×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Hovenier: Në 2024 bisedimet Kosovë-Serbi të përmbyllen me njohje

    Insajderi
    29 December 2023 - 12:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në adresimin e fundvitit ka thënë se ky vit ishte plot me kriza dhe konflikte.

    “Përderisa po i afrohemi fundit të 2023 dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të reflektuar për vitin e kaluar. Ky vit ishte plot me batica e zbatica kemi parë çaste të krizës, konfliktit dhe tragjedisë këtu në Kosovë si dhe anembanë globit duke përfshirë luftën e vazhdueshme në Ukrainë, dhe rishtazi edhe konfliktin në Izrael-Gazë”, ka thënë Hovenier.

    Më tutje Hovenier, theksoi se së bashku me qeverinë dhe popullin e Kosovës i kanë shtyrë përpara tri qëllimet kryesore të Shteteve të bashkuara për Kosovën.

    “Të shohim Kosovën duke e marrë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, sundim të ligjit më të mirë dhe qeverisje të përgjegjshme dhe efektive dhe zhvillim gjithëpërfshirës të kapitalit njerëzor dhe rritje të qëndrueshme ekonomike “.

    Ndërsa për raportin Kosovë-Serbi Hovenier tha se në vitin e ardhshëm duhet të ketë përparim të njëmendtë.

    “Në shkurt dhe mars të këtij viti Kosova dhe Serbia ndërmorën hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me përmbylljen e marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit. Edhe pse ka pasur disa pengesa ne jemi plotësisht të përkushtuar për zbatimin e saj. Ne besojmë se populli i Kosovës do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga zbatimi i plotë si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, të zotimeve të tyre sipas kësaj marrëveshje”, ka thënë ambasadori amerikan në adresimin e tij.

    “Në 2024 shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshje si dhe Kosovën, që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

    Diplomati amerikan tha në fund se përfundimisht, ky proces i normalizimit të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa të dy vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimet e tyre drejt BE-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark