Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka mbajtur tubim elektoral në Pejë, ku ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.
Hoxhaj ka thënë se fitorja e PDK-së është e padiskutueshme dhe këtë po ia vërtetojnë takimet që po zhvillon në tërë vendin.
“Krejt kanë pritur se PDK do ta pushojë aktivitetin, do ta mbyllim partinë, do të lodhemi, do të dorëzohemi, do ta ngrisim flamurin e bardhë. Por, ne kemi treguar diçka të jashtëzakonshme që duke qenë të goditur prej Gjykatës Speciale kemi dalë me një platformë për ta rimëkëmbë vendin, kemi shkruar një platformë për ta rimëkëmbë vendin”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka theksuar se PDK është e vetmja parti politike që ka platformë për ta rimëkëmbur ekonominë, shëndetësinë, arsimin e drejtësinë.
“Nuk ka subjekt politik i cili garon në këto zgjedhje sikurse PDK, e cila ka program të qartë dhe unë jam i vetmi kandidat serioz për të qenë kryeministër të hënën e 15 shkurtit, se të tjerët të cilët nuk kanë të drejtë me qenë as në listë ma merr mendja që e dini që nuk do të ketë të drejtë të jetë as kandidat. Pyetja kryesore është kush vërtetë mund të jetë kryeministri të hënën, dikush që nuk ka të drejtë të jetë në listën për deputet, dikush i cili nuk ka të drejtë të jetë më pak mund të bëhet më shumë, dikush i cili mund ta ketë vetëm bilbordin, por nuk është në listë që ta marrë mbështetjen e qytetarëve dhe në një vend përendimor kjo do të kishte qenë një temë e madhe”, ka thënë ai.
Kryetari i degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti ka ftuar qytetarët e Pejës që të votojnë për PDK-në në mënyrë që Kosova të mos mbetet në duart e njerëzve të papërgjegjshëm.
“Nuk mund ta lëmë Kosovën në duart e njerëzve të papërgjegjshëm. Kosova do të jetë e udhëhequr nga PDK”, ka theksuar ai.