre gjuhëve dhe duke qenë kështu është një gjuhë shumë e rëndësishme edhe për gjuhët e tjera indoevropiane, për shpjegimin e zhvillimeve që kanë ndodhur nga indoevropianishtja në gjuhën e sotme shqipe. Është e rëndësishme dhe për faktin se ndonëse shqipja ka pasur një sërë kontaktesh me gjuhët e tjera , ka mundur ti shpëtojë asimilimit nga gjuhë të tjera për shekuj të tërë”, shprehet gjuhëtari.

    Gjuhëtari pohon se jo vetëm që shqipja i ka rezistuar sundimeve, por edhe ka ruajtur specifikat e saj.

    “Nuk është e lehtë që të qëndrosh në sundimin romak, në sundimin bizantin pastaj në sundimin sllav e atë turk, dhe ti kesh shpëtuar asimilimit, shqipja i ka shpëtuar. Për shembull rumanishtja u asimilua, nga gjuhë trake u bë romane, shqipja mundi ‘ti rezistojë, qoftë për rrethana historike ashtu edhe për specifika të tjera”.- tha gjuhëtari. /shqiptarja.com/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark