Gazeta Insajderi ka siguruar një seri dokumentesh që Ministria e Mbrojtjes ka arkivuar ndër vite për tenderin e ushqimit të ushtrisë që e mbajti deri tash firma e multimilionerit Ragip Mustafa. Helmime të ushtarëve. Cilësi e dobët e ushqimit. Vërejtje që nuk përmirësoheshin. Shfrytëzim i ujit, rrymës, gazit e naftës së FSK-së edhe pse paguhej me kontratë. Janë këto vetëm disa prej gjetjeve, e të cilat deri tash nuk ka pranuar që ti komentoi firma e kontaktuar nga Insajderi
Visar Duriqi
Më 2 gusht të këtij viti Komanda e Forcave Tokësore të Ushtrisë së Kosovës dërgoi në Ministrinë e Mbrojtjes një dokument që deri tash nuk e ka parë publiku. Gazeta Insajderi ka bërë kërkesë dhe Ligji obligoi Ministrinë që të ia jap një kopje të tij, dhe shumë dokumenteve të tjera.
“…prezencë e virusit “Staphylococcus Aureus” në duart e punonjësit që përgatitë dhe shpërndan ushqim, si dhe virusit “Escherichia coli” në enën e ushqimit”, kjo ishte gjendja që ishte alarmuar te Ministri Ejup Maqedonci për kontratën që deri pak ditë më parë e mbatje “Beni-Dona: e multimilionerit Ragip Mustafa.
“Staphylococcus Aureus” sipas të dhënave publike shkakton infeksione të lëkurës dhe të indeve të buta dhe celulit. Edhe pse shumica e infeksioneve nuk janë serioze, megjithatë me raste ky virus mund të shkaktojë infeksione serioze si infeksione të qarkullimit të gjakut, pneumoni ose infeksione të kockave dhe kyçeve.
Derisa të dhënat publike për bakterin “Escherichia coli” që u gjend në enët ku shquhen ushtarët e Kosovës, tregojnë që derisa shumica e llojeve të saj shkaktojnë diarre relativisht të shkurtër, por ka lloje të saj si ai i shenjëzuari “O157:H7”, mund të shkaktojnë ngërçe të rënda në stomak, diarre me gjak dhe të vjella.
Gazeta Insajderi e ka pyetur edhe biznesmenin Mustafa, por i njëjti deri tash nuk është përgjigjur.
Shqetësimi që është paraqitur në këtë raport që tashmë një kopje e ka Gazeta Insajderi tregon që skandali është shumë i thellë- i raportuar disa herë, e që nuk u morën masa ndaj firmës së Ragip Mustafës.
“Lidhur me përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit në kazermat e KFT-së, disa herë përmes linjave përkatëse kemi ngritur shqetësime, për përmirësimin e kushteve të shërbimit, cilësisë së ushqimit dhe mungesën e stafit profesional në kuzhina, por deri më tani nuk ka asnjë përmirësim”, thuhet në raportin që u dërgua nga Komanda Tokësore dhe raporti vazhdon se “këto shqetësime tanimë kanë ngritur dilema edhe në sigurinë e ushqimit për pjesëtarët që ushqehen në kuzhinat e KFT-së, e veçanërisht në kuzhinën e Kazermës “Ushtarët e NATO-s” në Istog”.
Në dokument nuk bëhet me dije se kush e bllokoi marrjen e masave, por tregohet se kujt i shkuan raportet brenda ushtrisë.
“…edhe pse këto shqetësime i kemi adresuar disa herë përmes linjave përkatëse (G4 dhe Menaxheri i Kontratës), ende nga Kompania Kontraktuese e Ushqimit nuk ka përmirësime. Po ashtu ne ende vazhdojmë të ushqehemi në kuzhina të cilat udhëhiqen pa staf profesional (teknolog) dhe ne ende nuk kemi përgjigje me shkrim se çfarë masash janë marrë për evitimin e baktereve”, thuhet në këtë dokument e alarmohet që “kjo çështje të trajtohet seriozisht, ngase kemi të bëjmë me shëndetin e pjesëtarëve”.
Në këtë raport, prej dhjetëra faqesh me dokumente e fotografi është futur edhe një pamje ku shihet se dikush po thantë qorapet e lagura në ngrohjen brenda kuzhinës, derisa shihen punonjësit e “Beni Dona” duke fërguar patate pa përdorur dorëza.
Gushti i inspektimeve, baktere e papastërti- çka u gjet te “Beni Dona” sivjet?
Dhjetë ditë më vonë në kazermën e ushtrisë kosovare në Istog do të zbarkonte Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSKP). Me të madhe do të konstatonte që kuzhina NUK i përmbush kriteret.
Gjeti edhe baktere. Edhe papastërit. Në masën 40 përqind.
“Me datë 12.08.2024 janë marrë 15 mostra (strisho sipërfaqësore) nga sipërfaqet e mjedisit të punës, pajisjet dhe nga stafi në kuzhinën e FSK në Istog. Nga mostrat e marra, 6 (40.0%) kanë rezultuar të kontaminuara”, konstatohet në këtë raport që është dërguar më 22 gusht të këtij viti nga IKSHPK-ja, dhe ku pos virusit “Staphylococcus Aureus” ishte gjetur edhe mikroorganizmi tjetër “Acinetobacter spp”.
“Nga aspekti epidemiologjik, duke u bazuar në rezultatet e fituara, mund të konkludojmë se në kuzhinën e FSK Istog NUK përmbushen në tërësi kriteret higjeniko sanitare që tregon për pastrim, larje dhe dezinfektim të pa mjaftueshëm të sipërfaqeve të punës dhe pajisjeve të punës, si dhe për higjienë të pamjaftueshme duarve të stafit që punojnë në kuzhinë dhe u dhanë 5 rekomandime.
Po për kuzhinën e ushtrisë në Istog IKSPK-ja gjeti edhe në muajin maj baktere në 30 përqind të mostrave që kishte testuar dhe njëjtë kishte konstatuar me të madhe që NUK i përmbush kriteret për punë.
E situata aspak e mirë në ato ditë gushti të këtij viti doli edhe në kazermën e ushtrisë në Mitrovicë.
Një raport që e ka në posedim Gazeta Insajderi e që është bërë në kuzhinën e mbajtur nga “Beni Dona” në kazermën “Minatori” del që prej 14 mostrave që kreu si analiza nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, 42 përqind e tyre kanë dalë pozitive me mikroorganizma të dëmshëm për ushtarët.
Analizat nga ky institucion u bënë pas informacionit që më 11 gusht ndodhi një helmim i ushtarëve në ushqim.
Qendra Rajonale në raportin që e ka bërë Dr. Shaqir Brahimi, infektolog, tregohet që ushqimi me të cilin dyshohej se u helmuan ushtarët u hodh, por kjo Qendër mori mostra nga disa ushqime të asaj dite që ishin ruajtur në frigorifer.
Helmimi i ushtarëve | Dyshimet që u ngritën nga viti 2019, kush i injoroi?
Në një dokument të veçantë që Ministria e Mbrojtjes me kërkesë ia ka dhënë Gazetës Insajderi bëhet me dije që brenda ushtrisë që nga viti 2019 ngritën dyshime serioze për helmim të ushtarëve kosovarë nga ushqimi.
Aty vetëm në një rast është përmbledhur një listë prej 44 ushtarëve që dyshohet se u helmuan nga ushqimi.
Në po atë dokument është përfshirë edhe një dokument prej 6 faqesh që është përpiluar nga Komandanti i Ushtrisë, i datës 15 shtator 2021, ku tregohet se cili është protokolli dhe se si duhet të veprohet në rast helmimit të ushtarëve.
Aty bëhet me dije se në raste të caktuara madje edhe Policia e Kosovës ka hetuar raste helmimi, si ai i helmimit të ushtarëve në kazermën “Minatri” që ndodhi në vitit 2019, por nuk bëhet me dije tutje se si ka përfunduar hetimi në fjalë.
Por në një raport tjetër që Ministria i ka dërguar Gazetës Insajderi e që është përpiluar nga Lulzim Ismajli, i nënshkruar si këshilltar i jashtëm, janë përmbledhur një sërë shkeljes, që nuk kanë të bëjnë madje vetëm me helmim.
“Analize e dokumenteve që ndërlidhen me kontratën për furnizim me ushqim për nevojat e FSK-së dhe Ministrise se Mbrojtjes (MM) nga operatori ekonomik “BENI DONA’”, është titulli i dokumentit.
Aty bëhen me dije detaje se si u lidh kontrata me firmën e multimilionerit Ragip Mustafa dhe se si deri në vitin 2024 me kontratë të rregullt, pa përfshirë ato emergjente më vonë, ai përfitoi nga Ministria mbi 8.4 milionë euro
Menaxherë të kontratës, ose njerëz që duhet ta mbikëqyrnin “Beni Donën” ishin caktuar Besim Gega e Petrit Bojaxhiu.
Në këtë dokument jepej detaje për një kallëzim penal të bërë kundër “Beni DOna” nga Policia e Kosovës në aspektin se certifikatat që prezantonte dyshoheshin se janë falsifikuar. Madje ka dokumente brenda atyre që Ministria ka dërguar në Gazetësn Insajderi që edhe autoritetet jashtë Kosovës prej të cilave biznesmeni Ragip Mustafa thotë se i ka marë certifikata, e konfirmojnë të kundërtën.
“Kallëzimi penal i Policisë se Kosovës është hedhur poshtë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës”, bëhet me dije në raportin e këshilltarit të jashtëm.
Alarmimi nga Inspektorati i FSK-së, dokumentet për shkelje që shkuan në Kabinet të Ministrit
Në dokumentet që ka Gazeta Insajderi është po ashtu një raport i zgjeruar i Inspektoratit të FSK-së.
“Inspektori Gjeneral i FSK-se ka gjetur parregullsi dhe mos përmbajtje te kushteve te kontratës disa nga gjetjet janë dhëna si ato që personeli që punon në kuzhinat e FSK-se, kane libreza sanitare me date te skaduar jo valide për pune.”, dhe shtohet se “është me shume se shqetësim, duke pasur parasysh pastërtinë e ushqimit për pjesëtarët e FSK-së”.
Inspektori Gjeneral ka gjetur artikuj me afat te skaduar si dhe produktet e mishit kanë qenë vetëm pjesërisht të pajisura me certifikata të kontrollit të cilësisë”.
Po ashtu ky inspektorat gjeti që “Beni Dona” nuk e ka bere Dezinfektimin, Dezinsektimin dhe Deratizimin, siç specifikohet me kontrate.
Inspektorati Gjeneral ka gjetur po ashtu se “bëni Dona” përgatiti ushqim duke shfrytëzuar hapësirat dhe resurset e FSK-se, e që ushqimi është përgatitur për institucione te tjera.
Në këtë rast ka një raport të veçantë për një incident ku ushqimi u përgatit në kazermën e FSK-së, por u dërgua në Komisionin Qendror Zgjedhor, pasi që “Beni Dona” kishte një kontratë tjetër me KQZ-në.
Në këtë dokument të nënshkruar nga Kryeinspektorja Irfete Spahiu e që në vitin 2022 iu dërgua atë kohë Ministrit Armend Mehaj për miratim bëheshin me dije krejt këto shkelje.
Për më shumë Inspektorati i ushtrisë gjeti se pothuajse në çdo kazermë, firma e multi-milionerit Ragip Mustafa edhe pse paguhej për kontratën për ushqim nga FSK-ja, shfrytëzonte ujin, rrymën, gazin e naftën e FSK-së. “Beni Dona” i shfrytëzonte këto resurse të FSK-së, por ato i paguante ushtria.
Kontrata mes Ministrisë së Mbrojtejs e biznesmenit Ragip Mustafa ka vazhduar që nga viti 2020 me kontratën e fundit, por edhe pse skadoi në vitin 2023, ajo u vazhdua më shumë se një herë me kontratë emergjente.
Krejt këto raporte, që përfshinë dyshime serioze për helmim të ushtarëve, papastërti e mikroorganizma të rrezikshëm nëpër kuzhina, shfrytëzim i resurseve të FSK-së edhe pse paguhej me kontratë në anën tjetër, si dhe gjetje të bëra nga Inspektorati i FSK-së, nga IKSKP-ja, dhe qendra të tjera të shëndetit publik, janë alarmuar që nga viti 2019- ende pa u lidhur kontrata e fundit.
Madje, në njërin prej dokumenteve të lëshuara në maj të këtij viti, si referencë që e kishte kërkuar “Beni Dona”, bëhen me dije edhe një herë këto shkelje.
“Bazuar në përgjigjen e menaxherëve të kontratës OE “Beni Dona Plast” SH.P.K nuk ka zbatuar kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës sepse gjate inspektimeve te komisionit të higjienës janë dhënë vërejte te cilat menaxheri i kontratës ka kërkuar nga OE te përmirësohen mirëpo te njëjtat janë përsëritur në vazhdimësi gjate implementimit të kësaj kontrate”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Shefi i tenderëve në FSK në, Muhamet Xhylani në maj 2024.
Aty bëhet me dije se vetëm për 6 muaj kontratë emergjente, nga shtatori 2023 në mars 2024, “Beni Dona” u pagua me mbi 2.1 milionë euro./ Gazeta Insajderi