Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të enjten gjatë tubimit elektoral në Istog, se duke votuar për LDK-në, qytetarët e Kosovës votojnë për projektin e shtetit të Kosovës që e kishte nisur presidenti Rugova.
Ai potencoi se falë qeverisjes së LDK, Kosova është hequr nga izolimi dhe sanksionet amerikane, duke e mbyllur vitin e kaluar me vendimin që FSK si pjesë e ushtrisë amerikane të shërbejë në misione paqeruajtëse. Gjatë kësaj kohe, tha Hoti, është hequr nga diskursi fjala shkëmbim i territoreve dhe fjala korrupsion.
“ Të dyja këto çështje janë falë qeverisjes sonë të matur dhe me kredibilitet. Andaj më 14 shkurt nuk do të ketë alternativa, LDK është alternativa e vetme, nuk ka alternativë tjetër, Këta që kërkojnë besimin e qytetarëve nuk lënë asgjë pa bërë për të fituar një grusht vota. Janë të njëjtit që na lanë pa viza, janë ata që e kanë djegur Kuvendi e Kosovës, janë të njëjtit që kërkojnë votën tuaj, me këta jemi duke u përballë. Këta nuk paraqesin alternativa, më 14 shkurt qytetarët e kanë LDK-në, e kanë rendin demokratik dhe në anën tjetër e kanë modelin autokrat të qeverisjes që nuk na dërgon askund.”, tha Hoti.
“Ne nuk jemi njerëz të panjohur as njerëz që eksperimentojmë me shtetin e Kosovës. Voto për LDK-në është votë për vizionin për shtet të Kosovës të presidentit Rugova. Ne kemi dhënë dëshmi gjatë kohës sa kemi qeverisur, pasi që kemi kthyer normalitetin në vend. Jemi ndër vendet e vetme në regjion që me masat për rimëkëmbje kemi përmbyll krizën më të madhe që kishim në këto dekada. Pakoja jonë dhe masat e rimëkëmbjes ekonomike kanë rigjeneruar 700 milion euro të cilat janë investuar në ekonomi”, tha Hoti.
“Pas disa javëve në qeveri kemi marrë ftesë për në Shtëpinë e Bardhë, nuk gjetëm harta as thika, por gjetëm marrëveshje që fuqizon Kosovën në arenën ndërkombëtare e cila u përmbyll më një njohje të re nga Izraeli, për të cilën unë e kolegët e mi jemi fyer në Kuvend. Ju kam kërkuar oponentëve politikë që neve mos të na thonë asgjë por ta falënderojnë popullin izraelit për këtë njohje”, tha kryeministri Hoti.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, u shpreh i bindur se gjatë vitit 2021 dialogu me Serbinë do të përfundoj me njohje reciproke ndërsa me ndihmën e aleatëve evropianë të LDK-së do të sigurohet edhe liberalizimi i vizave.