KMShK-ja nuk e pranon pretendimin e prokurores se raportimet e Insajderit ishin të pavërteta – shkelje u konstatua vetëm për të drejtën e përgjigjes.
Ankesa e prokurores Fitore Sadikaj ndaj dy raportimeve të Insajderit për çështjet që lidhen me Agim Ademin nuk e ka rrëzuar bazën faktike të shkrimeve.Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), pas shqyrtimit të ankesës, ka konstatuar shkelje vetëm në lidhje me të drejtën e përgjigjes, ndërsa nuk ka gjetur shkelje sa i përket raportimit të së vërtetës dhe mbrojtjes së privatësisë.
Në qendër të raportimit të Insajderit ishte një dokument zyrtar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, i datës 22 gusht 2023, me numër lënde 2021:0082047 dhe numër dokumenti 02644940.1. Dokumenti, sipas mbrojtjes së Insajderit para KMShK-së, mban emrin e Fitore Sadikajt dhe cilësimin “Prokurori i Shtetit”.
Në këtë dokument thuhet se nuk do të iniciohej procedurë penale lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi nuk ishin konstatuar elemente të veprës penale. Rasti, megjithatë, mbetej i rihapshëm nëse do të paraqiteshin prova ose informacione të reja.
Raportimi i Insajderit trajtonte përmbajtjen e këtij dokumenti dhe mënyrën se si kishte përfunduar procedura, duke ngritur edhe pyetjen për angazhimin e mëvonshëm të Sadikajt në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Sadikaj më pas ishte emëruar në Komisionin për Akte Normative të FFK-së, pozitë e shoqëruar me kompensim financiar, pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte miratuar kërkesën e federatës në mbledhjen e 15 qershorit 2026.
Ishte pikërisht kjo lidhje kohore dhe institucionale që u bë pjesë e interesit publik të ngritur nga raportimi i Insajderit: si përfundoi në një organizatë të drejtuar nga personi me të cilin lidhej dosja që ajo kishte mbyllur? Dy raportime, një ankesë
Në raportimin e parë, me titull “Beteja për mëditje:
Si përfundoi në FFK prokurorja që mbylli dosjen e skandaleve të Agim Ademit?”
Insajderi publikoi të dhëna nga raporti i Prokurorisë për mbylljen e rastit.Insajderi argumentoi para KMShK-së se shkrimi nuk i kishte paraqitur pretendimet e përfshira në dokument si fakte të provuara penalisht, por kishte raportuar se çfarë përmbante një dokument zyrtar dhe si kishte përfunduar procedura.
Raportimi i dytë, “Mbyllja e rasteve të Agim Ademit nga prokuroret që morën pozita në FFK – çfarë thotë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit?”, e zgjeroi temën duke përfshirë edhe prokuroren Elza Bajrami-Kastrati.
Insajderi raportoi se të dyja prokuroret, në periudha të ndryshme, kishin pasur në duar çështje penale që lidheshin me Agim Ademin, ndërsa më vonë ishin angazhuar me pagesë në FFK.
Çfarë vendosi KMShK-ja?
Në përfundim të shqyrtimit, KMShK-ja nuk e pranoi pretendimin se raportimet kishin shkelur rregullat për raportimin e së vërtetës.
Po ashtu, Këshilli nuk konstatoi shkelje të rregullave që lidhen me mbrojtjen e privatësisë. E vetmja shkelje e konstatuar ishte ajo që lidhet me të drejtën për t’u përgjigjur..
Pra, vendimi i KMShK-së nuk e shpalli të pavërtetë raportimin e Insajderit dhe nuk e konsideroi atë cenim të privatësisë. Fitore Sadikaj fitoi vetëm në pjesën që lidhet me mundësinë për t’iu përgjigjur shkrimit, ndërsa pretendimi për rrëzimin e bazës faktike të raportimit nuk u mbështet nga Këshilli.
Në thelb, raportimi i Insajderit ishte mbështetur në një dokument zyrtar të Prokurorisë, i cili, sipas materialeve të paraqitura në KMShK, mban emrin e Fitore Sadikajt. Në fund mbetet një fakt i dokumentuar dhe një pyetje me interes publik: një dosje që lidhej me drejtuesin e FFK-së u mbyll në Prokurori, ndërsa prokurorja që figuron në raportin e mbylljes përfundoi më vonë në një pozitë të paguar në të njëjtën federatë.