×
  • Lajme
  • Insajderi

    I dënuar e me aktakuzë – InDoks sjell historinë e Safet Kyqykut që u arrestua për bixhoz bashkë me djemtë

    Insajderi
    09 October 2022 - 20:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ditë më parë biznesmeni Safet Kyqyku është arrestuar nga Policia e Kosovës, së bashku me të në pranga ranë edhe djemtë e tij, Iliriani e Përparimi. U sekuestruan mijëra euro para kash e shumë vetura. InDoks përmes dokumentarit “Dosja e bixhozit”, sjell të kaluarën kriminale të Safet Kyqykut, që kryesisht lidhet me industrinë e bixhozit.

    Babai me djemtë që ranë në radarin e hetuesve në operacionin “Toto” nuk janë të panjohur për Prokurorinë. As nuk janë të panjohur për industrinë e lojërave të fatit, dikur e ligjshme në Kosovë.

    Emri i Safet Kyqykut është përmendur si i pari në një dosje të trashë të Prokurorisë që është në proces gjykimi në Prishtinë. Aty janë listuar 27 të akuzuar.

    Ai ishte pronar i rrjetit të bastoreve Tipsport365. Sipas regjistrit të bizneseve kishte hiç më pak se 50 njësi, të shtrira në tërë territorin e vendit.

    Sipas prokurorisë, Safet Kyqyku dyshohet se deri në vitin 2016-2017 ka organizuar jashtëligjshëm lojëra të fatit nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Prishtinë, Rahovec, Suharekë, Prizren e Mitrovicë etj.
    Për zhvillimin e kësaj veprimtarie i njëjti bazuar në aktakuzë nuk kishte leje pune nga komunat gjegjëse.

    Në Prishtinë kjo veprimtari sipas prokurorisë zhvillohej në lagjen “Bregu i Diellit”. Kyqyku duke vepruar në kundërshtim me ligjin për lojërat e fatit, ju ka mundësuar pjesëmarrëseve të ndryshme te lojërave të fatit, përdorimin e dy automateve të pa licencuara të tipit “Kayot”.

    Në Rahovec atij i janë gjetur tri automate që përdorën për lojëra të fatit, e për të cilat kishte leje të përdoreshin në Suharekë. Tri aparate të tipit ACT, KAYOT dhe APEX. Në këtë lokal po ashtu klientëve të tij iu ka mundësuar edhe lojëra të fatit “Keno” .

    Në Prizren atij i janë gjetur 8 aparate të pa licencuara, të tipit “X game”, ACT, Kajot dhe Admiral.

    Në Mitrovicë i janë gjetur lojëra të ndryshme të fatit si “Keno” dhe “Dog Racing”.
    Dosja që është deponuar në Gjykatë për këtë të akuzuar thotë se ai u ka mundësuar klientëve të bastoreve të tij që të luajnë madje edhe në aparate të pa-licencuara që i kishte. Kjo praktikë është gjetur një në shumë e shumë raste, dhe madje atij iu gjetën edhe organizim i lojërave me qen, që edhe ashtu ishte i palejuar edhe me ligjin e vjetër.

    Hetuesit kishin gjurmuar edhe në transaksionet e tij financiare, në shuma të mëdha, që herë shkruheshin si huazim e herë si kthim huazimi. Në disa raste, paratë ishin bartur edhe brenda familjes nga babai tek djali dhe më vonë ishin nxjerrë jashtë vendit përmes kompanive si MonyGram e WeternUnion për të përfunduar te persona në Shqipëri, Maqedoni e deri në Bullgari. Dhjetëra transaksione që Prokuroria po i konsideron të dyshimta. Shuma totale e transaksioneve, mbi 340 mijë euro.

    Një pjesë të transaksioneve i kreu me një biznes krejt tjetër të tij, që nuk ishin bastoret, por një kompani për tregti.

    Në raste të tjera të hetimeve për fajde, Prokuroria kur kishte parë raste të shumta të tilla si huazim e kthim borxhi, kishte ngritur dyshime edhe për fajde.

    Po për transaksione të dyshimta që lidhen me Safet Kyqykun, Prokuroria ka akuzuar edhe Bekim Kyqykun. Ai depononte para kesh në bankë që shkonin në xhirollogarinë e Safet Kyqykut.

    Dokumentari i plotë – InDoks | Dosja e bixhozit

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark