×
  • Lajme
  • Lajme

    Hetime për varrin e Demaçit, si doli blof dyshimi i pushtetit?

    Insajderi
    27 July 2023 - 19:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lëvdata e fjalë të mëdha për veprën e Adem Demaçit, por pushtetarët e tanishëm një vit më parë kishin kërkuar hetime për varrezën e tij. Kanal 10 ka sigurua disa shkresa hetimore të policisë dhe përgjigje të kabinetit të presidentes Osmani, ky dyshohej për një faturë të paguar në vitin 2018. Hetimet duket se kanë përfunduar me tu kuptuar se pagesa ishte bërë nga kryeministria dhe jo nga ish-presidenti Thaçi. Presidenca, Prokuroria e policia nuk i kanë komentuar gjatë ditës pyetjet e televizionit.

    Me nderime të larta, sa herë që vjen 26 korriku, kujtohet simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaci.

    Njëjtë u thanë fjalë të mëdha edhe të mërkurën, në 5 vjetorin e vdekjes së tij.

    Por pushtetarët e tanishëm kishin ngritur dyshime për pagesa rreth rregullimit të varrit të tij në vitin 2018.

    Disa muaj pas vendosjes në zyrë, në prill të vitit 2022, nga Zyra e Presidentes ishin ngritur dyshime për një tender dhe pagesë deri në 16 mijë euro se nuk ishin pëfillur procedura ligjore. 

    Menjëherë ishte vënë në dijeni Prokuroia, ku me kërkesë të kësaj të fundit, policia hetimore kishte nisur një shkresë në adresë të kabinetitt të presidentes Osmani.

    Kanal 10 ka siguruar dy korrespodenca zyrtare të Policisë së Kosovës me zyrën e presidentes Osmani lidhur me një pagesë të bërë për varrezën e Adem Demaçit.

    Në shkresën e Policisë së Kosovës drejtuar zyrës së Osmanit më 14 prill 2022, thuhet se janë duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” lidhur me procedurat e pagesës për varrezën e Adem Demaçit, duke kërkuar sqarime prej tyre nëse ishin ndjekur procedurat e prokurimit, sipas Ligjit për Prokurimin Publik.

    “Nëse është kryer pagesa e faturës në fjalë atëherë kërkojmë të na siguroni komplet dosjen mbi bazën e së cilës është kryer kjo pagesë (kontratën, urdhërblerjen, raportin e pranimit të shërbimeve ose punëve të kryera, zotimin/kërkesën për blerje, shpalljen e tenderit dhe dokumente tjera relevante”, thuhet në shkresën e Policisë së Kosovës drejtuar zyrës së Osmanit.

    Por, sikur të ishin koordinuar këto institucione, vetëm pesë ditë më vonë, zyra e Osmanit, përmes zv.shefit të staft të Presidentes, Artan Murati, kishte kthyer përgjigje. 

    Aty thuhet se në arkivin e presidencës është gjetur një faturë që është bërë në 2018-tën, por e njëjta nuk figuron në regjistrin e pagesave që bëhen nga ky institucion.

    “Në Zyrën e Presidentes figuron se është pranuar një faturë, përmes arkivit, nga operatori ekonomik NPT “ART COM”, në dt. 30.08.2018, por e njëjta nuk figuron në regjistrin e Zyrës së Financave se është paguar nga Zyra e Presidentit. Po kështu, Njësia e Prokurimit në Presidencë nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë lidhur mè këtë çështje.”

    Më tutje në shkresë shkruhej se ata u kishin drejtuar Departamentit të Thesarit të Shtetit për të kuptuar lidhur me këtë pagesë, e që në përgjigje, sipas tyre thuhej se kompania ishte paguar nga Zyra e Kryeministrit.

    Varreza e Adem Demaçit kishte kushtuar gjithsej 16 mijë euro dhe shpenzimet e saj ishin mbuluar nga Qeveria e Kosovës.

    Pasi ishte kuptuar që nuk mund ta lidhnin këtë me ish-presidentin Thaçi, siç ka mësuar Kanal 10, hetimet ishin pezulluar.

    Televizioni ka dërguar pyetje në adresë Presidencës, prokurorisë dhe policisë, por gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta10/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark