×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Hykmete Bajrami akuzon Vetëvendosjen për punësime partiake

    Insajderi
    19 December 2022 - 14:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka pasur një përplasje në Komisionin për Administratë Publike më zëvendës ministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.

    Duke e kundërshtuar Projektligjin për zyrtarët publikë, deputetët e opozitës kanë thënë se ky projektligj dhe ai për pagat do të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.

    Deputetja Bajrami, ka akuzuar Vetëvendosjen për punësime partiake, duke përmendur punësimin e ish-asamblistit të VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, i cili është zgjedhur drejtor në ndërmarrjen “Iber Lepenci”.

    Ajo ka thënë po ashtu se shqetësim i Zyrës së BE-së dhe LDK-së për Projektligjin për zyrtarët publikë mbetet shpallja e rekrutimit pas një viti për të gjitha pozitat e nivelit të mesëm menaxherial.

    “Zëvendësministër, raporti i fundit i progresit, mos e devijo debatin, nuk ka pozitë që nuk e keni ‘kapë’… Nuk dëshiroj që në komision të bëj politikë, mirëpo Vetëvendosje ka mundur të flasë për nepotizëm e politizim në të kaluarën. Trego kush është zgjedhur në ndërmarrjen “Iber Lepenci”? Trego! Prandaj, leni këto blofe që po i hapim konkurset për diasporë. I keni 80 për qind të pozitave të larta me ushtrues detyre, nuk po vijnë njerëzit me punuar me juve, ky është problemi, nuk është problemi i ligjeve. Nuk ka konkurse të brendshme për nivelin e mesëm menagjerial, sepse thuhet që një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit, do të shpallet rekrutim për komplet drejtorët”, theksoi Bajrami.

    Mes kritikave dhe vërejtjeve opozita ka kërkuar të hënën që mos të miratohen me nguti dy projektligjet, për zyrtarët publikë dhe ai për pagat në sektorin publik.

    Gjatë shqyrtimit të tyre mes dy leximeve në Komisionin për Administratë Publike, deputeti nga radhët e PDK-së, Isak Shabani kërkoi që këto dy projektligje të mos miratohen me nxitim ose me procedurë të përshpejtuar.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark