×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi i Insajderit për milionat e shpërndara nëpër shtëpi nga Ministria e Elbert Krasniqit- Specialja konfirmon hetimet

    Insajderi
    14 June 2024 - 12:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi në dhjetor të 2023-tës përmes një hulmtimi disa mujor kishte zbuluar se si Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e drejtuar nga Elbert Krasniqi e kishte shpenzuar fondin 3 milionësh për ndërtim e renovim shtëpish. Kompanitë që kryejnë këto punë u zgjodhën pa tender, diçka që në projektet e më hareshme të gjasshme qeveritare u bë ndryshe.

    Gazeta Insajderi nga burimet e veta mëson se Prokuroria Speciale kanë nisur hetimet lidhur me këtë tender.

    “Kane kërkuar të gjitha dokumentet me të dhëna nga MAPL”, tha burimi i Insajderit.

    Gazeta Insajderi poashtu ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria por të njëjtit, nuk kanë dhënë ndonjë detaj.

    “Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se Prokuroria Speciale në këtë fazë nuk mund të iu ofroj asnjë informacion”, tha zëdhënësja për media e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.

    Por, kush përfitoi nga ky projekt? Insajderi sjell listën, që zbulon lidhje familjare me zyrtarë e përfitues me lidhje politike me Ministrin Krasniqi dhe deputetë të pakicave

    Visar Duriqi

    Idriz Murtezi drejton me degën e partisë IRDK të Ministrit Elbert Krasniqi në Fushë Kosovë. Po ashtu për një kohë ka qenë edhe këshilltar i Ministrit.

    E bash në këtë dikaster qeveritar, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) muaj më parë një shtëpi e përfitoi nga fondi prej 3 milionë eurosh edhe djali i axhës së tij, Selim Murtezi.

    Slemi Murtezi, në regjistrim e tatimeve në Fushë Kosovë del që veçse ka shtëpi.

    Një hulumtim i Insajderit i realizuar për disa muaj, në bashkëpunim me aktivistë të shoqërisë civile që mbikëqyrin edhe shpërndarjen e fondeve për komunitetet pakicë në vend ka gjetur së në së paku 30 raste, nga përfituesit për ndërtim ose renovim shtëpie, janë ose me lidhej familjare me zyrtarët e MAPL-së, ose me lidhje politike me partinë e Ministrit Krasniqi, dhe parti të deputetëve të pakicave

    Në së paku dy raste e ka pranuar vet Ministria që kanë dyshime serioze për konflikt interesi dhe vet i kanë dërguar këto dy raste në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    “Lidhur me pretendimin tuaj për konflikt të interesit dhe afërsinë me kabinetin e ministrit dhe deputetëve, pas publikimit të listës dhe vërejtjeve për z. Fitim Shala dhe z. Gazmend Qyqalla, me kërkesë të ministrit është suspenduar pagesa pasi i është drejtuar AKK-së me datë 23/11/2023 nëse këta përfitues përbëjnë konflikt të interesit, për këtë jemi në pritje të opinionit nga AKK”, i ka thënë gazetës Insajderi MAPL-ja.

    Anulim e lista pa emra- si nisi krejt historia me fondin 3 milionësh

    Thirrja e parë për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive për komunitetitet jo shumicë në komuna ishte  hapur më 20 prill 2023.

    MAPL-ja i ka thënë Insajderit se e njëjta thirrje  :është anuluar në bazë të rekomandimit të komisionit profesional të ministrisë i cili me datë 03/08/2023, ka rekomanduar anulimin e thirrjes, për arsyeje të kritereve specifike te vendosura në thirrje”, por pa specifikuar se cilat kritere ishin problematike.

    Nga kjo thirrje vetëm një numër i vogël i aplikantëve, sipas MAPL-së, në dy LOT-et kanë plotësuar kushtet për financim bazuar në dokumentacionin e kërkuar, nga 1200 aplikues vetëm (6 aplikacione ne Llot-1, ndërtim dhe 36 aplikacione ne Llot-2, renovim;) kanë përfituar.

    Sipas MAPL-së me qëllim të përmirësimit të kritereve dhe ofrimit të mundësive për përfitim të personave me kushte të vështira ekonomike është rihapur thirrja me datë 07/08/2023 dhe është larguar kriteri që përfituesit të jenë përfitues të skemës sociale.

    Nga rishpallja e thirrjes pastaj, kur u hoq kriteri që mund të përfitonin edhe ata që nuk ishin në skema sociale, aplikimi u rrit dukshëm.

    Sipas MAPL-së pas ndryshimit, heqjes së kriterit që përfituesi të jetë nga skemat sociale, aplikuan  849 persona dhe kanë përfituar 57 persona për ndërtimin e shtëpive dhe 230 për renovimin e shtëpive.

    Gazeta Insajderi që në fillim të shpalljes së fituesve kishte vërejtur që listat publikoheshin vetëm me numra dhe pa emra- prandaj kishte bërë kërkesë për Qasje në Dokumente Publike, me çka edhe i mori emrat e përfituese, e të ciltë më vonë, pas kërkesës së Insajderit edhe u publikuan edhe në faqen e MAPL-së.

    Sipas MAPL-së për renovimin e shtëpive pas ankesave në vazhdimësi me datë 29/11/2023 është themeluar komisioni për verifikimin e të gjithë përfituesve në terren para se të  ekzekutohen pagesat.

    Ditë më parë, pasi që Insajderi ia kishte dërguar listën dhe gjetje  e hulumtimit, MAPL-ha i ka thënë gazetës së ka pezulluar pagesat.

    “Asnjë pagesë nuk është bërë deri më tani deri në verifikimin e gjendjes reale në terren dhe eleminimin e ndonjë gabimi eventual ndonëse përfituesit kanë nënshkruar deklaratën nën betim për saktësinë e të dhënave dhe nevojën e mbështetjes nga MAPL”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Insajderi.

    Të afërm të zyrtarëve e me lidhje politike me partinë e Ministrit Elbert Krasniqi- kush janë përfituesit e fondit 3 milionësh?

    849 persona  kanë aplikuar për fondin prej 3 milionë erish të ekzakutuar nga MAPL-ja e ku përfshihet ndërtimi e renovimi i shtëpive.

    Kanë përfituar 57 persona për ndërtimin e shtëpive dhe 230 për renovimin e shtëpive ekzistuese.

    Insajderi i ka ndarë listat e përfituesve me aktivistë të komuniteteve pakicë, dhe në bashkëpunim me ta ka gjetur se në së paku 30 raste përfituesit ose janë me lidhje familjare me zyrtarë të MAPL-së, ose me të partisë që e drejton Elbert Krasniqi- IRDK. Ose të dyja bashkë.

    Këtë listë Gazeta Insajderi, para publikimit e ka ndarë me MAPL-në, të cilët e pranojnë që në së paku dy raste kanë gjetur edhe vet dyshime për konflikt interesi, dhe e kanë dërguar rastin në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    “Agjencia, pas pranimit të kërkesës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka shqyrtuar pretendimet për konflikt interesi, lidhur me dy përfitues për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive për komunitetet jo shumicë; Gazmend Qyqalla, dhe Fitim Shala, në raport me Ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal”, thuhet në përgjigjet e Agjencisë për Insajderin.

    Por, sipas kësaj agjencie, “Në dy rastet konkrete, në kuptim të dispozitave të sipërcituara, për pretendimet e ngritura nuk ka konflikt interesi. Kjo për faktin se nuk plotësohet ekzistimi i interesit privat për zyrtarin e as ekzistimi i interesit privat të personave të afërm me zyrtarin, siç përcaktohen me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesi. Raporti i Ministrit me përfituesit e mundshëm në pretendimin e parë dhe të dytë, nuk konsiderohen persona të afërt me zyrtarin”

    Gazeta Insajdereit këtë listë e ka ndarë edhe me këtë Agjenci, dhe e njëjta ka konfirmuar po e trajton edhe listën që ia ka dërguar Insajderi.

    “Pretendimet e tjera të ngritura nga ju, janë në proces të shqyrtimit paraprak për konflikt të interesit dhe do të njoftoheni sipas afatit ligjor”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Lista: Kush dyshohet se përfitoi me lidhje familja e politike nga fondi 3 milionësh?

    Fondin prej 3 milionë eurosh për ndërtim e renovim shtëpive për komunitetet jo-shumicë, Ministri Elber Krasniqi ia kishte besuar që të ndante komisioni i përbërë nga Gafurr Sllamniku kryesues ,  Bafti Dogani anëtar dheVjosa Ahmetaj anëtare.

    Por, sipas gjetjeve të hulumtimit të Insajderi me anëtarë të shoqërisë civile nga komunitetet jo-shumicë, kush janë përfituesit që në mënyrë të dyshimtë, ose me lidhje familjare e politike kanë përfituar nga ky fond?

    1-Përfituesi me numër rendor 484/23 Selim Murtezi nga Fushë Kosova është përfitues i ndërtimit të shtpisë nga ana e MAPL-së.

    Selimi është djali i axhës së Idriz Murtezit nga Fushë Kosova, kryetar i IRDK-së dega në  këtë qytet dhe  deri vonë edhe këshilltar i ministrit të MAPL-së  Elbert Krasniqi.

    Hulumtimi ka gjetur se Selimi është fqinj i parë po ashtu me Muharrem Asllanin, edhe ky deri vonë këshilltar i Ministri Krasniqi.

    Sipas faturës së tatimit në pronë, një kopje të së cilës e ka Insajderi, del se Selim Murtezi është pronar i një shtëpie dy katëshe dhe një prone tjetër.

    2-Përfituesja me numër 513/23, Mirsada Murtezi nga Fushë Kosova është shpërblyer nga fondi i rindërtimit, dhe sipas hulumtimit në terren del se është gruaja e vëllait të Idriz Murtezit – Kryetarit të IRDK-së së Ministrit Krasniqi, dega në Fushë Kosova

    3-Përfituesi  me numër 017/23 Fitim Shala, që u shpërblye për rinderëtim shtëpie është babai i Arjeta Shalës, asistente personale e ministrit të MAPL-së z. Elbert Krasniqit. 

    Arjeta Shala po ashtu ka qenë pjesë e listës zgjedhore të vitit 2021 në partinë e IRDK-së .

    4-Përfituesi me numër 621/23 Arsim Avudllahi (LOT 2) nga Fushë Kosova është familjar i asistentës së Ministrit Krasniqi, Arjeta Shalës,. 

    5- Përfituesi me numër 623/23 Imer Berisha (LOT 2) nga Fushë Kosova është familjar  nga ana e nënës (dajë) së  Arjeta Shalës, asistente përsonale e ministrit të MAPL-së z. Elbert Krasniqit. 

    6-Përfituesi me numër 825/23 Bajram Majiqi, nga komuna e Ferizajt, që përfitoi nga fondi i rindërtimit të shtëpive është i biri i tezës së Isa Osmanit, Këshilltar i Ministrit Elbert Krasniqi. Kërë e ka konfirmuar vet ai në një reagim ku ka shtuar se sipas tij, “Bajram Majiqi është 25 vjeqar babai i dy fëmijëve, ku vajza e vogël një vjeqare është operuar në zemër para dy muajve. Bajrami ka nevoj për renovim të shtëpisë është i papunë, merr ndihmë sociale dhe jeton në një shtëpi me 9 anëtar me vetëm dy dhoma ku nga lagështia dhe kundërmimi nuk jetohet”, ka thënë.

    Isa Osmani është anëtar i IRDK-së parti kjo që drejtohet nga ministri i MAPL-së z.Elbert Krasniqit.

    7-Përfituesi me numër 626/23  Bajram Bajrami ( LOT 2)  është djali i shefit të zyrës komunale për komunitetet në Ferizaj, Rexhep Bajramit. Këta jetojnë në bashkësi familjare, kanë bërë të ditur për Insajderin aktivistë nga komunitetet jo-shumicë.

    9-Përfituesi me numër 380/23 ( LOT 2)  Skender Batalli nga Fushë Kosova është daja i Muharrem Asllanit, deri cvonë këshilltar i ministrit të MAPL-së Elbert Krasniqit dhe zyrtar i partisë IRDK .                                                                           

    10-Përfituesi me numër të protokolli me numër të protokollit 145/23  (LOT 2 ) Shaban Qerimi është prindi i nënkryetarit komunal për komunitete në komunën e Lipjanit Lulzim Qerimit.

    11-Përfituesi me numër të protokolli 110/23  ( LOT 2 ) Gezim Hoti nga Fushë Kosova është drejtor i organizatës “Health for All” me ç’rast që disa vite edhe siguron të ardhura pasi që ka qenë koordinator i disa projekteve me këtë organizatë.

    Djali i tij, Burhan Hoti është i punësuar ne komunën e Fushë Kosovës.

    Sipas aktivistëve në terren, Muharrem Asllanit, deri vonë  këshilltar i ministrit Krasniqi për disa vite ka punuar bashkë  Gezim Hotin në organizatën “Health for all”, ku ka edhe fotografi si dëshmi.

    12-Përfituesi me numër të protokolli 110/23  ( LOT 2) z. Gazmend Qyqalla nga Fushë Kosova është anëtar i kryesisë së IRDK-së  dhe nënkryetar i degës së IRDK-së në Fushë Kosovë parti kjo ku kryetar është ministri Krasniqi.  Qyqalla është drejtor organizatës “Young community leaders Center”.

    Në parti, dega në Fushë Kosovë shef e ka  Idriz Murtezin, deri vonë këshilltar i Elbert Krasniqit.

    13-Përfituesi me numër të protokolli 824/23( LOT 2)  Hamit Sefedini nga Ferizaj është person i cili jeton  në kushte të mira ekonomike , dhe në shumicën e kohës qëndron në diasporë tek djemtë dhe vajzat e tij. Sefedini ka dyqan dhe kafiterti që është biznes që ai dhe familja e tij e zhvillon.

    Sefedini ka lidhje të ngushta me IRDK-në dhe është anëtar i saj, dhe sipas publikimeve në Facebook gjatë kohës së procesit të aplikimit vërehet se ish-këshilltarët dhe një nga këshilltarët aktual të Ministrit  Krasniqi, Isa Osmani, Muharrem Asllani e  Idriz Murtezi vërehet të jenë takuar në Ferizaj me Sefedini.

    14-Përfituesi me numër 124/23  ( LOT 2 ) Agim Hyseni nga komuna e Podujevës në të kaluarën ka mbajtur pozita politike të ndryshme . edhe për këtë përfituese, aktivistët në terren i kanë thënë Insajderit se gjatë kohës së procesit të aplikimit shihet që Isa Osmani, Muharrem Asllani dhe Idriz Murtezi jenë takuar me të në Podujevë.

    15-Përfituesi me numër 645/23 (LOT 2)  Lavdim Lala nga Gjakova është kushëri i afërt i deputetit të IRDK-së z. Frdion Lala.

    16-Përfituesi me numër të protokolli  601/23  (LOT 2)   Luan Qukani nga Gjakova e zhvillon biznesin e Poçarisë e ka punëtorinë dhe dyqanin e shitjes në komunën e Gjakovës.

    Sipas aktivistëve në terren, i njëjti muaj më parë ka përfituar subvencion për zhvillimin e biznesit  të tij nga ana e Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve.  

    17-Përfituesi me numër të protokolli 493/23 (LOT 2)  Hasim Puqolli nga Fushë Kosova është aktivist dhe anëtar i partisë së IRDK-së

    18-Përfituesi 481/23 (LOT 2)  Dashnim Bajrami nga Fushë Kosova përshkruhet nga aktivistët si njeri me të ardhura relativisht të mira, pasi që është i punësuar bashkë me një familjar të ngushtë në një “Call Cente”, por që u fut në listën e përfituesve me ndikim të  Idriz Murtezit  kryetar i degës së IRDK-së në Fushë Kosovë,

    19-Përfituesi i ndërtimit të shtëpisë me numër të protokolli 002/23 (LOT 1)  Besim Kryeziu nga komuna e Lipjanit aktualisht është shofer personal i Zëvendës-ministrit Resul Makreshit dhe ish shofer ish-nënkryetarit të kuvendit të Republikës së Kosovës deputetit Bekim Arifit nga PAI ( Partia e Ashkalive për Integrim).

    20- Përfituesi i ndërtimit të shtëpisë me numër të protokollit (LOT1) 258/23 Naser Haniqi është axha i Viloleta Haniqi asistente e deputetit të PAI-së, Bekim Arifit.

    21-Përfituesi me numër të protokolli  003/23 (LOT 2) Enver Kryeziu nga Lipjani  është asamblist komunal i PAI-së në Komunën e Lipjanit. I njëjti siç dihet se përfiton të ardhura mujore rreth 700 euro.

    22-Përfituesi me numër të protokolli  (LOT 2) 265/23 Jeton Ismajli nga Ferizaj është miku i shtëpisë së deputetit  Bekim Arifit.

    23-Përfituesi me numër të protokolli 829/23 (LOT 2) Safet Misini nga Ferizaj është përfitues i ndërtimit të shtëpisë para tri viteve nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas aktivistëve në terren, ai përfitoi tash edhe për ri-ndërtim të shtëpisë përsëri pasi për këtë dyshohet se ka ndikuar deputeti i PAI-së Bekim Arifit, që është mik shtëpie me Safet Misinin

    24-Përfituesi me numër të protokolli 047/23 (LOT 2) Xhemajl Asllani nga Fushë Kosova është kushëri i afërt i Artan Asllanit, këshilltar i kryeministrit Albin Kurtit dhe nga Partia PAI.

    25-Përfituesi me numër të protokolli 050/23 (LOT 2) Remzi Ademi nga Fushë Kosova është miku shtëpisë së Artan Asllanit ,këshilltar I kryeministrit Kurti

    26- Përfituesi me numër të protokolli  643/23 (LOT 2)   Veli Halabaku nga Prizreni, sipas hulumtimit në terren me aktivistë të shoqërisë civile nga komunitete jo-shumicë del se  është miku i shtëpisë së Skender Qorrit – kryetar i degës së IRDK-së në Gjakovë.

    Veli Halabaku është përfitues edhe i një subevncioni qeveritare pak muaj më herët për bizneset e tij.

    27-Përfituesi me numër të protokolli  797/23 (LOT 2) Blerim Avdo nga Prizreni është kryetar i degës së LPRK/në Prizren e drejtuar nga deputeti Ergjan Galushi.  Blerim Avdo ka qenë përfitues I ndërtimit të shtëpisë para tri viteve  nga një fond qeveritar për komunitete.

    Po ashtu Blerim Avdo është në punë ne një firmë private dhe ka pagë nga subjekti politik LPRK.

    28-Përfituesi me numër të protokolli  800/23 (LOT 2) z. Bashkim Veshall nga Prizreni është baba i gruas të Blerim Avdo – kryetarit të degës së LPRK-së në Prizren, partia e deputetit Galushi

    29- Përfituesi me numër të protokolli  687/23 (LOT 2) Alim Itaj nga komuna e Klinës është baballaku i zyrtarit komunal për komunitete në Klinë Halil Kerellaj. Kerellaj nga publikimet që i bën në rrjetet sociale vërehet së është i afërt i ministrit të MAPL-së, Elbert Krasniqi.

    30-Përfituesi me numër të protokolli për ndërtim të shtëpisë  545/23 (LOT 1)  Blerim Dollci nga Istogu është djali i anëtarit të kryesisë së IRDK-së dega në Istog dhe aktivist Ukë Dollcit.

    Si u shpenzuan 3 milionë euro pa tender- flasin nga KRPP-ja

    Në vitin 2022 në një hulumtim të Insajderit ishte zbuluar se një dikaster tjetër, ai për Kthim dhe Komunitete kishte ndërtuar shtëpi, një projekt i ngjashëm si ky i MAPL-së tash.

    Por, për dallim nga MAPL-ja në fondin 3 milionë euro për ndërtim e renovim shtëpive, në Ministrinë e kthimit kompania për kryerjen e punëve ishte zgjedhur përmes tenderit.

    Lexojeni të plotë hulumtimin këtu: https://insajderi.org/3-7-milione-euro-tender-dhe-shume-dallavere-cka-po-ndodhe-me-shtepite-per-te-kthyerit-ne-kosove/

    Në rastin e MAPL-së, në faqen e saj ka vetëm një dokument me kompani që ata i përshkruajnë si të para-kualifikuara, dhe se përfituesit e fondit, mund të përzgjedhin njërën nga këto kompani për ti ndërtuar ose rinovuar shtëpitë e tyre.

    Insajderi e ka pyetur MAPL-në se pse nuk shpalli tender për këtë punë, dhe sipas tyre kjo u bë pasi që morën një interpretim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimeve në Kosovë (KRPP).

    “Lidhur me këtë ne kemi pranuar vendimin e KRPP-së të cilët kanë sqaruar se nuk hapen procedura të prokurimit për subvencione. Për këtë e keni të bashkangjitur interpretimin nga KRPP lidhur me këtë cështje në bazë së të cilit sqarohen procedurat në fjalë”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Insajderin.

    MAPL-ja bën me dije po ashtu se më datë 22 gusht 2023 është hapur thirrja publike për kompanitë e interesuara sipas kritereve të vendosura nga MAPL dhe se përfituesit e subvencioneve, “janë njoftuar për kompanitë e para-kualifikuar me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve mirëpo përfituesit e kanë pasur të drejtën e plotë të përzgjedhjes së operatorit ekonomik për ndërtimin e shtëpive”.

    Insajderi ka komunikuar edhe me KRPP-në për këtë aspekt të shpenzimit të 3 milionë eurove pa tender, dhe në përgjigjet e tyre ndër të tjera thuhet se “për çdo aktivitet të prokurimit i cili nuk bie në fushëveprimin e nenit 3 të LPP-së (Përjashtimet), Autoriteti Kontraktues duhet ta përdorë njërën nga procedurat e prokurimit të përcaktuara me ligj”, por nuk kanë qenë të prerë se a është dashur, apo jo, që të shpallte tender MAPL-ja për përzgjedhjen e kompanisë, ose kompanive, që do të ndërtonin e rinovonin shtëpitë.

    “Interpretimet e dhëna nga KRPP,  i referohen vetëm pyetjes së parashtruar nga ana e parashtruesit dhe assesi nuk i dedikohet aktivitetit të prokurimit. Po ashtu, lidhur me pyetjen tuaj, KRPP sqaron se: AK-Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me datë 21.06.2023 ka parashtruar kërkesë për intrepretim, lidhur me pyetjen se: “A kemi ndonjë pengesë ligjore që të zhvillojmë procedurë të prokurimit për përzgjedhje të OE, i cili do te ndërtoj dhe renovojë këto shtëpi, ndërsa pagesa do të bëhet nga kategoria e subvencioneve”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

    Ndërsa, KRPP sipas pyetjes së parashtruar, me date 26.06.2023 ka dhënë përgjigje si në vijim:

    “Sipas nenit 87, paragrafit 2, nën paragrafit 2.8 të LPP-së, në funksion të KRPP-së është “t’u japë ndihmë teknike dhe këshilla autoriteteve kontraktuese dhe operatorëve ekonomik për zbatimin dhe interpretimin e dispozitave të këtij ligji si dhe për të çdo dokument që nxirret nga KRPP”.

    Lidhur me pyetjen tuaj, se “A kemi ndonjë pengesë ligjore që të zhvillojmë procedurë të prokurimit për përzgjedhje të OE, i cili do te ndërtoj dhe renovojë këto shtëpi, ndërsa pagesa do të bëhet nga kategoria e subvencioneve”.

    KRPP sqaron se, rastet e përjashtimit përcaktohen me nenin 3 të LPP-së.

    Pra, sipas KRPP-së, për çdo aktivitet të prokurimit i cili nuk bie në fushëveprimin e nenit 3 të LPP-së (Përjashtimet), Autoriteti Kontraktues duhet ta përdorë njërën nga procedurat e prokurimit të përcaktuara me ligj.

    Ndërsa, LPP dhe legjislacioni dytësor i nxjerrë nga KRPP në bazë të autorizimeve që i janë dhënë me këtë ligj, nuk i trajton kategoritë e subvencioneve.

    Po ashtu, “Çështja e pagesave” nuk rregullohet me dispozita të këtij ligji dhe legjislacionit dytësor të nxjerrë nga KRPP në bazë të autorizimeve që i janë dhënë me këtë ligj.

    Çështjet e tilla rregullohen me Ligjin për Menaxhimin e Financave dhe Përgjegjësitë, prandaj KRPP iu këshillon t’i referoheni këtij ligji dhe për çdo pa qartësi të konsultoheni me zyrtarë ligjor të autoritetit tuaj dhe/ose me Ministrinë e Financave”.

    Pra, bazuar në sqarimin e lartë cekur, KRPP i ka thënë Insajderit se konsideron se, për çdo aktivitet të prokurimit i cili nuk bie në fushëveprimin e nenit 3 të LPP-së (Përjashtimet), Autoriteti Kontraktues duhet ta përdorë njërën nga procedurat e prokurimit të përcaktuara me ligj./Gazeta Insajderi.

    Shënim: Ky artikull ka pësuar ndryshime, pas reagimeve që ka marrë pas publikimit, duke përmirësuar gabime të paqëllimshme që mund të jenë përvjedhur gjatë punës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark