×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Gjykata dënoi Rozeta Hajdarin, detaje nga vendimi

    Insajderi
    19 August 2023 - 19:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 dhjetor 2022, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ministrës së Tregtisë, Rozeta Hajdarit, duke e dënuar me 700 euro gjobë, lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor

    Betimi për Drejtësi ka siguruar aktgjykimin në fjalë, i cili më 20 shkurt 2023 ka marrë vulën e plotëfuqishmërisë.

    Hajdari lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor ka paguar dënimin prej 700 euro.

    Në arsyetimin e vendimit të Themelores, thuhet se pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarës Hajdari dhe marrjes së mendimit nga prokurori i shtetit dhe mbrojtësi i saj, gjykata ka vlerësuar se pranimi i fajësisë është bërë në bazë të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, duke gjetur se pranimi i fajsisë është në përputhje me provat që gjenden në shkresat e lëndës.

    “Po ashtu, pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe pa imponim, duke qenë e njoftuar me benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë, po ashtu gjykata ka vlerësuar se aktakuza nuk përmban shkelje ligjore apo gabime faktike dhe me aktvendim ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës”, thuhet tutje në arsyetimin e gjykatës.

    Nga kjo, gjykata ka vendosur që Hajdarin ta shpallë fajtore për veprën penale që i vihej në barrë, pasi që , e njëjta është penalisht përgjegjëse dhe se nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale të saj dhe se në veprimet e të njëjtës janë manifestuar të gjitha elementet subjektive dhe objektive të veprës penale.

    “Gjykata si rrethanë lehtësuese ka gjetur se e pandehura e ka pranuar fajësinë në fazë të hershme të procedurës dhe keqardhjen e sinqertë. Ndërsa, rrethanë rënduese gjykata nuk ka gjetur”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

    Në këtë aktgjykim thuhet se Themelorja ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar është në proporcion me peshën e veprës penale, rrezikshmërisë shoqërore dhe karakteristikat personale të të pandehurës dhe se edhe me dënimin e shqiptuar mjaftueshëm do të ndikojë në vetëdijesimin e të pandehurës në drejtim të respektimit të ligjit.

    “Po ashtu ky dënim do të ndikoj edhe në aspektin e preventivës gjenerale që t’i ndaloj të tjerët në kryerjen e veprave penale dhe mjaftueshëm do të shpreh gjykimin shoqëror për veprën penale të kryer, kështu duke ngritur vetëdijen në respektimin e ligjit për çka është edhe qëllimi i dënimit sipas nenit 38 të KPRK-së”, thuhet tutje në arsyetimin e këtij aktgjykimi.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 tetor 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rozeta Hajdari akuzohej për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.

    Aktakuza thotë se e pandehura Hajdari në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor, nuk e ka respektuar nenin 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë.

    Tutje, akti akuzues thotë se edhe pas njoftimit me kohë nga zyrtarja përgjegjëse e ministrisë përkatëse për detyrimin e deklarimit të pasurisë së saj me rastin e marrjes së detyrës si ministre, e zgjedhur sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 3 shkurtit 2020, e po ashtu edhe përkundër shtyrjes së afatit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 deri më 19 qershor 2020, e njëjta deklarimin e pasurisë nuk e ka bërë as brenda këtij afati shtesë ligjor.

    Me këtë, Hajdari akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark