×
  • Lajme
  • Insajderi

    Hoti: Marrëveshja e Washingtonit rihapi portat e miqësisë dhe solli 1 miliard investime

    Insajderi
    12 February 2021 - 19:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, në përmbyllje të fushatës zgjedhore, tha të premten se Marrëveshja të cilën e ka nënshkruar në Washington me Presidentin Trump, i rihapi portat e mbyllura nga aleatët tanë dhe solli shumë të mira për shtetin, si në fushën e ekonomisë, mbrojtjes dhe diplomacisë.

    “Ne e sollëm marrëveshjen e Washingtonit, e cila i sjellë Kosovës 1 miliard dollarë investime dhe mijëra vende pune, i solli një njohje të re pas tri vitesh bllokadë, e hapi tregun amerikan për qasje në financa dhe, mbi të gjitha, e fuqizojë miqësinë tonë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë marrëveshje, dhe me shumë projekte të tjera, unë ju ftoj të votoni Lidhjen Demokratike, për ta bërë Kosovën qendër për inovacion dhe teknologji”, tha Hoti.

    “Me Lidhje Demokratike, Kosova kontribuon në ruajtjen e paqes kudo nëpër botë, me vajzat dhe djemtë Forcës së Sigurisë së Kosovës, që tani janë bërë pjesë e Ushtrisë Amerikane në misione paqeruajtëse. Me qeverisjen e Lidhjes Demokratike, Kosova është vënë në qendër të agjendës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Hoti.

    Ai shoi se më në fund, të gjithë e kanë kuptuar se më 4 shtator 2020, në Uashington është nënshkruar marrëveshja më e rëndësishme për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë, marrëveshje që e fuqizon sovranitetin e Kosovës.

    “Të tjerët nuk kishin vizion për të parë rëndësinë e kësaj marrëveshje. Vetëm ne kemi dëshmuar se nuk zmbrapsemi para sfidave. Vetëm ne i realizojmë premtimet. Mbi të gjitha, duke votuar Lidhje Demokratike, ju respektoni traditën, përkushtimin për shtet”, tha kryeministri Hoti.

    Hoti i ka ftuar gjithë qytetarët, të të gjitha moshave që ditën e diele të dalin në zgjedhje, të votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës me numrin 132.

    “Duke votuar gratë dhe burrat e listës tonë, ju votoni për zërin tuaj të vërtetë, për ata që bashkë me juve ëndërruan, punuan dhe e ndërtuan Kosovën, shtet të pavarur e sovran, shtet demokratik. Kosova, me neve në qeverisje, i ruan miqtë në të dy anët e atlantikut”, tha në fund kryeministri Hoti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark