Huawei do të bëhet prodhuesi numër 1 i kompjuterave personalë në botë brenda 3 deri në 5 viteve të ardhshme.
Ky objektiv nuk mund të arrihet pa lënë pas Lenovo, HP dhe Apple. Deklaratën e bëri menaxheri i Huawei, Wan Biao, për CNBC ditën e mërkure.
Fuqia inovative e Huawei do të jetë një prej faktorëve kryesorë që do e vendosin kompaninë në krye të kësaj industrie, dhe këtë e ka provuar edhe në botën e telefonave inteligjentë, tha Wan.
“Në botën e laptopëve janë disa teknologji të ngjashme me telefonët. Gjithashtu me zhvillimin e inteligjencës artificiale, realitetit të shtuar dhe atij virtual, shansi për të korrur sukses rritet për një kompani inovative si Huawei”, tha ai.
Ai konfirmoi se investimi kolosal në produktin e ri MateBook ka dhënë rezultat dhe arritur pritshmëritë. Huawei do të adoptojë një strategji të ngjashme të aplikuar edhe në segmentin e smarfonëve duke u përqendruar tek tregjet e rangut të lartë.
Muajin e kaluar kompania prezantoi tre modele të reja MateBook, X, D dhe E të cilët fillojnë nga 1,399 euro, 999 euro, dhe 799 euro respektivisht.
Shitjet globale të kompjuterave në tre mujorin e parë ishin 60.3 milion njësi, një rritj me 0.6% sipas IDC-së. /CIO Albanian