×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Haskuka kërkon votën duke lënë pas këto afera

    Insajderi
    11 November 2021 - 16:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Insajderi

    Mytaher Haskuka, i përcjellur nga një sërë shkeljesh dhe aferash gjatë udhëheqjes së tij, kërkon sërish besimin e qytetarëve të Prizrenit për t’u rikonfirmuar kryetar i komunës në zgjedhjet e balotazhit, shkruan Insajderi.

    Ndër shkeljet më të theksuara që karakterizuan qeverisjen e tij dhe të cilat u evidentuan edhe nga Zyra e Kombëtare e Auditimit kanë të bëjnë kryesisht me parregullsitë financiare, mostransparencën dhe punësimet e dyshimta.

    Fshirja e paarsyetuar e borxheve, lënia në shfrytëzim e pronës komunale pa tarifuar shfrytëzuesit, realizimi jotransparent i projekteve, zotimi i mjeteve pas faturimit, subvencionimi i OJQ-ve pa përmbushur kriteret e përcaktuara, mos harmonizimi i pagave, mangësitë në rekrutimin e stafit – janë vetëm disa nga shkeljet e identifikuara, për të cilat Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Komuna e udhëhequr nga Haskuka.

    Përkundër insistimit, nuk është pranuar asnjë përgjigje, për të parë nëse janë përfillur rekomandimet e ZKA-së dhe nëse janë ndërmarrë masa për eliminimin e parregullsive të gjetura.

    Fshirja e paarsyetuar e borxheve

    Shkelja e parë e gjetur nga Auditori ka të bëjë me fshirjen e borxheve të mbeturinave për 2 mijë e 397 amvisëri. Borxhe të cilat buxhetit të komunës i kushtuan plot 364 mijë e 284 euro.

    Borxhet ishin fshirë nën pretekstin e gabimit në faturim të dyfishtë, mirëpo Komuna nuk ka arritur ta faktojë një gabim të tillë me dëshmi përkatëse dhe nuk ka regjistruar ndonjë ankesë nga qytetarët. Po ashtu, nuk ka respektuar procedurat e fshirjes së borxhit, që sipas Auditorit është dashur të konstatohet nga një Komision i veçantë. Auditori vlerëson se kjo e gjetur krijon hapësirë dyshimi për keqpërdorim dhe trajtim të pabarabartë të qytetarëve.

    Kryetarit i është rekomanduar të formojë një komision profesional, i cili do të verifikojë faturat e anuluara për t’u siguruar se këto fatura vërtet kanë qenë gabim bazuar në gjendjen faktike. Po ashtu, ka rekomanduar që të sigurojë se ankesat pranohen përmes zyrës së protokollit dhe se shqyrtimi i tyre do të bëhet nga komisioni përkatës.

    Shfrytëzim i parregullt i pronave komunale

    Auditori përmend dy tregjet “B. Curri” dhe “Qylhani” , të cilat sipas ZKA-së që nga viti 2013 janë shfrytëzuar pa kontrata dhe Komuna nuk ka ndërmarr asnjë hap për lirimin e këtyre pronave. Këto veprime të komunës shkaktojnë humbje të konsiderueshme financiare.

    “…Shkak për këtë është mos implementimi me kohë i kushteve të kontratës me shfrytëzuesit e hapësirave dhe mos ndërmarrja e masave të nevojshme nga ana e komunës”, thuhet në raport.

    Veç tjerash është gjetur se tetë parti politike shfrytëzonin prona komunale për nevoja partiake nga viti 2016 dhe paguanin 1 euro në muaj kompensim.

    Pas përfundimit të auditimit për vitin 2020 komuna me vendim të Kryetarit ka larguar nga pronat komunale të gjitha partitë politike. Por nuk veprojë njësojë me dy tregjet e sipërpërmendura.
    ZKA ka rekomanduar kryetarin të sigurojë marrjen e masave për largimin e shfrytëzueseve ilegal nga pronat publike, arkëtimin e borxheve dhe më pastaj dhënia e pronës publike me qira të realizohet sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale.

    Mungesa e transparencës në realizimin e projekteve

    Një tjetër vërejtje e Auditorit është se Komuna ka realizuar projektin “Rregullimin e shtigjeve për biçikletë Downhill” pa hartuar paraprakisht projektin ekzektuiv.

    Projekti që i kushtoi Komunës 8,830 euro u kontraktua pa hartimin e projektit ekzekutiv, por vetëm me inicim të procedurave të prokurimit. Ishte rekomanduar që hartimi i projekteve ekzekutive të realizohet në pajtim me kërkesat ligjore dhe vetëm pastaj të iniciohen procedurat e prokurimit.

    Po ashtu, nën udhëheqjen e Kryetarit Haskuka, Komuna, vit pas viti, kishte nënshkruar kontrata para zotimit të mjeteve, që është në kundërshtim me rregullën financiare ku; asnjë kontratë nuk duhet të nënshkruhet pa zotimin paraprak të mjeteve.

    Vlera e faturave të pranuara pa zotimin paraprak të mjeteve është 529,391 euro.

    Auditori kishte rekomanduar që të eliminohet kjo praktikë e nënshkrimit të kontratave para zotimit të mjeteve.

    Mos harmonizimi i pagave

    Një shkelje tjetër ka të bëjë me mos hamonizimin ndërmjet akt-emërimit dhe koeficientëve për kompensimin e pagave.
    Auditori ka vërejtur katër raste të tilla.

    Zyrtari për buxhet dhe financa në drejtorin e arsimit sipas akt emërimit kishte koeficientin 6, ndërsa në listën e pagave paguhet si zyrtar i lartë për buxhet dhe financa me koeficient 8.
    Në drejtorin e kadastrit tre (3) zyrtar sipas akt emërimit kishin pozitën gjeometër me koeficient 5, ndërsa në listën e pagave figuronin si gjeodet dhe paguhet me koeficientin 7.

    Ndërkohë, ZKA i kishte tërhequr vërejtjen Kryetarit që të gjithë të punësuarit të paguhen në bazë të pozitave zyrtare dhe të sigurojë harmonizimin e akt emërimeve me listën e pagave për të gjithë të punësuarit.

    Punësimet e dyshimta

    Ndërsa, në procesin e rekrutimit të stafit, Komuna kishte anashkaluar procedurat e konkursit publik. Procedura kërkon që për secilën pozitë konkurruese duhet të aplikojnë së paku tre kandidatë.

    Në dy raste, në Drejtorinë e Arsimit për mësimdhënëse të pianos dhe të harmonikës, në shkollën “Lorenc Antoni”, përkundër faktit se kishin aplikuar vetëm nga një kandidat për pozitat e caktuara, konkursi ishte shpallur i vlefshëm.
    Auditori kishte kërkuar nga Kryetari të sigurojë se zhvillimi i procedurave të rekrutimit të bëhet në pajtim të plotë me kërkesat ligjore dhe, në rast të mungesës së tre kandidatëve të përgjegjshëm, të rishpallet konkursi.

    Subvencionim i dyshimtë i dy Organizatave jo-qeveritare:

    Komuna e Prizrenit kishte subvencionuar dy OJQ në vlerë prej 142.000 euro, të cilat kishin obligime të pashlyera ndaj ATK-së. Kriteret e vendosura në thirrjen publike përcaktojnë qartë kushtet që duhet përmbushur aplikuesi i përfitimit dhe njëra nga to është dëshmia që nuk ka obligime ndaj ATK-së.

    Kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit jo të mirë të kontrolleve të brendshme, ka konstatuar auditori.
    Sipas auditorit, përzgjedhja e përfitueseve pa i plotësuar kriteret e vendosura në shpalljen publike ka reflektuar në trajtim jo të barabartë të aplikuesve dhe se, komuna rrezikon financimin e përfituesve të papërgjegjshëm, përmes fondeve publike.

    Haskukës i është rekomanduar që të sigurojë transparencë në shpërndarjen e fondeve dhe aplikimet të shqyrtohen nga Komisioni Vlerësues i përbërë nga anëtarë që kanë përvojë dhe integritet, me mandat për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikacioneve, në të kundërtën duhet të zbatohet parimi i llogaridhënies për shfrytëzimin e këtyre fondeve.

    Nga 23 rekomandimet e vitit 2019, Komuna e Prizrenit e udhëhequr nga kryetari Mytaher Haskuka ka adresuar vetëm 11 prej tyre./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark