×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Hapja e Urës së Ibrit, në dorën e ministrisë së Sveçlës dhe Krasniqit

    Insajderi
    01 May 2023 - 13:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë është temë diskutimi tash e disa vite. Kjo çështje ishte inicuar shumë herë nga qeverisje të ndryshme komunale. Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ishte njëri ndër më të zëshmit. Bahtiri dha premtime të mëdha për bashkimin e qytetit. Hapja e urës së Ibrit dhe Shakira mbetën vetëm një ëndrra të parealizuara. Aktualisht vendimi për hapjen e Urës së Ibrit ka kaluar në dorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

    Emir Azemi, ish-asamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, ka thënë se në bazë të informacioneve që posedon, vendimi për hapjen e Urës së Ibrit iu është dorëzuar dy institucioneve qëndrore – Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

    Azemi, në një prononcim për Gazetën Insajderi, e ka quajtur të ligjshëm vendimin, meqë, sipas tij, është votuar nga Kuvendi Komunal dhe nuk ka parë arsye për shtyrjen e tij.

    Ish-përfaqësuesi i PDK-së në komunën veriore të Mitrovicës ka bërë të ditur se çështja e hapjes së Urës së Ibrit është diskutuar edhe më 2016.

    “Sa i përket ligjshmërisë së vendimit, mendoj se vendimi është i ligjshëm sepse e ka marrë organi më i lartë në nivel komune siç është Kuvendi. Në aspektin ligjor, jemi okej, nuk ka kurrëfarë problemi. Pra, e kanë votu 13, që i bie 2/3-at. Ky vendim i është dërguar me siguri organeve kompetente, sa kam informacione i është dërgu Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe MAPL-së. Po besoj që ky vendim, për nga aspekti ligjor, është tërësisht i rregullt”, deklaroi ndër të tjera ai.

    Ai për Insajderin ka bërë të ditur se së shpejti në Kuvendin Komunal do të iniciohet edhe rindërtimi i xhamisë në pjesën veriore të Mitrovicës.

    Për këto çështje, mediumi ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Artiq dhe kryetarin e Kuvendit Komunal të kësaj komune, Nexhat Ugljanin, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

    Vendimi është komentuar edhe nga faktorët ndërkombëtarë. Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka vlerësuar se nuk është koha e duhur për hapjen e Urës së Ibrit.

    “Ne ende po na u duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak, teksa tha se të dyja palët duhet të respektojnë vijat e kuqe të njëra-tjetrës”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

    Misioni i KFOR-it, në anën tjetër, ka thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut.

    “Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR-i. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark