×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hetimet në KEK – Ortaku dhe familjari i njerëzve të PAN’it fitoi tenderin mbi 3.4 milionësh të pushtetit të Kurtit

    Insajderi
    02 May 2023 - 17:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një prej tenderëve më të mëdhenj gjatë pushtetit të Kurtit i është dhënë familjarit dhe ortakut biznesor të figurave të rëndësishme të PAN’it, një koalicion qeverisës që Vetëvendosja e quante “regjim kriminal”. Tenderi i është dhënë nga KEK’u, në kohën kur drejtohej nga njeriu i rëndësishëm i VV’së, Nagip Krasniqi, shkruan Insajderi.

    Tenderi i famshëm prej afro 3 milionë euro i gjysmë i KEK’ut ka përfunduar në duart e një biznesmeni të lidhur ngushtë me figura të rëndësishme të koalicionit PAN, të cilin Vetëvendosja e Kurtit e quante “regjim korruptiv”.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar lidhjet e biznesmenit që përfitoi tenderin që po hetohet nga Prokuroria Speciale. Ai ka një numër të madh të kompanive në ortakëri me njerëz që udhëhoqën vendin para se Kurti të vinte në pushtet. Përveç raporteve biznesore, biznesmeni Bujar Shala ka edhe lidhje familjare me ta. Është vëlla i Naser Shalës, të njohur si komandant “Ftyra”, si dhe kushëri i ish-deputetit Haxhi Shala.

    Gazeta Insajderi sjell profilin biznesor të njeriut që fitoi një prej tenderëve më të mëdhenj të KEK’ut, gjatë kohës sa drejtohej nga Nagip Krasniqi i Vetëvendosjes.

    Fituesi i tenderëve të pushtetit të Kurtit, kushëri e ortak biznesi me Haxhi Shalën e PAN’it

    Në emër të Bujar Shalës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), figurojnë të paktë pesë kompani. Në të cilat është pronar e bashkëpronarë. Dy prej tyre të shuara e tri ende aktive. 

    Në njërën nga to figuron edhe emri i ish-deputetit të PAN-it familjarit të biznesmenit, Bujar Shala, Haxhi Shalës. Përveç tyre kompania “Team Oil”, mbanë emrat edhe të katër personave si aksionarë.

    E njëjta figuron e regjistruar nga viti 2015 ndërsa është shuar në qershor të 2022-ës.

    Për këtë bashkë biznes familjar, Insajderi ka kontaktuar ish-deputetin Haxhi Shala.

    Jo ai biznes (Team Oil) ka qenë tepër ma moti, është shu”, i tha Shala Insajderit derisa u pyet edhe përfshirjen e kushëririt të tij në aferën që po dyshohet të jetë korruptive, “Për pjesën e Bujarit, unë skam hiç çka të them, ska të bëjë kurgjo me mua”, deklaroi ai.

    Haxhi Shala, karrierën politike e nis nën petkun e partisë se Fatmir Limajt. Atij iu besua edhe pozita e shefit të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate. Por, Shala vendosi ta lë partinë e Limajt për të aderuar në partinë e Ramush Haradinajt, AAK-në. Në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës ai dështoi të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

    Përveç Haxhi Shalës e Bujar Shalës, kompania “Team Oil”, e cila si aktivitet primar ka tregtinë me shumicë të lëndëve djegës si bashkëpronar kishte Qazim Bajrën, Ismajl Shurdhaj, Luan Karaqicën e Dritan Avllajn.

    Një tjetër kompani e shuar e ku figuron emri i Bujar Shalës mban emrin “Mercury L.L.C”.  Bashkëpronar këtu figuron që ishte me djalin e Haxhi Shalës, Flakron Shalën dhe katër persona të tjerë.

    Ndërsa kompanitë “Bujar B. Shala B.I” (Limi-Plast), “Petroleum Coke Kosovo” dhe “B.N.I Comerc”, figurojnë ende aktive.

    Me këtë të parën ishte përfituese e tenderit mbi 3 milionë për të cilin kryeshefi i KEK-ut po qëndron në paraburgim tash e ca ditë.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Bujar Shalën por i njëjti nuk ka dashur të prononcohet.

    Fituesi i tenderëve të pushtetit të Kurtit, vëllai i “Fytyrës” së PAN’it

    Përpos me Haxhi Shalës përfituesi i tenderit milionësh të KEK’ut ka afërsi edhe me një person tjetër të rëndësishëm të ish-regjimit të PAN’it. Me Naser Shalën, të njohur si komandant “Fytyra”.

    Përpos afërsisë familje, Bujar Shala kishte edhe biznes të përbashkët me vëllain e tij, Naserin. Ishin ortakë në firmën “Limi Plast” deri në vitin 2006.

    Burimi: AKK

    Naser Shala gjatë pushtetit të PAN’it ka qenë drejtor i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Biznesin e përbashkët me vëllain e tij e pati deklaruar edhe në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Naser Shala i njohur për publikun edhe si Komandant “Fytyra”, ka refuzuar të jap ndonjë koment mbi rastin ku i përfshirë është vëllain i tij. Me të dëgjuar pyetjen ai e ka ndalur telefonin.

    Naser Shala ishte emëruar drejtor i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës më 28 shkurt të vitit 2019, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Emërimi i tij u kundërshtua ashpër nga ambasada britanike në Kosovë e ajo amerikane.

    Shala konsiderohej nga ambasadorët e vendeve të huaja si njeri jo kredibil, i pa kualifikuar dhe i ndikuar politikisht për të pasur postin e drejtorit të një agjencie të pavarur.

    Ambasadori Philip Kosnett shprehej i zhgënjyer me vendimin e 50 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë që ambasadori britanik, Ruairi O`Connell kishte dhënë dorëheqje nga Bordi.

    Ambasada britanike thoshte se emërimi i Shalës vinte në pikëpyetje nëse shumica e Kuvendit të Kosovës ka vullnetin politik për të zbatuar emërimet meritokratike.

    Në shkurt të 2022-ës, Naser Shala dha dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Si arsyetim u dha mos miratimi i Raportit Vjetor të Agjencisë për vitin 2020, në seancën e Kuvendit të datës 6 dhjetor.

    Komandat “Fytyra” shquhej edhe për afërsinë me politikanët kosovarë.

    Ai ishte parë në shoqëri të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, ish-deputetit, Daut Haradinaj e ish-deputetit, Haxhi Shala. Me këtë të fundin kishte nën pronësi një biznes “Altro Sh.p.K”, të cilin poashtu e kishte deklaruar në AKK.

    Ai kishte 15 përqind aksione në kompaninë “Altro SH.P.K”. Biznes ky që tanimë nuk figuron në Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve.

    Për çka po dyshohet njeriu i  Vetëvendosjes e ku i përfshirë po del të jetë edhe familjari i ish-deputetit të PAN-it?

    Në fillim të shkurtit të këtij viti Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nënshkroi kontratë mbi 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA”. Puna që duhej të kryente kjo kompani dhe partneri vendor “Bujar B. Shala B.I.”. ishte për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

    Kontrata ishte e negociuar dhe u bë shpejt. Derisa vet thirrja u shpall më 27 janar, 2023, njoftimi që është lidhur kontrata u bë më 3 shkurt.

    Me këtë kontratë pritej që të ktheje në punë ky bllok në fillim të muajit prill 2023.

    Derisa kompania “Litwin SA” ishte në garë edhe në një tender të anuluar më herët po për riparimin e bllokut A5, kompania Bujar B. Shala B.I. , sipas përditësimit më të fundit në Agjencinë e Bizneseve del që është regjistruar më 25 janar të vitit 2022 dhe aktivitet primar e ka “Tregtia tjetër me pakicë, jo në dyqane, tezga ose tregje”. Madje nuk ka as numër kontaktues.

    Blloku A5 i termocentraleve “Kosova A” kishte dalë jashtë funksionit që nga 19 korriku 2022.

    Përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar.

    Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociuar me disa operatorë. Blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ka kapacitet prej 210 megavatë për orë.

    KEK gjatë vitit 2022 ka hapur dy tenderë për remontin kapital të këtij blloku i cili është jashtë funksionit por që vetëm më hapjen e tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë. 

    /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark