×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti kritikon Kurtin që po merret me qeset e plastikës, ia kujton jetën e rënduar të qytetarëve

    Insajderi
    06 November 2023 - 18:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, kanë dalur sot në terren për të promovuar zvogëlimin e qeseve të plastikës. Kjo gjë u mirëprit, por edhe u kritikua pasi sipas tyre, shumë punë të tjera janë më me prioritet.

    Kryeministri Kurti dhe ministri Aliu kanë vizituar disa lokale për të promovuar zvogëlimin e qeseve të plastikës.

    Kurti gjatë vizitës në disa markete në Prishtinë, ka kërkuar nga qytetarët që t’i thonë jo qeseve të plastikës, duke shtuar se qytetarët kur dalin në market t’i marrin torbat me vete.

    “Shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina që në mënyrë masive kanë ndotur ambientin. Prandaj, shpresoj në bashkëpunimin e juaj me këtë udhëzim të ri administrativ, me këtë fushatë t’i themi jo qeseve të plastikes…I falënderojmë shumë për bashkëpunimin pronaret dhe menaxherët e dyqaneve, që ta zbatojnë me pikmëri Udhëzimin administrativ dhe ftojmë qytetarët që kur të shkojnë ne dyqane të blejnë në vetëshërbim, me vete t’i marrin torbat.” – ka thënë Kurti.

    Por për ish-kryeministrin dhe deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti, ka projekte më më prioritet se promovimi i zvogëlimit te qeseve të plastikës.

    Ai ka thënë se tashmë në këso kohe do të duhej të promovoheshni projektet e kryera gjatë tri viteve të qeverisjes në fusha të ndryshme.

    Është fundi i vitit 2023, që është viti i tretë i qeverisjes majtiste LVV-Guxo. Është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë tri viteve në rrugë, në arsim e shëndetësi, në energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore.” – ka shkruar Hoti.

    Por sipas tij, për shkak të mungesës së projekteve, Kurti po promovon diçka që nuk është e rëndësishme në aspektin e ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve.

    “E kur mungojnë këto projekte, atëherë vetë Kryeministri promovon shpërndarjen e qeseve plastike nëpër dyqane, sado e rëndësishme që është kjo për ambientin, por nuk është esencial në aspektin ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve.” – ka shkruar ai.

    Përveç kësaj, ai ka deklaruar se subvencionet dhe transferet nga 32 për qind të buxhetit tashmë po marrin 42 të buxhetit total.

    Tri vjet qeverisje pa asnjë orientim zhvillimor, me normë të zhvillimit ekonomik që gati ka rënë nën zero.” – ka thënë Hoti në Facebook.

    Edhe anëtari tjetër i LDK-së, Berat Rukiqi ka kritikuar Kurtin për promovimin e zvogëlimit të qeseve të plastikës, duke përmendur që vendi është nën sanksione të BE-së.

    Pra, ne mungese te sukseseve evidente ne ekonomi, me shtim te varferise ne dy vitet e fundit, me ikje masive te qytetareve te cileve ju ka cenuar mireqenia bazike, me sanksione dhe pasoja milioneshe per ekonomine, qe nga vendosja e tyre, dy gjera i kane mbetur, per t’i bere: – Hiperbolizim te grafikoneve dhe manipulimi me numra – Promovim te projekteve te paperfunduara, te nisura nga tjeret P.S. Sot i paska promovu disa qese te plastikes.” – ka shkruar ai në Facebook.

    Kritikues ndaj kësaj është treguar edhe sekretari i PSD-së, Nol Nushi.

    Nushi ka publikuar një fotografi nga terreni i sotëm i kryeministrit Kurti, duke përmendur çmimet e larta të produkteve në market.

    Kur t’ka dale rroga, e i sheh cmimet ne market.” – ka shkruar ai në Facebook.

    Kujtojmë se Udhëzimi administrativ për ndalimin e qeseve të plastikës ka hyrë në fuqi që nga data 29 shtator të këtij viti dhe tanimë qeset e plastikës kushtojnë 5 cent.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark