Hakerët kanë vjedhur kriptomonedha në vlerë prej 433 milionë euro në njërën nga këmbimoret më të mëdha digjitale në Japoni.
Coincheck, me bazë në Tokio, tha se 523 milionë monedha NEM të këmbimores u dërguan në një llogari tjetër rreth orës 3 të mëngjesit të së premtes.
Këmbimorja ka suspenduar depozitat dhe tërheqjet për të gjitha kriptomonedhat përveç Bitcoin, transmeton Gazeta Express.
Asetet e vjedhura raportohet se janë mbajtur në një “kuletë të nxehtë”, një hapësirë digjitale e lidhur në internet, ndryshe nga një “kuletë e ftohtë”, aty ku asetet mbahen offline.
Coincheck thotë se e ka adresën digjitale në të cilën u dërguan kriptomonedhat e vjedhura dhe është duke shkuar nëse është e mundur që t’i rikthejë asetet.
Një përfaqësues i këmbimores që nuk iu bë i ditur emri tha se Coincheck mund të mos jetë në gjendje t’i rimbursojë humbjet, tha agjencia japoneze e lajmeve Kyodo.
Kompania po ekzaminon se sa klientë janë prekur nga kjo vjedhje. Transmetuesi japonez NHK tha se Coincheck e ka raportuar incidentin në polici dhe në Agjencinë e Shërbimit Financiar të Japonisë.
Coincheck, që ka zyrat kryesore në Shibuya, u themelua më 2012 nga Yusuke Otsuka dhe Koichiro Vada.
Incidenti besohet se është vjedhja më e madhe e kriptovalutave në botë. Një tjetër këmbimore, MtGox, u rrënua më 2014 pas një vjedhjeje prej 470 milionë euro.