×
  • Lajme
  • Lajme

    I dyshuari kryesor për vrasjen e “Dhisë” ende në arrati – Çfarë po ndodhë me rastin që tronditi Podujevën?

    Insajderi
    08 March 2024 - 15:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Mëngjesi i 11 shtatorit të vitit të kaluar, kishte nisur me një ngjarje të rëndë në qendër të Podujevës.

    Një 17 vjeçar i armatosur hyri në njërin nga supermarketet e qytetit dhe vrau 34 vjeçarin, Valmir Breznica teksa la të plagosur gruan e tij.

    Gjithë krimin i riu dyshohet se e kreu para syve të fëmijës katër vjeçar të viktimave.

    Hetimet policore të nisura qysh atë ditë dërguan në arrestimin e Arsim Sylës – i cili dyshohej si urdhërdhënës.

    Arrestimi i Sylës ndodhi ditën e krimit (11 shtator 2023) në mbrëmje, ku brenda shtëpisë së tij u gjet edhe armatim.

    FOTO/ Arsim Syla – I dyshuar si organizator i vrasjes

    Por, kamerat e sigurisë dhe rrëfimet e dëshmitarëve shfaqnin një person tjetër, shumë të ri në moshë dhe vështirë të identifikueshëm – si i dyshuar që kreu aktin e vrasjes.

    Janë dashur javë të tëra që Policia e Kosovës të arrijë ta bëjë identifikimin e personit.

    Gati një muaj pas krimit, Policia doli me njoftim zyrtar.

    Ata kishin arritur ta bëjnë identifikimin e të miturit. Bëhej fjalë për djalin e të dyshuarit si organizator – Arsim Sylës, Lordin.

    Vështirësia për identifikimin e 17 vjeçarit ishte për shkak që i njëjti jetonte prej vitesh në Holandë dhe posedonte pasaportë holandeze.

    Insajderi merr vesh që ai nuk kishte fare as dokumentacion të Republikës së Kosovës.

    Policia kërkonte ndihmë nga qytetarët për kapjen e Lordi Arsim Sulja.

    Derisa babai i Lordi Suljas, Arsim Syla gjendet ende në paraburgim  dhe ani se kanë kaluar rreth mbi pesë muaj nga ky krim, kapja e 17 vjeçarit nuk është arritur ende të bëhet.

    Lordi Sulja momentalisht gjendet në arrati dhe Insajderi merr vesh se ani se është lëshuar kërkim ndërkombëtar për kapjen e tij, ai ende nuk është arrestuar.

    Këtë e konfirmojnë edhe familjarët e viktimës, Valmir Breznica i njohur me nofkën “Dhija”.

    Ende nuk është arritur të bëhet arrestimi i tij. Nuk ka ende as ngritje të aktakuzës e as asgjë tjetër. Ne ia kemi lënë këtë punë në dorë institucioneve vendore, e shpresojmë që do e përfundojnë sic është më së miri. Babai i atij djali (Arsim Syla) e di që është në burg. Kaq dimë për momentin”, i ka thënë Insajderit Mehmet Breznica – familjar i Valmir Breznicës.

    FOTO/ Mehmet Breznica – familjar i Valmir Breznicës

    Ky nuk është rasti i vetëm i kohëve të fundit që të dyshuarit për krime të rënda arrijnë të ikin nga vendi. Përkundër që ndaj tyre ekzistojnë fletarrestet ndërkombëtare, kapja e tyre po është e vështirë.

    FOTO/ Valmir Breznica – viktima

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark