×
  • Lajme
  • Kulturë
  • Hulumtime/Analiza

    I ka humb vlera diplomës, po rrezikojmë të bëjmë klishe në vend të artit- Shkumbin Istrefi flet për kinematografinë në Kosovë

    Insajderi
    08 August 2022 - 14:00

    Humbja e vlerës së diplomës, gjenerata e re e artistëve dhe klishetë për shkak të ndjekjes së festivaleve që kryesisht nuk drejtohen nga njerëz të filmit, por nga njerëz të OJQ-ve. Janë këto disa prej problematikave që i ngrit Shkumbin Istrefi në një intervistë për Insajderin.

    Ai ka folur edhe për karrieren e tij, shfaqjet, vështirësitë, periudhën e Kosovafilmit, problemet me të cilat përballet, të arriturat e deritanishme si dhe për shumë gjëra të tjera.

    Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

    Insajderi: Çfarë kujtoni nga periudha e Kosovafilmit?

    Istrefi: Bashkëpunimin e parë me KosovaFilmin e kam pasur në filmin “Kukumi” të regjisorit Isa Qosja. Aty kam qenë i angazhuar si aktor, në një rol epizodik, por për mua ka qenë tepër emocionuese të luaj në një film në regjinë e Isa Qosjes e posaqërisht në një film të xhiruar në shirit filmik. Shiritin filmik e kemi pasur ëndërr. Sigurisht çështje kompleksi.

    Kukumi është një film shqiptar, i realizuar nga Kosovafilmi me regji të regjisorit të mirënjohur Isa Qosja. Ky film është shpërblyer në disa festivale të filmit nëpër botë.

    Insajderi: Cili është ndryshimi kryesor në kinematografinë kosovare nga periudha e më hershme dhe tash viteve të fundit?

    Istrefi: Kinematografia kosovare sipas meje është e re, në krahasim me vendet tjera. Duke qenë se, gjatë kohës sa kemi jetuar në Jugosllavi, si popullin, ashtu edhe intelektualët e krijuesit tanë artistik i ka preokupuar shumë gjendja politike e popullit shqiptar në Kosovë, vuajtjet nëpër burgje, ideali i lirisë, etj. Këto tema edhe i kanë shfaqur si në krijimet e tyre teatrore, letrare, ashtu edhe kinematografike. Por fakti që kanë jetuar nën diktaturë, e ka diktuar edhe formën e shprehjes. Shprehja artistike ka qenë më metaforike, më simbolike, dhe kjo formë ka prodhuar vepra kinematografike jo edhe aq realistike. Më shumë kanë qenë vepra me dimension të fuqishëm poetik se sa rrëfyes. Sipas meje, kjo e karakterizon kinematografinë kosovare deri në periudhën e pas luftës. Viteve të pas luftës, e veçanërisht në 10 vitet e fundit, kanë ardhur gjenerata të reja skenaristësh e regjisorësh, të cilët kanë arritur që kinematografinë tonë ta afrojnë me kinematografinë aktuale evropiane dhe botërore më shumë sukses. Këtë e dëshmojnë edhe sukseset e filmave kosovarë në festivalet më prestigjioze botërore viteve të fundit.

    Insajderi: Ju karrierën tuaj e keni filluar si aktor, çfarë ju motivoi të punoni si producent e skenarist?

    Istrefi: Më së shumti nevoja për të krijuar dicka në formën të cilën e dëshiroj, por gjithesi edhe nevoja që të fitoj më shumë edhe në aspektin financiar.

    Insajderi: Cili ka qenë momenti më i mirë për juve si artist?

    Istrefi: Kënaqësinë më të madhe e kam kur aktroj, pra kur nuk kam ndonjë funksion tjetër përveç aktrimit. Do ta veçoja si kënaqësi në shfaqje teatrore në teatrin Dodona para luftës, si dhe në Teatrin Kombëtar viteve të para të pas luftës.

    Insajderi: Ju tani më besoj se jeni ballafaquar me aspektin e financimit të një filmi si producent, më tregoni për vështirësitë dhe sa ndihmon Ministria e Kulturës në këtë aspekt, a është e kënaqshme kjo mbështetje?

    Istrefi: Të prodhosh një film në Kosovë (në cilësinë e Producentit) është sikur t’i hedhësh 5 apo 6 vjet të jetës sate në mbeturina. Kështu do ta përshkruaja punën e producentit të filmit në Kosovë. Me nivelin e mbështetjes financiare që e merr një film i metrazhit të gjatë në Kosovë, është tepër e vështirë të prodhosh një film. Meqenëse Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, ne nuk mund të aplikojmë për fonde në fondet e shumta europiane. Nambetet të gjemë partnerë në regjion, të cilët me projektin tënd aplikojnë në fondet shtetërore të tyre, dhe nëse arrin të sigurosh së paku 50% të buxhetit të tërësishëm të filmit, je i lumtur. 50% e mbetur mbulohet pastaj me sakrificën financiare të Producentit, Regjisorit, Skenaristi dhe aktorëve kryesorë, të cilët heqin dorë nga një pjesë e madhe e pagesës, në mënyrë që filmi të realizohet.

    Insajderi: Skenari i filmit “Tri dritare dhe një varje”, në të cilin jeni producent ka një tematikë mjaft të ndjeshme, dhunimin seksual të grave në luftë, sa ka qenë e vështirë për ju ta realizoni duke konsideruar ndjeshmërinë e tematikës dhe përvojat apo kujtimet që ne shqiptarët kemi për atë periudhë?

    Istrefi: Skenarin e ka shkruar Zymber Kelmendi në konsultim dhe bashkëpunim me regjisorin Isa Qosja. Kur e kam lexuar për herë të parë, më ka lënë përshtypje tejet të madhe këndvështrimi me të cilin paraqiten pasojat e dhunimeve në shoqërinë tonë të pas luftës. Ky këndvështrim ka zgjuar kurreshtje tejet të madhe edhe në prezantimet të cilat ia kemi bërë projektit edhe para xhirimeve, në forume të ndryshme internacionale filmike. Sipas meje, ky këndvështrim e ka bërë që filmi të ketë një sukses të madh ndërkombëtar dhe të fitojë shumë çmime të rëndësishme.

    Insajderi:Si e shihni kreativitetin e tanishëm të regjisorëve apo skenaristëve sa i përket tematikave që zgjedhin për ta paraqitur në film?

    Istrefi: Skenaristët dhe regjisorët tanë bashkëpunojnë shumë në përzgjedhjen e temave që do t’i trajtojnë. Sipas meje, përvec interesit të tyre në një temë të caktuar, ata pak a shumë përcjellin edhe frymën ndërkombëtare që është e pranishme. Nganjëherë mendoj që ndjekja e frymës së festivaleve, dhe problematikave që mund të kenë hapësirë nëpër festivale, rrezikon të krijojë klishe, të cilat zbehin vlerën kinematografike në dobi të idesë apo mesazhit që përcojnë. Kjo ndodh shpesh edhe pse në seleksionet nëpër festivale, gjithnjë e më shumë ka njerëz nga organizatat joqeveritare, publicistë, sociologë, e më pak kineastë.

    Insajderi:Kur do të fillojë të shfaqet në kinematë e vendit filmi ‘Vera andrron detin’?

    Istrefi: “Vera andrron detin” do ta ketë premierën kosovare në kuadër të edicionit të sivjetëm të Prifestit, dhe pastaj do të shfaqet nëpër kinema. Po shpresoj në shtator.

    Insajderi: Cilat janë kriteret që  Ministria e Kulturës dhe Qendra kinematografike e Kosovës kërkojnë nga regjisorët që ta financojnë një film? A ka të bëjë me zhanrin e filmit?

    Istrefi: Kritere tematike dhe të zhanrit nuk ka, së paku jo në letër, por përvoja na tregon që QKK kryesisht në mos tërësisht financon projekte për të cilat juria profesionale përzgjedhëse konsideron që kanë potencial të plasohen nëpër festivale autoriale. Mendoj që QKK do të duhej të financojë edhe filma të zhanreve më komerciale. Kshtu do ta ndihmonte zhvillimin e industrisë së filmit në Kosovë, duke nxitur më shumë publik në kinematë tona.

    Insajderi:Ju tani jeni regjisor në serialin “Tre vllaznit”, si po ju shkon puna dhe çfarë mund të na thuash për këtë serial, cila është veçantia e këtij seriali?

    Istrefi: Seriali “Tre vllaznit” është një projekt i zhanrit sitkom, pra komedi. Sic është bërë praktikë në gjithë botën, që një serial i suksesshëm në një vend, të prodhohet në një vend tjetër dhe në një gjuhë tjetër, ashtu edhe ATV, ka blerë të drejtat e një seriali tepër të popullarizuar dhe sukseshëm të prodhuar në Bosnje dhe Hercegovinë, në mënyrë që të njëjtin ta adaptojmë dhe prodhojmë në gjuhën shqipe. Mendoj që ky serial do të sjellë risi, sidomos në nivelin dhe mënyrën e shkrimit të skenarit të serialeve te ne.

    Insajderi: Ju keni bërë një shkrim sa i përket vlerës së diplomës ku keni thënë se ‘i ka humbur vlera dhe i humb në vazhdimësi’ a mund të na elaboroni pak pse mendoni kështu?

    Istrefi: Po, statusi të cilin e kam shkruar në Facebook, më shumë ka qenë që të inkurajoj të rinjtë të mendojnë mirë para se të vendosin nëse duan të studiojnë në Universitet dhe nëse po, cfarë duan të studiojnë. Sipas meje, diploma universitare është bërë më shumë nevojë për të pasur “një letër” se sa të kesh dijeni për një profesion. Ka shumë profesione për të cilat ka nevojë tregu, dhe sigurisht ka shumë të rinj me talente dhe prirje të cilat nuk kërkojnë diplomë universitare, por më shumë diplomë të ndonjë shkolle profesionale apo të zanatit. Në anën tjetër, kriteriumet në Universitete kanë rënë dukshëm dhe ne hasim në njerëz me diploma të cilën mezi i shkruajnë dy rreshta, qoftë edhe me gabime. Kjo e devalvon diplomën dhe shkollimin universitar. Është fakt që kemi shumë kamariera me diploma të masterit në drejtime të ndryshme. Mendoj që një njeri i cili ka kryer 4 vjet bachelor dhe 2 vjet master, sikur të kishte zgjedhur një profesion apo zanat do të ishte edhe më profitabile për të, po edhe nuk do t’i shkonin huq 6 vjet studime të panevojshme.

    Insajderi: Ku qëndron problemi në tregun e punës në Kosovë për këta studentë të cilët diplomohen?

    Istrefi: Problemin pak a shumë e shpjegova në pyetjen e mësipërme, por po e elaboroj edhe pak. A ka nevojë tregu ynë për aq juristë, ekonomistë, ndoshta edhe aktorë sa shkollohen? Përditshmërtia na tregon që jo. Mendoj që shteti duhet të bëjë analiza dhe të stimulojë mësimin apo studimin e profesioneve për të cilat ka nevojë tregu vendor dhe poashtu ndërkombëtar. Sot më shumë ka kërkesë për IT, Programerë, Infermierë (në EU), etj etj.

    Insajderi: A keni projekte të reja? Nëse keni, në cilin rol jeni në këto projekte si aktor, regjisor apo producent?

    Istrefi: Momentalisht jam duke punuar vetëm në serialin “Tre vllaznit” në cilësinë e regjisorit dhe në adaptim të skenareve. Për më tutje të shohim.

    Kush është Shkumbin Istrefi?

    Insajderi: A mundesh të na përshkruash rrugëtimin tuaj dhe ndryshimet që keni përjetuar përgjatë karrierës suaj.

    Shkumbin Istrefi: Shkollën fillore dhe të mesme i kam kryer në Prishtinë, në shkollën fillore “Hasan Prishtina” dhe pastaj në shkollat e mesme “Xhevdet Doda” dhe në shkollën Normale (sic e quanim), në drejtimin matematikor. Pastaj përfundova shërbimin ushtarak dhe më pas fillova studimet në Fakultetin Teknik, Drejtimin Elektroteknik në Prishtine. I kreva dy vitet e para në Elektro. Në atë kohë, si i ri, kërkoja dicka më sfiduese se shkenca (e cila me shkonte për mrekulli). Kur dëgjova që është hapur drejtimi i Aktrimit në Fakultetin e Arteve, vendosa ta provoj veten në provim pranues dhe u pranova. Isha para një dileme të madhe. Të vazhdoj shkencën, në të cilën isha sprovuar me shume sukses, apo të filloj dicka që nuk kisha edhe aq shumë informata për të si profesion, pra Aktrimin. Vendosa për aktrimin. Kjo ishte një kthesë e madhe në jetën time. Fati im ishte që kisha profesor aktorin tonë të madh Enver Petrovcin, i cili, përvec se është aktor i mrekullueshëm është edhe mësues i mrekullueshëm. Sipoas mendimit tim, metoda e tij e mësimdhënies është e duhura, sepse Enveri nuk kërkon rezultat në fillim, por i intereson që studentët të mësojnë gjërat bazike në aktrim. Bile as nuk e quan aktrim por veprim në rrethana të caktuara të një personazhi me një problem të caktuar. Gjatë studimeve, fillova të interesohem pak edhe për profesionet përcjellëse, sic janë shkrimi, regjia, produksioni, etj. dhe mund të them që qysh heret e kam vërejtur që vetëm me profesionin e aktrimit, në Kosovë është gati e pamundur që njeriu të krijojë edhe mirëqenie dhe komoditet financiar. Qëlloi që kisha prirje edhe për këto profesione. Mendoj që pregaditja ime paraprake matematikore më ka ndihmuar shumë në mënyrën e të menduarit dhe zgjidhjen e problemeve edhe në cështjet artistike. Mendoj që baza logjike është e njëjtë. Edhe matematika e ka për qëllim shpjegimin e natyrës dhe ligjeve të saj, e edhe arti bazën e ka në botën e ndërtuar dhe që funksionon sipas të njëjtave rregulla. Kështu pra, së bashku me shokun tim të fëmijërisë Mentorin (Alashin), në vitin 1995 blemë një kompjuter dhe një kamerë dhe themeluam produksionin CMB productions, i cili ka qenë ndër të parët në Kosovë e ndoshta edhe në Ballkan, që ka filluar të punojë edhe animacione kompjuterike. Kështu xhironim videoprojekte, reklama televizive, etj. Krahas punës në produksion, kam vazhduar të luaj në shfaqje, aso kohe në teatrin Dodona, e më vonë edhe në Teatrin Kombëtar. Me themelimin e QKK-së, fillova të merrem edhe me produksion filmik.

    Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark