Kampionia e Kosovës, Hajvalia është eliminuar nga Liga e Kampionëve për futbolliste. Hajvalia, të mërkurën u eliminua nga raundi i parë kualifikues, pasi humbi në gjysmëfinalen e grupeve.
U mposht me rezultatin 4:2 nga kampionia e Shqipërisë, Vllaznia në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Kjo përballje i takoi grupit të 7-të të raundit të parë kualifikues. Gresa Berisha (16’, 92’), Lucie Gjini (44’) dhe Maria Bashka (60’) shënuan për fitoren e Vllaznisë.
Ndërkohë, golat për Hajvalinë, i realizuan Lumbardha Misini (34’) dhe Bardha Mahmuti (68’). Pas kësaj humbjeje, Hajvalia do të luajë ndeshjen për vendin e tretë, ku do të përballet me ekipin nga Turqia, Fomget Gençlik.
Ekipi turk u mposht në gjysmëfinale nga Valuri i Islandës 2:1. Valuri i Islandës do të luaj për vendin e parë me Vllazninë dhe ekipi që fiton, do të avancojë në raundin e dytë kualifikues të Championsit. Për Hajvalinë, kjo është hera e dytë rresht që merr pjesë në Champions dhe eliminohet në ndeshjen e parë. /Koha/