Gjykata Supreme ka shqyrtuar ankesën e AAK-së për mos-certifikim e kandidatëve për deputetë.
Supremja ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta përfshijë në listën e kandidatëve të AAK-së numrin dy të listës, Shemsedin Dreshajn, shkruan Insajderi.
Dreshaj sipas këtij vendimi do të mund të kandidojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.15/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.240-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në që kandidatin për deputet Shemsedin Dreshaj, ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë”, thuhet në njoftim.
“Edhe në rastin e pranimit të pjesshëm të ankesës së AAK-së, bëhet fjalë për vlerësimin e gabuar të afatit 3 vjeçar, ndërkohë që duhet referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç, e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, vijon njoftimi./Insajderi.org