×
  • Lajme
  • Insajderi

    Greva në sektorin publik përplasë krerët e mjekëve – Imeri deklarohet për Insajderin: S’mund futemi në valle kush lëshon muzikë

    Insajderi
    26 August 2022 - 12:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nga dita e enjtja e 25 gushtit sektori publik ka shkuar në grevë të përgjithshme. Një numër i konsiderueshëm i sindikatave po përkrahin grevën por ka edhe prej atyre që nuk qëndrojnë në një linjë me BSPK-ën. Kundër kësaj greve ka dalë Sindikata e Mjekëve  të Kosovës. Ky vendim i kryesindikalistes Tevide Imeri duket se nuk i ka pëlqyer Shoqatës Sindikale të QKUK-së. Këta të fundit, sot përmes një reagimi bënë më dije se janë pro grevës. Madje e akuzuan kryetaren e FSSHK-së, Tevide Imerin si të paligjshme për të marrë vendime.

    Greva në sektorin publik ka shpërfaqur edhe pakënaqësitë mes sindikatave në vend.

    Për këto akuza të Shoqatës Sindikale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovë (QKUK), Gazeta Insajderi ka kontaktuar kryetaren e FSSHK-së, Tevide Imerin.

    Edhe njëherë Imeri sqaroi arsyet pse nuk po marrin pjesë në grevë, ndërkohë ka numëruar një sërë shkeljes që sipas saj janë bërë nga kryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, Xhemajl Selmani. E quajti atë shkelës të ligjit.

    “Xhemajl Selami ka qenë absolutisht kundër me hy edhe në BSPK dhe tash del me këtë qëndrim nonsens”.

    Imeri tha se vet nënkryetari i kësaj shoqate, Agron Kryeziu përmes një telefonate ka konfirmuar se do të jenë në një linjë me FSSH-në.

    Ndërkaq potencon se kryetari i Shoqatës së QKUK-së, Xhemajl Selami ka inate personale me të “për shkak të pakënaqësive mes neve tash ky ka dalë kundër se absolutisht unë nuk i qes punëtorët në rrugë”, u shpreh ajo për Insajderin.

    “Dje kemi kontaktuar me Shoqatën Sindikale të QKUK-së dhe ata kanë thënë se nuk dojmë me marrë pjesë se jemi në proces gjyqësor. Në mbledhjen e kryesisë kanë qenë të gjithë përfaqësuesit regjional, e dyta nënkryetari i këtij, Agron Kryeziu i doktor Xhemajl Selmanit të parit të Shoqatës në SHSKUK ka thënë që qëndrimi juaj është edhe i joni, këtë e ka bërë të ditur përmes një telefonate”, deklaroi Imeri.

    Imeri ka treguar pse e quan shkelës të ligjit, Xhemajl Selmanin, ndërkohë e akuzon për konflik interesi.

    “Tjetra, doktor Xhemajl Selmani i pari i shoqatës është shef 12 vjet me radhë që është në kundërshtim me ligjin mbi organizimin sindikal është shkelës i ligjit dhe merr pagën mbi 1000 euro në federatë, merr  sigurime shëndetësore të gjithë e njohin”, ka thënë ajo për Insajderin.

    “Ka konflikt interesi, e ka shti balldëskën në sindikatë me punu në Financa, motrën e gruas do të thotë. Xhemajl Selmani ka bërë një sërë shkeljes dhe ai me më thënë mua që nuk vi në mbledhje dhe me dhënë deklarata të tillë e që nuk është e vërtetë, nuk është që ne nuk jemi solidarizuar me grevën e SBASHK-ut por thjeshtë nuk iu jemi bashkangjitur për shkak të interesave që i kemi të ndryshme me SBASHK-un me të FSHSK-së, këtu ka qenë problemi”, tha mes tjerash Imeri.

    Duke folur për grevën kryesindikalistja u shpreh se “nuk mundem kush e lëshon muzikën me u fut në valle”, sipas saj është pa kuptimët që punëtorët shëndetësorë të dalin në rrugë për 40 euro.

    “Ndërkohë BSPK veç e ka pasur të përgatit grevën, i kanë pasur kërkesat unë nuk mundem kush po e lëshon muzikën me i hi në valle me vallëzu, punëtorët shëndetësor nuk i fus në grevë lidhje e palidhje sepse ne kur e kemi kalkuluar ka dalë që për 40 euro me i nxjerr punëtorët shëndetësorë në grevë, a ka kuptim kjo”, tha për Insajderin Imeri.

    Kryetarja e Sindikatës së Mjekëve në Kosovë e ka akuzuar Selmanin për keqpërdorim të shoqatës teksa është shprehur e bindur se do të punojë sipas saj për t’ia përmirësuar imazhin Sindikatës.

    “Shoqata Sindikale e QKUK-së në kohë të pandemisë ka dërguar 600 punëtorët shëndetësorë ndërsa i ka 1600- 700 anëtarë shoqata, dhe bën tendere 80 mijë euro, i dërgon 12 autobusë e lenë shërbimin keq, i ngarkon kolegët e vet të cilët shkojnë, në vend se me punu tre infermierë punon një që kam pasur ankesa të vazhdueshme”, ka akuzuar Imeri, Selmanin.

    “Ata sindikatën janë duke e parë më shumë si tallava dhe për ekskursione, unë e kam fituar votën dhe në asnjë  mënyrë nuk ka me shku kështu. Të hyrat do t’i shfrytëzojmë veç për aktivitet sindikal e jo për tallava e ekskursion, kemi me u marrë ekskluzivisht me drejtën e punëtorit, thjeshtë jam duke dashtë me ia ndryshu imazhin federatës jo me shku qysh ka shkuar në të kaluarën”, ka thënë ajo.

    Një ditë pas grevës, Shoqata Sindikale e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka dalë në mbështetje të grevës së përgjithshme të punëtorëve.

    Shoqata përmes një njoftimit për media të premten, ka thënë se kërkesat e tyre për rritjen e mirëqenies së punonjësve shëndetësor, janë injoruar nga qeveria aktuale.

    “Duke pasur parasysh parimin bazë të sindikalizmit – solidaritetin, ne anëtarët e shoqatës sindikale të QKUK, i përkrahim kërkesat e SBASHK-ut dhe administrates publike. Kërkesat tona për rritjen e mirëqenies së punonjësve shëndetësor dhe ngritjen e cilësisë së shërbimit, në vazhdimësi janë injoruar por kapakun ia ka vu kjo qeveri e cila me paturpësinë më të madhe deklarohet me orientime – Socialdemokrate, ndërsa veprimet e ndërmarrura e rangojnë në qeveri autokratike dhe ekstremisht djathtiste, këtë e dëshmon veprimi ndëshkues i ndërmarrur dje, karshi punonjësve grevist, në vend që të ulet në dialog social për të zgjedhur hallet dhe problemet e shumta të të klasës punëtore, halle këto të cilat janë rritur shumë nga inflacioni gallopant”, thuhet në njoftim.

    “Sa i përket deklarimit të djeshëm të FSSHK e cila është prononcuar kundër solidarizimit me grevën e kolegëve të SBASHK-ut dhe administratës publike, kjo udhëheqje e kundërligjshme, e dalur nga procesi i manipuluar zgjedhor, e ndihmuar nga këta pushtetarë dhe segmente të caktuara të partisë më të madhe opozitare – janë në borxhe politike, andaj nuk mund ta ngrisin kokën dhe ti mbrojnë interesat e klasës punëtore të RKS e besa as të punonjësve shëndetësor”, vijon reagimi.

    Sindikata po ashtu ka fajësuar politikbërjen për gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia.

    Kujtojmë se dje zëvendëssekretari i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu kërkoi dje nga BSPK listën e shërbyeseve civilë që kanë shkuar në grevë, në mënyrë që të ju ndalohet paga. Ky veprim i qeverisë ka nxitur reagime të shumta në favor të sindikatave.

    Në anën tjetër kryeministri i vendit, Albin Kurti ende nuk ka thënë asnjë fjalë për krejt këto zhvillime.

    Pavarësisht këtyre, greva po vazhdon edhe sot.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark