×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Grabar-Kitaroviq dëshiron prani më të madhe të kompanive kroate në Kosovë

    Insajderi
    01 June 2017 - 15:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, me të cilën po takohet në Zagreb, ku po qëndron për vizitë zyrtare.

    Presidentët gjatë bisedimeve ishin të pajtimit që Kroacia dhe Kosova të zgjerojnë bashkëpunimin ekonomik, duke theksuar raportet miqësore mes Zagrebit dhe Prishtinës dhe gjithashtu mbështetjen e kroatëve në rrugën e Kosovës për integrim Euro-Atlantik, raporton mediumi kroat tportal.hr.

    “Kur jemi te marrëdhëniet bilaterale, ato janë shumë të mira dhe miqësore, por sigurisht që ne duam të zgjerojmë bashkëpunimin ekonomik me Kosovën”, ka thënë Grabar-Kitaroviq në një konferencë të përbashkët për media.

    Ajo tutje shtoi që marrëdhëniet duhet të zgjerohen jo vetëm përmes eksportit dhe importit por edhe përmes investimeve dhe bizneseve tjera.

    “Unë mendoj që mund të bëjmë shumë më shumë se sa vetëm shitja e produkteve dhe shërbimeve tona, por mund të shkojmë në prezencë më të lartë të kompanive kroate në Kosovë kur flasim për investimet dhe bizneset tjera”, ka thënë ajo, duke shtuar që i ka kërkuar homologut të saj kosovar të angazhohet personalisht në këtë.

    Kroacia dhe Kosova kanë pasur historikisht marrëdhënie miqësore, ka thënë Thaçi, por ai gjithashtu theksoi se marrëdhëniet ekonomike mund të jenë më të mira sepse “Kroacia ka potencial të lartë për investime në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”.

    Presidentja kroate ka përmendur për interesimin e kompanive në sektorin energjetik, sidomos në ndërtimin dhe transmetimin e përdorimin e burimeve të energjisë së ripërtërishme, pastaj ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave.

    Presidenti i Kosovës falënderoi homologen e tij që ishte në inaugurimin e tij si president, dhe gjithashtu për atë se Kroacia “ishte ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën”. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark