×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Gratë e sotit veç plumbi i rehaton”- i riu me të kaluar kriminale komenton tek rasti i Akil Gjakovës

    Insajderi
    13 April 2024 - 17:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Egzon Reshani, emër i njohur për drejtësinë në Kosovë, ka komentuar me mendësi kriminale rastin ku xhudisti Akil Gjakova po dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    Reshani ka thënë se “grat e sodit veq plumi i rahaton!” në ‘Facebook’ tek raportimi i Insajderit për dyshimet për dhunë nga Gjakova në bashkëshorten.

    “jan qu pesh baco grat e sodit veq plumi i rahaton!”, thuhet në komentin e tij.

    Më 2022-ën u raportua për një mori veprash penale që kishte 31-vjeçari nga Prizreni.

    Sipas një raportimi të Sinjalit, i riu nga Prizreni ka hyrë në telashe me shtetin ende pa i bërë 18-vjet, kur në moshën 17-vjeçare, u dënua për armëmbajtje pa leje.

    Më 11 maj të 2022-ës, në një lokal në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, Egzon Reshani terrorizoi qytetarët që ndodheshin përreth, kur hyri me armë automatike dhe gjuajti disa herë për t’u larguar më pas me një veturë. Pas disa javësh në arrati, ai u dorëzua në Polici më 25 maj.

    Këto vepra penale ai kishte përsëritur për disa herë me radhë. Ndaj tij, pranë Gjykatës Themelore në Prizren janë të evidentuara 16 aktgjykime të plotfuqishme për veprat penale si vrasje e rëndë në tentativë, lëndim i rëndë trupor, posedim i paautorizuar i narkotikëve, kanosje e të tjera.

    Më 9 prill, Egzon Reshani është dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe me 700 euro për veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi dyshohet se “më 12 qershor 2018, rreth orës 20:45 minuta, në Prizren, në rrugën “Qazim Berisha”, ka përdorur armën në mënyrë kërcënuese dhe frikësuese, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin së bashku me vëllain e tij- të akuzuarin B.R., shkojnë dhe e presin të dëmtuarin pranë dhe posa i njëjti del nga hoteli, i akuzuari E.R., e nxjerrë armën e llojit të panjohur dhe me të njëjtën shtënë një herë në tokë”.

    Në vitin 2020, më 8 tetor, Reshani po ashtu është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me 800 euro gjobë për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

    Ndaj tij, edhe më 23 mars 2019 është shpallur aktgjykim, ku është dënuar me 1 mijë e 200 euro gjobë për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Në vitin 2019, më 1 prill, ai po ashtu është dënuar me gjobë prej 2 mijë e 700 euro dhe 1 vit burgim me kusht për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

    Gjatë vitit 2019, ai është dënuar edhe për një rast tjetër, kur më 9 janar është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 mijë e 700 euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

    Po ashtu, edhe më 28 prill 2019, Reshani është dënuar me 200 euro gjobë për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

    Ndërkohë që në vitin 2018, më 20 shkurt, ai është dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale kanosja.

    Egzon Reshani është dënuar edhe në vitin 2014, më 06 qershor, me 2 vite e 10 muaj burgim për veprën penale lëndim i rëndë trupor. Po atë vit, më 12 nëntor është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim efektiv dhe dënim me gjobë prej 1 mijë e 800 euro, për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

    Edhe para 10 vitesh, më 18 janar 2012, Reshani është dënuar me 1 mijë euro gjobë për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar, vepër për të cilën është dënuar edhe më 18 korrik të po këtij viti, me 800 euro gjobë.

    29-vjeçari është dënuar edhe më 4 mars të vitit 2011 me 2 muaj burgim me kusht për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

    Kurse që dënimi që është shpallur kur Reshani ka qenë i mitur është më 7 tetor 2010, ku ishte dënuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark