×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Hakmarrje politike apo mbrojtje e ambientit – historia e inceneratorit të pezulluar në Ferizaj

    Insajderi
    01 August 2023 - 15:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    A ishte hakmarrje politike, apo vërtetë vendim për ta mbrojtur ambientin? Pronari i kompanisë që Ministria e Liburn Aliut ia mori licencën për incenerator në Ferizaj ka folur për Insajderin duke pretenduar që ishte një hakmarrje. Ministri Aliu në konferencë për media e thotë të kundërtën. Por, përplasja e partisë Vetëvendosje me biznesmenin Bekim Zejnullahu është një histori që lë për të dyshuar në vendim.

    Gazeta Insajderi

    Në shkurt të këtij viti, biznesmeni Bekim Zejnullahu nga Podujeva kishte takuar Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun.

    “Investimet në fushën e riciklimit të mbeturinave, janë fokus i kompanisë “Indaver” nga Belgjika dhe “Doosan GMBH” nga Gjermania, bashkë me pronarin e Erdi Rproduct L.L.C, Bekim Zejnullahu, të cilët takova sot, për t’i ofruar mbështetjen tonë dhe gjithë lehtësirat për të zhvilluar këtë investim në Komunën e Ferizajt”, kishte shkruar në profilin e tij Aliu i PDK-së.

    Të hënën, një tjetër politikan me mbiemër të njëjtë, Liburn Aliu i Vetëvendosjes në një konferencë për media tha që licenca për këtë investim për riciklim mbeturinash- incenerator, është pezulluar.

    Ai dha arsyet që sipas tij ishin rrezikimi i ambientit. Tha se u kapën edhe në befasi.

    “Në maj befas na vjen një kompani dhe thotë kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave dhe po ashtu kemi marrë leje ndërtimore në Komunën e Ferizajt për të ndërtuar një gjenerator. Kam kuptuar që në dhjetorin e vitit që shkoi ka pasur të lëshuar pëlqim mjedisor për incinirator në Varosh të Ferizajt, që nënkupton djegien e rreth 100 mijë ton mbeturinave në vit”, ka deklaruar ministri Aliu i Vetëvendosjes para gazetarëve.

    Insajderi ka zbuluar se kompania që i është pezulluar kjo licencë është “Erdi R. Product”.

    Historia që kjo kompani ka me partinë Vetëvendosje nuk është aspak befasi. Madje nuk është as e panjohur për publikun. Janë disa miliona euro në pyetje, në një investim të dështuar në Podujevë, dhe përplasja që biznesmeni Zejnullahu pati me Kryetarin e kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

    Pati mes tyre përplasje, ofendime e kërcënime publik.

    Por, për vendimin e bërë publik të hënën, që Ministri Aliu e arsyetoi me mbrojtje të ambientit, me çka kompanisë së Bekim Zejnullahut iu mor licenca për incenerator në Ferizaj, Insajderi ka folur me këtë të fundit.

    “Ne jemi gjithçka në rregull, jemi të pajisur me leje në mënyrë ligjore e këta që kanë pretendime e inate politike që kanë ardhë në qytet parti tjetër që është PDK-ja, qetu janë inatet politike dhe shantazhi”. I ka thënë Gazetës Insajdri biznesmeni Zejnulahu.

    Ai ka paralajmëruar që juristët e kompanisë do të dalin edhe me një qëndrim zyrtar mbi vendimin e Ministrisë së Mjedisit për pezullimin e lejes mjedisore për ndërtimin e inceneratorit në Ferizaj.

    Historia e përplasjeve të Zejnullahut me Vetëvendosjen

    Sic raportoi Gazeta Insajderi në gusht të vitit të kaluar, Urim Zejnullahu, vëllau i biznesmenit Bekim Zejnullahut, i cili synonte një investim prej 55 milionë euro në Komunën e Podujevës, projekt ky që kishte hasur në pengesa të mëdha nga pushteti në Podujevë, kishte kërcënuar kryetarin aktual, Shpejtim Bulliqi. Kërcënimi ishte bërë publikisht në Facebook,

    Në njoftimin për shkarkimin që kishte bërë ish-drejtori i Inspeksionit në Podujevë, Besnik Maliqi, kishte komentuar edhe Urim Zejnullahu. Ai paralajmëronte se “ka me ia kallëzu vendin” Bulliqit.

    “I nderuar teper ke ardhur deri ketu me at far qeni ati veq bishti i falit veq kome ardh dita edhe per Bulliqin Ku kom mja kallcue venin edhe ajo shum shpejt..”

    “Respekt i nderuar se koft kismet kemi met ul ne Kartrik te kryetarit! Se ati veq bishti i falit veq kome tja kput at bisht shum shpejt ati far llopuzhe!”, pati komentuar Urim Zejnullahu.

    Investimi 55 milionësh të cilin Shpejtim Bulliqi i VV-së e godet me “bisht sakice”

    Gazeta Insajderi, kishte publikuar hulumtimin e gjatë për projektin 55 milionësh që synohej të bëhej në Komunën e Podujevës, përmes së cilit parashikohej të punësoheshin 300 punëtor.

    Kompania gjermane “Soilcos” në bashkëpunim me kompaninë “Erdi R Products”, bënin planin të nisin punimet për ndërtimin e një fabrike për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtërishme në Komunën e Podujevës.

    Ky projekt 55 milionësh, parashehte punësimin e mbi 300 punëtorëve.

    Mirëpo kërkesa e tyre për ndërtimin e fabrikës në fshatin Mirovc të Podujevës po refuzoheshin në vazhdimësi nga komuna e Podujevës.

    Kompania gjermane fillimisht kishte aplikuar për leje ndërtimore në nëntor të vitit 2020.

    Pavarësisht se aplikimi përmbante të gjitha dokumentet e kërkuara, për tre muaj rresht Komuna e Podujevës nuk dha asnjë përgjigje dhe në fund Shpejtim Bulliqi njoftoi se kërkohej një aplikim i ri, pasi të parit i kishte përfunduar afati për përgjigje.

    Në një takim të mbajtur në muajin mars të vitit 2021, mes kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me anëtarët e ekzekutivit Bujar Hasani, Fevzi Jetullahu dhe Ajet Potera dhe pronarit të kompanisë “Soilcos” nga Gjermania, Jurgen Stainmuler, Komuna e Podujevës kishte shprehur gatishmërinë e plotë në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore.

    “Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me anëtarët e ekzekutivit Bujar Hasani, Fevzi Jetullahu dhe Ajet Potera, priti në takim pronarin e kompanisë “Soilcos” nga Gjermania Jurgen Stainmuler dhe përfaqësuesin e kësaj kompanie në Kosovë, Bekim Zejnullahu dhe Rejona Zejnullahu – drejtoreshë e Kompanisë “Erdi R Products. Gjatë takimit të sotëm me kryetarin Bulliqi, pronari i kompanisë gjermane, Jurgen Stainmuler, gjerman shprehu gatishmërinë të investojë në komunën tonë dhe ofroi projektin për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.

    Kryetari Bulliqi dhe investitori gjerman u pajtuan që menjëherë të fillohet me procedurat për realizimin e projektit” – thuhej në njoftimin e Komunës së Podujevës për takimin e 4 marsit.

    Dy muaj pas këtij takimi ku u premtua përkrahje për këtë projekt, Komuna e Podujevës refuzoi aplikimin e dytë të investitorëve gjerman, teksa kryetari Shpejtim Bulliqi e fshiu postimin e takimit të marsit në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

    55 milionë euro, ‘befasia’ e Liburn Aliut e përfshirja e Albin Kurtit

    Megjithatë, njoftimi për takimin e 4 marsit 2022 dhe premtimi për përkrahje institucionale nga Shpejtimi Bulliqi dhe drejtori Bujar Hasani ende figuron në faqen zyrtare të Komunës.

    Pas refuzimit të projektit nga ana e Komunës së Podujevës, përkundër premtimit për përkrahje, investitori gjerman, mbajti një takim me anëtarë të Qeverisë Kurti. Në takimin e mbajtur mes Rozeta Hajdarin dhe Librun Aliun me biznesmenin gjerman Siengried Hohmann, u premtua se projekti do të vazhdoi përpara dhe se do të ketë mbështetjen nga niveli qendror.

    Por, të hënën Ministri Aliu foli si i befasuar. Por, pranoi që sipas tij, ky skandal ka ndodur sa ai ishte Ministër.

     “Është projekt i madh dhe normalisht ka interesa, kush e ka dhënë pëlqimin nuk e dimë me emra. Si është bërë dhënia e lejes, pra këto shkelje më kanë interesuar mua. Kur ka ndodh kjo, pra ka ndodh në kohën sa unë kam qenë ministër dhe unë po dal po e denoncoj. Me emra, nuk e di kush e ka nënshkruar, nuk e di as kush e ka dhënë emrat nga autoritetet komunale”, tha Ministri Aliu më 1 gusht 2023.

    Projekti për të cilin Bekim Zejnullahu me partnerë ndërkombëtarë deshi të investonte në Ferizaj, kishte dështuar vite më parë në Ferizaj, siç kishte zbuluar kohë më parë Insajderi.

    Por, për këtë nismë që ka të bëjë me krijimin e një biznesi për riciklim mbeturinash, derisa ai mendohej që të bëhej në Podujevë, kishte qenë në dijeni edhe Kryeministri Albin Kurti.

    Përveç takimit, ekziston edhe një letër e invesitorit gjerman drejtuar kryeministrit Albin Kurtit, ku thuhet se në takimin e përfaqësuesit të kompanisë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ky i fundit kishte premtuar se aplikimi do të shqyrtohet në kohë. Në letër thuhej se kompania nuk kishte vendosur që të ngrisë padi përkundër këshillës së avokatëve.

    Hohmann në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, gjithashtu thuhet se projekti në vlerën 55 milionë euro ishte 100% privat, dhe përdor teknologjinë më të avancuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

    Përveç investimit në fabrikën e ricklimit të mbeturinave, Hohmann thoshte se ishin duke punuar me pordhuesin gjerman Leoni, për ndërtimin e një fabrike në Kosovë, e cila do të bënte prodhimin e seteve të kabllove për industrinë e automjeteve.

    Me 16 korrik 2021, Ministria e Infrastrukturës pati aprovuar ankesën e Bekim Zejnullahut, si përfaqësues i investimit gjerman për anulimin e vendimit të Komunës së Podujevës, duke e detyruar Drejtorin e Planifikimit Urban të Podujevës të nxjerrë akt administrativ të ri.

    Përkundër vendimit nga Ministria e Infrastrukturës, drejtoria e Planifikimit Urban të Podujevës në krye me Bujar Hasanin, pati nxjerr një vendim të dytë refuzuese për dhënien e kushteve ndërtimore për ndërtimin e fabrikës për përpunimin termik të mbeturinave me arsyetimin se sipas Planit Zhvillimor Komunal nuk lejohet ndërtimi.

    “Bujar Hasani (drejtori i Planifikimit Urban në Podujevë) e refuzon projektin. Ai përqesh vendimin e Ministrisë, thotë se është bërë nga fëmijët dhe për mua është vendim i papranueshëm. Ai ka thënë që shkoni tek kryeministri Kurti dhe ministri Aliu, ata të japin vendimin unë jo. Nuk i intereson, veç thotë nuk ta jap e nuk ta jap” – shprehej në atë kohë Bekim Zejnullahu në një intervistë për Gazetën Insajderi.

    Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, kryeministri Kurti kishte deklaruar se në qeverisjen e tij do të bëhet rritja e investimeve të huaja, teksa pati përmendur rastet e tërheqjes së investitorëve të huaj nga Kosova, e cila sipas tij ishte shumë shqetësuese.

    “Do të na vijnë edhe investime të mërgatës tonë dhe të huaja. E dimë që kanë provuar të tjerët të vinë, por nuk kanë gjetur mirëkuptim në Kosovë. Ju e dini që edhe Mercedesi është tërhequr nga Kosova” – ishte shprehur Kurti në shtator të vitit 2019.

    Prishja e investimit në fushën e grumbullimit të mbeturinave në Podujevë, e që si projekt kaloi në Ferizaj e pati bërë biznesmenin Bekim Zejnullahu që të paralajmëronte edhe padi me dëme milionëshe kundrejt Kosovës.

    “Projekti është prolonguar tepër shumë. Partneri gjerman po e sheh që ka shumë vonesa, është përgatitur me juristët e vetë për të ngritur padi ndaj Qeverisë së Kosovës, duke qenë se kishte shumë besimin në Qeverinë Kurti. Invesitor gjerman tashmë ka porositur makinat për riciklim dhe kërkon 15 milionë euro rikompensim të dëmeve. E lus Qeverinë e Kosovës të merr masa, të na jap lejen në mënyrën më të shpejtë të mundshme që të mos e humbasim projektin që të mos vjen tek ajo që Qeveria e Kosovës të paguajë dëmet” –  pati deklaruar  Zejnullahu për Gazetën Insajderi.

    “Kryeministri Kurti thotë në Slloveni se i kam siguruar investitorët, por investitorët nuk kanë sigurim. Që 11 muaj ne presim për të filluar ndërtimin e fabrikës. Ne presim dritën e gjelbër nga kryeministri Kurti për ta zbatuar vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për të filluar punën” – kishte thënë Zejnullahu.

    /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark