Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim grupin parlamentar CSU të Landit të Bavarisë, i kryesuar nga Thomas Kreutzer. Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e shumta ekonomike që ofron Kosova, për investimet direkte gjermane.
Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka thënë se rrugëtimi ekonomik i Landit të Bavarisë, duke qenë motor i rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të punës, është shembull i mirë që Kosova duhet ndjekur.
“Delegacioni më i madh gjerman që deri tani ka vizituar vendin, sot dha konfirmimin për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Gjermanisë.
I lumtur të pres grupin parlamentar CSU të Landit të Bavarisë, i kryesuar nga Thomas Kreutzer, me të cilët diskutuam për mundësitë e shumta ekonomike që ofron Kosova, për investimet direkte gjermane. Shpalosa para parlamentarëve gjerman planet konkrete të qeverisë për zhvillim ekonomik, rritjen e investimeve direkte dhe shpreha gatishmërinë tonë që në këtë drejtim të krijojmë partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj, gjithashtu ka falenderuar parlamentarët gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovë.
“Rrugëtimi ekonomik i Landit të Bavarisë, duke qenë motor i rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të punës, është shembull i mirë që Kosova duhet ndjekur, duke zbatuar në praktikë politikat për arsimin dual, mbrojtjen dhe mbështetjen e investimeve.
I falënderova parlamentarët gjerman, për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, konfirmimin për këtë proces nga Ministri i Brendshëm Seehofer, i cili vie po nga Bavaria, duke u zotuar se lëvizja e lirë e qytetarëve tanë, do t’i shërbej frymës së këtij bashkëpunimi ekonomik dhe fuqizimit të partneritetit Kosovë – Gjermani”, ka përfunduar Haradinaj.