×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Gjykimi për vrasjen e ndodhur 22 vjet më parë, dëshmitarët thonë se nuk iu kujtohet ngjarja

    Insajderi
    14 July 2023 - 13:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Fahri Kajtazi, Labeat Kastrati dhe Hamdi Marviqi, po akuzohen për vrasjen e A.M, në vitin 2001 në Prishtinë, dëshmitarët Bahri Nika dhe Nuredin Makovci deklaruan se nuk iu kujtohet asgjë nga rasti.

    Këto deklarime, dëshmitarët Nika e Makovci i dhanë në seancën e së premtes, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Armend Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    E me qenë se të njëjtit deklaruan se nuk iu kujtohet asgjë nga rasti, ata thanë se qëndrojë pranë deklaratave të dhëna më parë në hetuesi e në shqyrtimet e mëparshme.

    “Jo asgjë nuk më kujtohet nga rasti, pasi që në ndërkohë kam pasur edhe ngarkesa një kokë, andaj nuk më kujtohet asgjë, veç se ju rri mbrapa atyre deklaratave të cilat i kam dhënë me herët”, tha dëshmitari Nika.

    “Me thënë të drejtën është një kohë e gjatë që ka kalu, kom pas edhe sfida të tjera familjare që nga ajo kohë dhe nuk më kujtohet hiç kurrgjë nga ajo kohë, atë dëshmi të cilën e kam dhënë në gjyq asaj i rri mbrapa”, deklaroi Makovci.

    Dëshmitari Makovci, ka thënë se në atë kohë ka qenë pronar i “Inter Klub”, bashkë me dy të tjerë dhe se natën kur kishte ndodhur rasti kishte qenë i lokal.

    I njëjti tha se nuk i kujtohej nëse natën kritike në lokalin e tij kanë qenë tani të akuzuarit.

    Mirëpo, ai tha se në atë kohë ishte njohur me të akuzuarit Mavriqi dhe Kastrati, ndërsa të akuzuarin Kajtazi tha se nuk e ka njohur.

    Duke qenë se të dy dëshmitarët deklaruan se nuk e kujtojnë ngjarjen, pyetje për të njëjtit nuk patën as mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Florent Latifaj, Ahmet Tahiri dhe Ragip Zeneli.

    Ndryshe, në këtë seancë munguan mbrojtësi i viktimave dhe dëshmitarët Ibër Alaj, Besim Mehmeti, Skender Berisha dhe Laura Nushi,

    Lidhur me mungesën e mbrojtësit të viktimave dhe dëshmitarit Berisha, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi ka thënë se, për të njëjtit deri në këto momente nuk është kthyer fletëkthesa në gjykatë për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt apo jo.

    Ndërsa, për dëshmitarin Alaj, gjykatësi Kuçi ka thënë se në fletëkthesë është konstatuar se “jeton në Prishtinë”, për dëshmitarin Mehmeti në fletëkthesë është shënuar adresa jo e plotë, kurse për dëshmitaren Nushi gjykatësi Kuçi tha se në fletëkthesë është shënuar “e shpërngulur”.

    Lidhur me këta dëshmitarë, prokurori Hamiti i propozoi gjykatës që edhe një herë të tentohet të ftohen për të dëshmuar, me të cilin propozim u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve.

    Në fund, gjykatësi Kuçi tha se për dëshmitarët, Alaj, Mehmeti dhe Nushi nga Policia e Kosovës do të kërkohet verifikimi i adresës, ndërsa për dëshmitarin Berisha ai tha se do të ndërmerren veprime varësisht nga ajo se çfarë do të konstatohet në ftesën e dërguar më herët.

    Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 20 shtator 2023.

    Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

    Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza.

    Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

    Ndërsa, të akuzuari Mavriqi e Kastrati me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza.

    Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, ku kishte kërkuar që aktgjykimi që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ai i mbrojtësve të tij të refuzohet si i pabazuar dhe në këtë pjesë aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002 të vërtetohet.

    Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, i akuzuari Fahri Kajtazi, më 17 dhjetor 2001, rreth orës 02:30- 03:20, në “Inter Klub” në Prishtinë, pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve nga ana e tij drejtuar Labeat Kastratit dhe Hamdi Mavriqit, kur këta për t’iu shmangur zënkave dhe kërcënimeve të tij, vendosin të dalin nga klubi dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre, por para tyre ka dalë i akuzuari Fahri me shokët e tij A.M dhe Milaim Cakajn, i cili prapë vazhdon me sharje dhe kërcënime se do t’i vras.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Milaim Cakaj nga brezi ia merr revolen e markës “Crvena Zastava” dhe me të nga shkallët e Pallatit të Rinisë, nga një distancë e pavërtetuar shtie tri- katër herë në drejtim të tyre me qëllim që t’i privojë nga jeta, por nuk e godet asnjërin.

    Në këtë mënyrë, akuzohet se ka kryer dy vrasje në tentativë nga neni 30 al.1 të Ligjit Penal të Kosovës (LPK) lidhur me nenin 19 të Ligjit Penal të Jugosllavisë (LPJ), i aplikuar sipas rregullores se UNMIK-ut, e të ndëshkueshme sipas dispozitës të nenit 30 al.3 të LPK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Milaim Cakaj, më 17 dhjetor 2001 në “Inter Klub” në Prishtinë, e ka poseduar pa leje armën-revolen e markës “Crvena Zastava”,

    Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë i pandehuri Cakaj ngarkohet se ka kryer veprën penale nga neni 8.2. e ndëshkueshme sipas nenit 8.6. të rregullores se UNMIK-ut nr.2001/7 për Autorizimin e Posedimit të Armëve në Kosovë.

    Tutje, sipas dispozitivit të tretë, të akuzuarit Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, si në pikën I të dispozitivit, pasi që më parë i akuzuari Fahri Kajtazi ka filluar që me revole të shtie në drejtim të tyre dhe këta i nxjerrin revolet e tyre, të cilat i kanë pasur me leje, Labeat Kastrati me revolen e markës “Tokarev”, kurse Hamdi Mavriqi, gjithashtu, me revolen e markës “Tokarev” dhe kanë shtënë shumë herë në drejtim të Fahri Kajtazit, me qëllim që të njëjtin, ta privojnë nga jeta.

    Sipas këtij dispozitivi, duke shtënë në drejtim të tij, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.

    Në këtë mënyrë, akuzohen se në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 30 al.I të LPK lidhur me nenin 19 të LPJ, i aplikuar sipas rregullores së UNMIK-ut dhe veprën penale “Vrasje” nga neni 30 all të LPK, e të ndëshkueshme sipas nenit 30 al.3. të LPK.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark