Gjykata themelore në Prishtinë e ka proceduar tutje padinë e Gramoz Vokrrit ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës.
Madje, lënda tashmë është proceduar tutje dhe është caktuar edhe gjyqtarja që do të merret me padinë e Gramoz Vokrrit dhe siç mëson “Gazeta Express”, ajo është Luljeta Maxhuni.
Vokrri përmes avokatëve të tij kishte ngre padi dje ndaj FFK-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë në lidhje me procesin zgjedhor për kryetar të saj.
Vokrri ka kërkuar nga gjykata që ta pezullojë Kuvendin e thirrur nga Komiteti Ekzekutiv në krye me Agim Ademin për datën 6 prill.
Kjo pasi Vokrri konsideron se në mënyrë të paligjshme FFK-ja e ka refuzuar kandidaturën e tij për kryetar, duke shkuar në zgjedhje veç me kryetarin aktual si kandidat të vetëm edhe për një mandat.
Përmes kësaj padie Vokrri e ka kërkuar pezullimin e Kuvendit Zgjedhor deri në një vendim tjetër të gjykatës.
Krahas refuzimit në mënyrë të paligjshme të kandidimit të tij, Vokrri pretendon se i gjithë procesi është i paligjshëm dhe jo statutor, gjë që të cilën e ka pohuar edhe Departamenti Ligjor i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Siç dihet, FFK-në Gjykatën Themelore në Prishtinë ditë më parë e kishte paditur edhe klubi i futbollit Vitia, po ashtu me arsyetimin se procesi zgjedhor për kryetar është i parregullt.