×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Grezda e pranon: Jam ndarë me Oriolën, nuk dua të them asgjë më

    Insajderi
    26 August 2021 - 10:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Eros Grezda po rikthehet. Mesfushori i Kombëtares, i transferuar në Hungari në formën e huazimit te Zalaegerszeg, gjeti rrugën e rrjetës që në ndeshjen e dytë teksa debutimi i tij ishte “furtunë”. Mesfushori anësor, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” tregon rikthimin në fushat e lojës pas një periudhe të gjatë, vështirësitë që po has, paktin me trajnerin dhe stafin në Hungari. Ndër të tjera, 26-vjeçari tregon edhe për padinë ndaj Rejnxhërsit, ndërsa komenton për herë të parë edhe çështjen e lidhjes me modelen, Oriola Marashi, dhe raportin aktual mes dy të rinjve, shumë të përfolur së fundmi në botën e mediave rozë.

    Eros Grezda feston golin e parë me skuadrën hungareze Zalaegerszeg

    Grezda, si ka qenë starti i sezonit për ju në Hungari pas një mungese të gjatë në fushat e lojës?

    Kjo aventurë ka nisur mjaft mirë për mua. Kam zhvilluar dy ndeshje. Duke ditur formën time jo të mirë fizike, jam aktivizuar si zëvendësues. Megjithatë, është një fillim shumë, shumë i mirë dhe unë jam shumë i kënaqur, pasi më kanë mirëpritur të gjithë në skuadër. Jam shumë i lumtur që jam në këtë skuadër.

    Si ka qenë rikthimi për ju?

    Pas një viti, ndoshta edhe më shumë, pushim, nuk është aspak e lehtë që të rikthehesh në formën e mëparshme apo në nivelin që unë kërkoj nga vetja. Kam folur me të gjithë stafin, trajnerin, stafin mjekësor dhe gjithkënd në skuadër që të mund të rikthehem duke marrë minuta në mënyrë graduale. Pra, nuk jam ende gati për të startuar titullar apo për të përballuar 90 minuta. Për këtë po bëj një punë të madhe me ndihmën e stafit të ekipit, teksa krahas stërvitjeve me grupin, po punoj edhe mbi një plan individual rikuperimi. Këto minuta që marr në çdo ndeshje, do të më ndihmojnë që të mund të arrij edhe gjendjen time më të mirë në një kohë më të shpejtë.

    Patët një debutim furtunë. Koha jashtëzakonisht e keqe bëri që të ndërpritet ndeshja. Çfarë menduat?

    Unë nuk kisha parë kushte më të vështira atmosferike në një ndeshje futbolli. Sapo jam futur në lojë, që në sekondat e para, nisi një shi i rrëmbyer. Në atë moment s’dija ç’të mendoja se çfarë mund të jetë. Ama, miqtë dhe të afërmit më kanë thënë që shiu është gjë e mirë. Tani të shpresojmë të jetë kështu, bereqet siç thuhet në gjuhen popullore (qesh…).

    Si është e vërteta me modelen Oriola Marashi, pas lajmeve të publikuara në rrjet për një ndarje mes jush?

    Po, është folur shumë rreth kësaj çështjeje. Shpresoj që të jetë hera e fundit që unë flas për lidhjen time. Për Oriolën kam shumë respekt dhe gjithashtu për familjen e saj. Po, është e vërtetë që ne jemi ndarë dhe nëse ndonjëherë do të jemi bashkë, kjo do të jetë vetëm si shokë.

    Cili ka qenë shkaku i ndarjes?

    Secili ka ëndrrat dhe punët e veta. Kaq dhe nuk dua të them më asgjë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark