×
  • Hulumtime/Analiza
  • Insajderi / Ballina 5

    I ekstraduar me bujë në Amerikë tash jeton i lirë në Pejë – Kush është Demë Nikqi që akuzohej për trafikim me njerëz kah Meksika në ShBA?

    Insajderi
    13 December 2022 - 19:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    U kap me bujë në kufirin Kosovë-Shqipëri, më bujë të madhe u ekstradua në Amerikë. Aktakuza iu ngrit atje me 28 pika. Drejtësia amerikane e përshkruajnë si një nga liderët e një grupi kriminal ndërkombëtar që trafikonte njerëz në ShBA. Dyshohej se së paku dy persona gjatë transportit ilegal që ai organizoi kishin vdekur. Njëri madje nga Kosova. Sjelljet brutale deri nga privimi i ushqimit e frikësimi i dëshmitarëve, janë veç akuza shtesë që ia përshkruhen Demë Nikqit në një dokument që e ka siguruar Insajderi. Por, si u bë që ai tash është i lirë në Pejë? Si u bë që rasti nga Prokuroria Speciale kaloi në atë të Pejës? Pse edhe pas afro tri vitesh kjo Prokurori nuk pranon të zbuloi asgjë nga hetimi, pos konfirmimit të tij?

    Visar Duriqi

    Ishte janari i vitit 2011. Prokuroria në New York dorëzoi në Gjykatë një letër të gjatë e të detajuar ku kërkonte që të sillej para drejtësisë një shtetas i Kosovës që po kërkohej për trafikim me qeni njerëzore. Hetimi ishte i gjatë. I ndërlikuar. I dyshuari në këtë rast: Demë Nikqi nga Peja iu dilte hetuesve amerikanë me plotë pseudonime: Hektor Kelmendi, “Dragani”, “Gjergji”, “Zoki” e shumë e shumë pseudonime të tjera.

    Në atë kohë dyshohej se ai po qëndronte në Kosovë. Muaj më vonë ai do të kalonte kufirin Kosovë-Shqipëri. Pavarësisht numrit të madh të pseudonimeve, sistemi do ta identifikonte. U kap në kufi nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë.

    Më 6 janar 2012 Agjencia për Migracion e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të njoftonte se ka ekstraduar Demë Nikqin në Amerikë ku ai do të përballej me drejtësinë amerikane.

    Aty bëhet me dije se një aktakuzë kundër tij po qëndronte e deponuar në Gjyq që nga maji i vitit 2010- aktakuza ishte me 28 pika.

    Akuzat ishin bërë në kuptim të rolit të tij udhëheqës në një grupi të trafikimit ndërkombëtar me imigrant. Ai akuzohej se ka trafikuar njerëz në SHBA duke i kaluar ata përmes Meksikës, dhe tutje në Tokën e Premtuar.

    Aktakuza e 2010-se thoshte që pejani Demë Nikqi që nga  janari 2006 deri në shkurt 2010 kishte udhëhequr e organizuar një rrjeti kriminal ndërkombëtar të dedikuar për kontrabandimin e kosovarëve nga Ballkani në Shtetet e Bashkuara përmes Amerikës Latine.

    Nikqi, i cili kishte banuar në Brooklyn në vitet 90-ta dhe që më parë i ishte mohuar statusi i qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, dyshohej se e drejtonte këtë ndërmarrje kontrabande nga shtëpia e tij në Pejë, Kosovë.

    Sipas dokumenteve të gjykatës, Nikqi dhe bashkëpunëtorët e tij vlerësohet se kanë kontrabanduar qindra individë përtej kufirit meksikan dhe në Shtetet e Bashkuara çdo vit. Një nga operacionet e kontrabandës së Nikqit dyshohet se rezultoi me vdekjen e një kosovari në Teksas në vitin 2010.

    Si funksiononte grupi i Demë Niqkit?

    Sipas dokumenteve të gjykatës, Demë Nikqi, ose Hektor Kelmendi, për ti dërguar njerëzit në ShBA ua merrte deri në 12 mijë euro secilit.

    Në këmbim, ai do t’i furnizonte ata me pasaporta dhe viza false, sipas nevojës, dhe do të organizonte fluturime nga vende të ndryshme në Evropë për në Kankun, Meksikë; San Jose, Kosta Rika; dhe Buenos Aires, Argjentinë.

    Duke punuar me kontrabandistë të tjerë në këto vende, Nikqi dyshohej se organizoi transport tokësor përmes Amerikës Qendrore, Meksikës dhe në Shtetet e Bashkuara.

    Dokumentet e gjykatës pretendojnë se këto udhëtime ishin shpesh të rrezikshme. Disa njerëz ishin fshehur në ndarjet e bagazheve të autobusëve dhe brenda rimorkiove, me pak ose aspak ushqim ose ujë.

    “Në shkurt 2010, një veturë që transportonte tre kosovarë dhe qytetarë të tjerë është përplasur duke u ndjekur nga Patrulla e Autostradave të Teksasit. Një kosovar dhe një shtetas i Salvadorit mbetën të vrarë dhe disa të tjerë në të njëjtën automjet u plagosën rëndë”, thuhet tutje në dokumentet e rastit.

    “Siç pretendohet, i pandehuri udhëhoqi një organizatë kriminale ndërkombëtare që u premtoi shpresë dhe një jetë të re qindra njerëzve, por në realitet i shfrytëzoi për para, i çoi në rrezik dhe paraqiste një kërcënim të rëndë për kufijtë e kombit tonë. Organizatat transnacionale të kontrabandës ku bënte pjese edhe Demë Nikqi shihen si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe do të ndiqen me forcë”, deklaroi Prokuroria e rastit Loretta Lynch, para Gjyqit.

    Pejani Demë Nikqi kishte shtyrë një sërë agjencish amerikane që të bashkëpunonin për ta kapur atë, si dhe vet Departamentin e Drejtësisë të koordinonte hetimin me Shqipërinë, Kosovën, Interpolin e EULEX-in.

    Niqki do të ekstradohej në Amerikë. Me shumë bujë u përcoll atje, por tutje më nuk dihet se çka ndodhi me të, pos që në internet ende shikohen storiet televizive të lajmeve të asaj mbrëmje.

    Demë Nikqi në Kosovë, qe afro tri vite nën hetim por i lirë.

    Insajderi e ka pyetur Byronë Federale të Hetimeve në ShBA se si përfundoi rasti i Demë Nikqit dhe se mos i njëjti është kthyer në bashkëpunëtor të kësaj agjencie, pasi që ai u kthye përsëri në Kosovë, por të njëjtit nuk kanë pranuar që të komentojnë.

    Afro tri vite më parë, Insajderi merr vesh që Demë Niqki do të shfaqej i lirë në Pejë. Po në këtë kohë, ose edhe më herët një hetim kishte nisur kundër Demë Nikqi nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Rrethanat nuk janë sqaruar se si e pse, por rasti për çudi iu kaluar Prokurorisë Themelore të Pejës.

    Kjo Prokurori i ka konfirmuar Insajderit se po e heton Demë Nikqin, por pa dhënë më shumë detaje e as pse po e heton.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, pasi ka pranuar rastin nga Prokuroria Speciale e Kosovës, menjëherë në koordinim me Policinë e Kosovës ka filluar grumbullimin e informatave rreth kësaj çështje, ku me pas janë  ndërmarrë veprime për verifikimin e këtyre  informatave”, thuhet në përgjigjen e kësaj Prokurorie për Insajderin.

    “Ky rast është nuk është mbyllur, mirëpo aktualisht janë duke u ndërmarrë veprime me autorizimin e Prokurorit të Shtetit. Andaj, për mos ta cenuar këtë proces në ketë fazë nuk mund të ndajmë me shumë informata me qellim të zhvillimit të suksesshëm të këtij rasti”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë për Insajderin.

    Insajderi merr vesh që afro 3 vite më parë ky rast i ka kaluar Prokurorisë së Pejës. Sipas procedurës, hetimi mund të zgjatet jo më shumë se dy vite, dhe në raste të veçanta, me leje të Gjykatës edhe mund të kërkohen afate shtesë. Por, nga kjo Prokurori nuk kanë treguar se si janë me afatet ligjore për ta ndjekur ende penalisht pejanin Demë Nikqi.

    Një histori tjetër e Demë Nikqit me lidhje në Amerikë Latine

    Në dokumentin e deponuar në Gjyqin amerikan që e ka siguruar Insajderi i bëhet një profil veprimtarisë së dyshimtë kriminale të Demë Nikqit.

    “Për afro 30 vjet, jeta e Nikqit ka qenë karakterizuar nga përpjekje të përsëritura për të kryer mashtrime imigracioni kundër Shteteve të Bashkuara në emër të tij dhe të të tjerëve. Sipas dosjes së emigracionit të Nikqit, ai ka lindur më ose rreth 10 qershor 1958 në ish-Jugosllavi”, thuhet në këtë dokument.

    Aty bëhet m fije se në një intervistë të tij për zyrtarët e Shërbimi i Emigracionit në vitin 1995  Nikqi – duke përdorur emri “Dema Nikiç” – ka pohuar se ka hyrë ilegalisht në Amerikë përtej kufirit meksikan në vitin 1983.

    Ai atë kohë banonte në Brooklyn, New York, me gruan e tij,  që po ashtu kishte hyr ilegalisht në ShBA nga Meksika dhe atë në vitin 1988.

    Atë vit Niqki aplikoi për qëndrim të përhershëm në ShBA duke pretenduar se është punëtor sezonal në bujqësi, por u dënua se dokumentet ishin të falsifikuara.

    Në vitin 1996 Amerika tentoi ta dëbonte, por ai nuk paraqitej në seancë pasi që thoshte se ka dhimbje të forta në shpinë ani pse anën tjetër deklaronte se punonte si pullazxhi.

    Në një moment Dëm Nikqi kishte pretenduar se ishte shtetas i Sllovenisë. Por në vitin 1999 kur nisi lufta në Kosovë, ai u kthye përsëri të Agjencia e Emigracionit e iu tha se ishte nga Kosova dhe se kërkonte që të ri-hapje rasti i tij, duke pasur parasysh po gjendjen në Kosovë atë kohë.

    Pas dështimit për të marrë leje-qëndrimi në Amerikë, Nikqi kthehet në Pejë. Dosja e tij në Gjykatën amerikane thotë se pastaj ai ka udhëtuar shpesh në Amerikë Latine e Karaibe “për të çuar përpara kontrabandën e tij me njerëz”.

    Në dokumentin e deponuar në Gjykatën amerikane Demë Nikqi përshkruhet si njeri me lidhje të forta financiar e po ashtu edhe me botën e krimit nga çka ai mund edhe ti frikësonte dëshmitarët që mund të dëshmonin kundër tij.

    Aty thuhet edhe sa ishte në burg në Shqipëri, në pritje të ekstradimit në ShBA bashkëpunëtorët e tij jashtë kishin arritur të kontaktonin familje të viktimave të mundshme të tij për t’ua ndryshuar qëndrimet.

    “Nëse ai është i lirë dhe i aftë për të komunikuar lirisht me bashkëpunëtorët e tij, ai mund do të bëjë përpjekje për t’i frikësuar dhe mundësisht për të dëmtuar familjet e dëshmitarëve në Kosovë. Për më tepër, Nikqi në liri të vazhdonte të drejtonte operacionin e tij kriminal e cili është një ndërmarrje e natyrshme e rrezikshme që ka tashmë ka rezultuar në vdekjen e të paktën dy personave. Të tjerët kanë përshkruar se janë rrëmbyer dhe mbajtur në kushte të rrezikshme”, thuhet në këtë dokument amerikan që e posedon Insajderi.

    Derisa shteti amerikan e përshkruante si të rrezikshëm po të lihej në liri, Demë Nikqi tash është në liri në Pejë. Nuk është as në paraburgime. Hetimi për të po vazhdon, sipas Prokurorisë Themelore të Pjesë, por për çka e si, nuk është bërë e ditur./GazetaInsajderi

    ———-

    Disa ditë pasi që është publikuar ky artikull ne e-mail të Insajderit ka ardhur një reagim. Ka reaguar avokatja e Demë Nikqit, Aurora Mulhaxha.

    “Personi në fjalë, nuk e ka cilësinë e të pandehurit, pasi që nuk ka aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tij. Nuk e di se me çfarë qëndrimi prokuroria e ka bërë këtë konfirmim, por ndaj tij nuk ka aktvendim për fillimin e hetimeve dhe lidhur me këtë lendë i njëjti mund të jetë i dyshuar por jo i pandehur”, ka thënë ajo.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark