×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Gjykata ndërprenë punimet në kompleksin banesor të biznesmenit Fatmir Grainca

    Insajderi
    23 August 2023 - 14:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërprerë punimet e 11-katëshes së multimilionerit Fatmir Grainca, mikut të Agim Aliut, në rrugën “Gëzim Sahiti” në Ferizaj, deri në një vendim tjetër të gjykatës.

    Kompanisë “Hit Petrol” të multimilionerit Grainca që po terrorizonte “Lagjen e Re” në Ferizaj i janë ndërprerë punimet pas padisë së “AVONET”-it ndaj Komunës së Ferizajt. Sipas aktvendimit, paditësi kishte ofruar fakte të mjaftueshme që kompania e mikut të Aliut kishte shkaktuar çarje në afërsi të vendpunishtes, raporton Gazeta Insajderi.

    “Gjykata vlerësoi se ne situatën aktuale, paditësit i kanë ofruar gjykatës gjashtëmbëdhjetë fotografi në të cilën evidentohet krisjet e fasave të objekteve të banimit përreth vendit ku janë duke u kryer punimet nga punëkryerësi, ashtu siç gjykata evidentoi përmes fotografive edhe vrimat e hapura në tokë në afërsi të vend-punishtes”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e gjykatës.

    Sidoqoftë, Gazeta Insajderi ka mësuar se pas aktvendimit të gjykatës, policia dhe prokuroria kanë dalë në vend të ngjarjes, ndonëse ende s’i kanë ndërprerë punimet.

    Gazeta Insajderi ka raportuar më herët se kompanisë së Graincës, i akuzuar edhe për degradimin e Brezovicës, i është dhënë leja e ndërtimit nga komuna e udhëhequr nga miku i tij, Agim Aliu, në kundërshtim me Ligjin për Planifikimin Hapësinor.

    Për nisjen e këtij ndërtimi një interpretim e ka dhënë edhe Ministria e Mjedisit “ku është theksuar se “Kushtet Ndërtimore nuk mund të lëshohen duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, sepse sipas nenit 15, paragrafi 1, të Ligjit Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, Plani Zhvillimor Komunal është dokument orientues strategjik, i cili nuk përcakton rregulla, kushte dhe detaje tjera të nevojshme për ndërtim/zhvillim”.

    Për këtë çështje, banorët e kësaj ane kanë protestuar disa herë në shenjë protestë për ndërtimin e lartë, që sipas tyre është duke u bërë në kundërshtim me ligjet dhe udhëzimet tjera të ndërtimit.

    Biznesmeni multimilioner Grainca është i përfshirë në rastin për korrupsion, ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit në vargmalet e Sharrit, konkretisht në Brezovicë.

    Dy villat të tij ishin sekuestruar dhjetori e vitit të kaluar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në aksionin e njohur si “Brezovica”.

    Biznesmeni ferizajas, pronarë i kompanisë “Hit Imperial”, kur ishte kërkuar marsin e kaluar nga Policia, kishte ikur nga shtëpia.

    Ai nuk ishte paraqitur as në gjykatë, për shkak të problemeve shëndetësore.

    Kështu pati thënë avokati i tij, Avni Ibrahimi, i cili tutje ka shpjeguar se klienti i tij gjendet në spital, pa dhënë detaje të tjera, nëse është duke u shëruar në Kosovë, apo jashtë saj. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark