×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Gjykimi për bossat e kazinove, dëshmitari rrëfen mashtrimet që i janë bërë qytetarëve

    Insajderi
    01 March 2023 - 21:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dëshmitari Isuf Hebibi tha se fitimi ka qenë 94 për qind për kompaninë ndërsa 6 për qind për lojtarët. Këtë deklarim ai e bëri në gjykimin ku për bixhoz të paligjshëm, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të rreth 10 milionë euro po akuzohen 13 persona.

    Në këtë rast nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), akuzohen Arben Krasniqi, Astrit Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Skender Fetaj, Habil Krasniqi, Nexhat Ejupi, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Ricaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Suzana Qerkini, se ka qenë fitimi mujor në kompaninë e ku ai ka punuar, dëshmitari Hebibi tha se “ka mujt me shku 50 ose 60 mijë për një muaj për pesë pikat”.

    Dëshmitari Hebibi, i cili është  babai i të akuzuarit Bylbyl theksoi se ka qenë menaxheri i firmës së djalit të tij, duke shtuar se kompania ka pasur afërsisht 15 punëtor dhe diku rreth 50 aparate të lojërave të fatit.

    Sipas dëshmitari Habibi, aparatet kanë qenë të ardhura nga Austria në mënyrë legale përmes ATK-së dhe Doganës, dhe se llojet e aparateve ishin “Novomatik”, “Admiral”, “Kobra” dhe gjithashtu fitimi ka qenë 96 për qind për klientët dhe 4 për qind për kompaninë.

    “Po muj me ju dëshmu edhe me licens që fitimi ynë ka qenë 94 përqind për lojtarin dhe 4 përqind për pronarin”, deklaroi dëshmitari Habibi.

    Në lidhje me përqindjen e fitimit në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Mentor Bajraktai, dëshmitari Habibi tha se fitimi është i përcaktuar fabrikisht aty ku prodhohen aparatet e lojërave të fatit.

    Dëshminë para trupit gjykues e dha edhe dëshmitari Fisnik Sollova, duke deklaruar se ka qenë menaxher i pikës në Sllatinë ku i kishin 10 aparate të lojërave të fatit dhe se pronar kishte qenë i akuzuari Astrit Krasniqi.

    Dëshmitari Sollova tha se aparatet e lojërave të fatit kanë pasur rrallë herë probleme dhe se nuk i kujtohet se kush i kishte rregulluar, ndërsa lidhur me fitimin sipas tij, është ndarë mes punëtoreve dhe për shpenzime të lokalit sepse ishte një lokal i sapo hapur.

    Tutje, dëshminë e tij  e dha edhe Alban Berisha i cili tha se ka qenë fillimisht menaxher i kompanisë “Play 4 Win” me pronar të akuzuarin Astrit Berisha dhe pastaj në kompaninë “Apex” me pronar të akuzuarin Arben Krasniqin.

    Sipas dëshmitari Berisha në dy kompanitë e lartcekura kanë qenë në rregull dhe se i kujtohet një inspektim i bërë nga ATK-ja dhe Dogana me Polici ku njëri nga zyrtarët ka marrë një telefonat duke u thënë të njëjtit se duhet gjetur diçka të parregullt në këto lokale gjithsesi.

    Pastaj gjithnjë sipas dëshmitarit Berisha ATK-ja dhe Dogana kanë konstatuar se të gjitha aparatet kishin qen konform dispozitave ligjore dhe se nuk mund të konfiskohet asnjë nga aparatet e lojërave të fatit.

    Gjykimi vazhdoi edhe në sesionin e pasdites me dëshminë e dëshmitarit Fidaim Hoti, i cili tha se ka qenë menaxher kryesor i kompanisë “Play 4 Win” prej vitit 2014  duke shtuar se për prishjen teknike të aparateve si shembull thyerja e xhamit kanë pasur sektor të veçantë.

    Në pyetjen e prokurorit të prokurorisë speciale, Naim Abazi, dëshmitari Hoti tha se në këtë proces e mbështes moralisht të akuzuarin Astrit Krasniqi pasi që e njeh mjaftë mirë, duke shtuar se biznesi “Spar Kosova” nuk ka lidhje me bizneset e lojërave të fatit.

    Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Astrit Krasniqi, avokatit Alban Makolli, dëshmitari Hoti tha se tërë paratë e deponuara nga ai personalisht si menaxher kryesor kanë qenë nga aktivitetit i kompanisë së lojërave të fatit.

    Tutje, Elvira Hajdin po ashtu në cilësi të dëshmitares tha se ka punuar nga viti 2014 deri në vitin 2018 në kompaninë “Play 4 Win” me pronar Astrit Krasniqin, duke thënë se ka deponuar paratë e fituara në bankë nga aktiviteti i kompanisë në llogari të posaçme të kompanisë.

    E njëjtat shtoi se edhe ka lidhur kontratat të shitblerjes së makinave me autorizim të akuzuarit Astrit Berisha pranë noterëve duke shtuar se pasi që i akuzuari Astrit Berisha kishte për të udhëtuar e kishte të pamundur prezencën tërë kohën për lidhje të këtyre kontratave.

    Në cilësinë e dëshmitares u dëgjua edhe ish noteria tashmë e pensionuar Alie Gusija, e cila si notere e asaj kohe tha se kishte përpiluar dy kontrata të shitblerjes së makinave me shitës Astrit Krasniqin dhe blerës dikush tjetër pa u specifikuar saktë se kush ishte blerës në të dyja kontratat.

    Sipas dëshmitares Gusija palëve u është lexuar neni 2 i kontratës lidhur me atë se çmimi i automjetet duhet të jetë real duke shtuar se noterët nuk kanë një mekanizëm të vlerësimit saktë të çmimit të sendeve të paluajtshme dhe se parimisht shikohet vullneti i palëve nënshkruese.

    Në fund u dëgjua edhe dëshmitari Bahtjar Berisha i cili kishte qenë i punësuar në kompaninë ” “Play 4 Win”” me pronar të akuzuarin Arben Krasniqi,i cili para trupit gjykues deklaroi se nga informatat qe ka pasur të gjitha aparatet kanë qenë sipas kritereve të parapara ligjore.

    “Me informatat që kam un  nuk është hasur në parregullsi, të gjitha që kanë qenë në funksion kanë qenë sipas kritereve qe i ka lejuar ligji për lojërat e fatit”, tha dëshmitari Berisha.

    Tutje dëshmtari Berisha sqaroi se nuk ka parë së dikush nga teknika e kompanisë “Play for Win” të ketë ndërhyrë në ndryshimin e shifrave të fitmet përpos kur janë dëmtuar aparatet e lojërave të fatit nga klientët.

    Me përfundimin e orarit u ndërpre edhe gjykimi duke u caktuar me 14 prill seanca e radhës.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi dhe Bylbyl Hebibi po akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

    Skender Fetaj dhe Habil Krasniqi po akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”, ndërsa, Nexhat Ejupi dhe Kreshnik Myrtollari akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Shmangie nga tatimi”.

    Armend Danqeli po akuzohet nga PSRK-ja për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi”, ndërsa për veprën penale “Shmangie nga tatimi” po akuzohet Dodë Ricaj.

    Sipas prokurorisë, Astrit Krasniqi akuzohet se nga 1 janar 2013 e deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Play 4 Win”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automatëve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara përmes shënimeve të hyrje-daljeve nëpërmjet treguesit mekanik.

    Krasniqi po akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike të lidhura me to. Ai po akuzohet se ka kryer shmangie tatimore në vlerë prej 593 mijë e 680 euro e 40 centë. Të hyrat nga aktiviteti kriminal, sipas aktakuzës, i akuzuari Astrit Krasniqi i ka investuar në biznese dhe prona, duke kryer shpëlarje të parave në shumën prej mbi një milion euro.

    Arben Krasniqi po akuzohet nga prokuroria se gjatë periudhës kohore 1 janar 2013 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Apex Gaming Kosova”, ka ndërhyrë në 14 numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara.

    Tutje ai akuzohet se duke dhënë shënime të pavërteta me të ardhurat e biznesit të tij është shmangur nga tatimi në vlerë prej 298 mijë e 547 euro e 1 cent.

    Ai gjithashtu po akuzohet se ka kryer edhe shpëlarje të parave në shumën prej 75 mijë euro për biznesin e lartcekur.

    Istref Veliqi po akuzohet nga PSRK-ja se nga 1 janar 2013 e deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Game Plus”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai akuzohet edhe se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, duke kryer shmangie tatimore në shumën prej 475 mijë e 747 euro e 79 centë. Ai akuzohet se ka kryer shpëlarje të parave në vlerë prej 698 mijë e 280 euro.

    Blerim Imeri akuzohet se përmes biznesit “Matrix” SH.P.K ka ndërhyrë në një numërator mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojëtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari ngarkohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, e ku ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 69 mijë e 442 euro e 17 centë dhe shpëlarje të parave në vlerën prej 1 milionë e 285 mijë euro.

    Skender Fetaj po akuzohet se nga 1 prill 2015 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “EGKT II”, ka ndërhyrë në numërator mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Fetaj akuzohet se ka kryer shmangie tatimore në vlerë prej 47 mijë e 51 euro dhe shpëlarje të parave në shumën 1 milionë e 610 mijë e 700 euro.

    Flakron Maqani akuzohet se nga 12 maji 2015 deri më  22 mars 2019 përmes biznesit “Las Vegas 2” ka ndërhyrë në 27 numëratorë mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojëtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Maqani akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 1 milionë e 399 mijë e 573 euro e 93 centë dhe shpëlarje të parave në vlerë prej 541 mijë e 745 euro.

    Ndërsa, Armend Danqeli po akuzohet se nga 1 janari 2013 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Euro Game”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave. Ai gjithashtu akuzohet se në emër të biznesit të lartcekur ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 57 mijë e 661 euro e 10 centë.

    I akuzuari Xhavit Krasniqi akuzohet se nga 24 maj 2016 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Invest Kosova” Sh.P.K ka ndërhyrë në 19 numëratorë mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguaj lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Krasniqi ngarkohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 251 mijë e 171 euro e 61 centë dhe shpëlarje të parave në shumën prej 185 mijë euro.

    Edmond Jakupi akuzohet se nga 9 gusht 2016 deri më 22 mars 2019 përmes biznesit “Cometa” Sh.P.K ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 8 mijë e 268 euro e 60 centë.

    Bylbyl Hebibi po akuzohet se nga 1 janari 2013 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Real Sport”, ka ndërhyrë në pesë numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara.

    Hebibi po akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, se ka kryer shmangie nga tatimi në shumën prej 266 mijë e 715 euro e 61 centë si dhe ka kryer shpëlarje të parave në shumën prej 98 mijë e 112 euro.

    Nexhat Ejupi po akuzohet se nga 1 janari 2013 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Lumi”, ka ndërhyrë në një numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai gjithashtu akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike dhe se ka kryer shmangie nga tatimi në shumën prej 45 mijë e 846 euro e 94 centë.

    I akuzuari Habil Krasniqi po akuzohet se nga 28 marsi 2017 e deri më 21 mars 2019 përmes subjektit “Loni Sport”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai ngarkohet se ka kryer edhe shmangie tatimore në shumën prej 10 mijë e 634 euro si dhe shpëlarje të parave në shumën prej 259 mijë e 650 euro, në emër të biznesit të lartcekur.

    Kreshnik Myrtollari është duke u akuzuar nga prokuroria se nga 11 janari 2018 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Club Gold”, ka ndërhyrë në tetë numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara dhe se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, si dhe ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 619 mijë e 266 euro e 90 centë.

    Tahir Bërbatovci akuzohet se nga 1 janari 2014 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Hotel Kosvegas” ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 22 mijë e 844 euro e 73 centë.

    I akuzuari Dodë Rica akuzohet se nga 2 nëntor 2017 deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Shqiponja Strip Club” ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 36 mijë e 389 euro e 24 centë, përmes biznesit të lartcekur.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark