Pasi Gazeta Insajderi përmes një hulumtimi vendosi në pah se si ka dështuar riparimi i njësisë që prodhon 130 MW nga dy njerëzit e Vetëvendosjes në KEK, vjen ragimi i anëtarit të LDK-së, Xhafer Tahiri. Ai ka thënë se Kosova ka humbur 56 milionë euro për energji, që nga 19 korriku.
“130 MWh energji nuk po prodhohen në Bllokun A5 në KEK, nga 19 korriku 2022. Me koston aktuale të energjisë në bursa, kjo në numra i bie humbje prej 78 mijë € në orë: ose 1 milion e 870 mijë euro në ditë apo 56 milionë € në muaj. E kjo humbje do të vazhdoj deri kur A5 të rikthehet në prodhim“, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.
Për këtë, Xhaferi fajësoi Qeverinë dhe bordin e KEK-ut.
“Pra, 56 milionë € në muaj Kosovës po i kushton paaftësia e Qeverisë dhe Bordit të KEK, sepse KEK për 1 vit nuk ka arritur të filloj me remont në Bllokun A 5, e janë detyruar për shkaqe teknike nga 19 Korriku me ndal krejt Bllokun A5. As kontratë për remont të këtij blloku KEK nuk ka!!!”, u shpreh ai.
Hulumtim | Si e dështuan riparimin e njësisë që prodhon 130 MW dy njerëzit e Vetëvendosjes në KEK
Njësia që arrin të prodhojë 130 megavatë orë të energjisë elektrike nga KEK është dashur të riparohej shumë kohë më parë. Një hulumtim i Insajderit ka zbuluar se fillimisht këtë riparim e bllokoi këshilltari i bordit, një figurë politike e Vetëvendosjes e dërguar atje pas anëtarësimit në parti dhe pas pensionimit, si dhe drejtori aktual, i caktuar nga bordi që e dërgoi Qeveria Kurti. Edhe një tender milionësh po për riparimin e kësaj njësie ka dështuar
Më 21 korrik të këtij viti Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka publikuar në faqen e saj njoftimin e fundit për fatin e njësisë prodhuese A5 të termocentralit Kosova A. “Njësia A-5 është ndalur për qëllim inspektimi dhe riparimi, pra kjo ndalje është bërë sipas planit për revizion konform planit të përditësuar të remonteve dhe revizioneve, duke respektuar në tërësi obligimet kontraktuale ndaj furnizuesit publik”, thuhej në këtë njoftim, dhe informacion tjetër se kur do të vihet në funksion nuk kanë dhënë.
Një hulumtim i Insajderit gjen se historia me riparimin e kësaj njësie që prodhon 130 MW energji elektrike dhe dështimi për ta riparuar vet atë është i kamotshme. Në është përfshirë edhe këshilltari i jashtëm i KEK për një kohë, Gazmend Begolli i partisë së Kryeministrit Albin Kurti.
Begolli, vite më parë ishte prezantuar nga Kryetari i Vetëvendosjes si aderim partiak në cilësi të ekspertit. Vitin e kaluar KEK-u e angazhoi si këshilltar të bordit, dhe si i tillë edhe ka dhënë prononcime.
Tutje Xhaferi sugjeroi se këto humbje shteti do mund të investonte në disa fusha tjera.
“Çka kish me ba Kosova me 56 milion € në muaj? p.sh kish me ndërtu kopshte për fëmijë në krejt Kosovën, ose nga buxheti i Kosovës ne vend që këto para me i hargju me ble energji, ishin përdorë me i rritë pagat e mësuesve e të mjekëve”.
“Pse remonti i A5 nuk ka ndodhë në kohë? Sepse tenderi për remont me gjasë ju ka përgatitë dostave të bordit të zgjedhur nga kjo Qeveri, tenderi ka dështuar, Blloku A 5 është ndalur, KEK prodhon 130 MWh më pak ndërsa nga buxheti i shtetit po shpenzohet me ble energji, e prap kemi reduktime në pikë të verës”.
“Terri ka adresë!”, përfunoi Tahiri.