Pasi që Joe Gomez nënshkroi kontratën e tij të re pesë-vjeçare me Liverpoolin, mbrojtësi anglez ka zbuluar dy arsyet kryesore për vendimin e tij për të qëndruar në “Anfield Road”.
Gomez iu dha fund spekulimeve rreth një transferimi te Aston Villa duke rënë dakord për një marrëveshje të re me Liverpoolin, që do ta mbajë atë në klub deri në vitin 2027.
Mund të konsiderohet një vendim i habitshëm nga ana e mbrojtësit anglez, duke marrë parasysh minutazhën jo të kënaqshme sezonin e kaluar, por në intervistën e tij pas rinovimit të kontratës, Gomez tregoi pse ishte e pamundur për të që të largohet nga Liverpooli.
Njëri nga faktorët kryesorë ishte trajneri Jurgen Klopp, i cili së fundmi zgjati qëndrimin në “Anfield Road” edhe për dy vite të tjera, respektivisht deri në vitin 2026.
“Trajneri është më i miri në botë për mua. Ai ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime, jo vetëm si trajner por edhe si njeri. E di se ka shumë më tepër që mund të mësoj prej tij, prandaj ndihem sikur ky është vendi më i mirë për mua”, tha Gomez.
Skenat në qytet pas humbjes së Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve, kur 500,000 tifozë u rreshtuan në rrugë për të pritur “Të Kuqtë” për paradën e tyre të trofeut, gjithashtu luajtën një rol të madh në bindjen e Gomez për të qëndruar.
“Nuk mund të flas për pjesën tjetër të djemve, por, për mua, padyshim që ishte befasi. Përsëri, është një shenjë se pse duam të jemi këtu, dhe pse jemi kaq të bekuar që jemi pjesë e këtij klubi. Unë nuk mendoj se ka një ekip tjetër në botë që mund të humbasë finalen dhe të kthehet në atë lloj pritjeje dhe mbështetjeje”, tha Gomez.
Pavarësisht se ka bërë vetëm 11 paraqitje sezonin e kaluar, Gomez është gati të përballojë sfidën që ka përpara teksa lufton për një vend të rregullt startues, mes një grupi të qendërmbrojtësve që përfshin gjithashtu Virgil van Dijk, Joel Matip dhe Ibrahima Konate.