×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Haradinaj i bën thirrje NATO-s për heqjen e barrikadave në veri

    Insajderi
    21 December 2022 - 14:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar përsëri për situatën e krijuar në veri të vendit.

    Ai shkroi se serbët lokalë dhe udhëheqësit e tyre politikë, duhet ta kuptojnë se barrikadat më së shumti u shkaktojnë dëm atyre.

    Nuk ka një rast tjetër, sipas tij, në Evropë, ku pengohet lëvizja e njerëzve pos në veri të Kosovës.

    Hradinaj ka bërë thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFOR-it, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave.

    Tutje, ai theksoi se Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara.

    Postimi i plotë:

    T’i kalojmë festat e fundvitit në qetësinë familjare e jo në barrikada

    Serbët lokalë dhe udhëheqësit e tyre politikë, duhet ta kuptojnë se barrikadat më së shumti po u shkaktojnë dëm atyre. Nuk ka një tjetër rast në kontinentin evropian, (përjashto agresionin rus në Ukrainë), ku pengohet lëvizja e njerëzve, pos në veri të Kosovës.

    Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara.

    Institucionet qendrore kanë hapur të gjitha dyert për integrimin e qytetarëve serbë, duke garantuar sigurinë për ta, duke marrë përsipër obligime të mëdha financiare, duke garantuar përfaqësimin e tyre politik madje edhe duke u dhënë të drejtën e vetos për plot çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre, kjo qoftë edhe duke e diskriminuar popullatën shumicë.

    Nuk besoj se ka një rast tjetër ku qytetarët e një shteti për më shumë se 20 vjet nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar, por këtë e bën shteti në emër të tyre, siç është rasti i Kosovës.

    Prandaj, serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun.

    I ftoj përfaqësuesit politikë serbë, intelektualët e gjithë njerëzit e arsyeshëm, kudo ku janë, në Kosovë apo në Serbi, që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave.

    Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFORIT, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë.

    T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin.

    Miqësisht Ramush Haradinaj

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark