×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Grabovci: Kreator i trazirave ishte Kurti, nuk më kujtohet që Konjufca hodhi gaz lotsjellës

    Insajderi
    25 October 2023 - 10:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë se kreator i trazirave që janë krijuar në Kuvend duke hedhur gaz lotsjellës ishte kryeministri Albin Kurti.

    Në seancën gjyqësore ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar më 2016 në Kuvend, që po mbahet të mërkurën, Grabovci ka thënë se nuk i kujtohet që Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës.

    Por, është shprehur i gatshëm që të dëshmojë kundër kryeministrin Albin Kurti, të cilin ai e ka quajtur “kreator të atyre trazirave”.

    “Nuk më kujtohet asnjë rast kur Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës. Jam i gatshëm të dëshmoj kundër Albin Kurtit i cili ka qenë kreator i këtyre trazirave”, ka theksuar Grabovci.

    Në këtë seancën ka dëshmuar edhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri. Ai ka thënë se nuk e mban mend që në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt të vitit 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

    Sipas aktakuzës, ai më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku merrnin pjesë ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami, Sllobodan Petroviq dhe deputeti Pal Lekaj, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ku gjatë mbledhjes ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

    Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Konjufca akuzohet gjithashtu se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark