×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “I shtina lidhjet te Kurmehaj”, mërgimtari pretendon se me 4 mijë Euro ryshfet mbylli një rast penal në Prokurori të Pejës

    Insajderi
    28 July 2023 - 16:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Haki T., mërgimtar në Gjermani, është incizuar me zë derisa flet një për një aferë ryshfeti brenda Prokurorisë së Shtetit, për mbylljen e një rasti ndaj tij, për falsifikim dokumentesh në Prokurorinë Themelore të Pejës.

    Audio-incizimi, i cili pretendohet se është kryer vite me parë, ka arritur para dy javësh në adresën e gazetës online Reporteri.net. Aty, Haki T., me prejardhje nga Klina, gjatë një bisede me një person tjetër, dëgjohet teksa pohon se për mbylljen e një rasti penal ndaj tij dhe pjesëtarëve të familjes së tij, në Prokurori Themelore të Pejës, kishte gjetur lidhje deri tek prokuroi i rastit Agim Kurmehaj. Aktualisht, Kurmehaj është Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë.

    “I shtina lidhjet te Kurmehaj….[nuk dëgjohet], i gjeta 4 mije ojro (Euro).. qe paret.. Mu ma ka hek….[ndalet]. Beratit e çikës jo…”, dëgjohet teksa thotë në audio-incizim, klinasi që jeton në Gjermani.

    Rasti, siç ka mësuar gazeta online Reporteri.net, ka të bëjë për një skemë mashtrimi me dokumentesh që folësi në audio-incizim dyshohej se e ka kryer në Kosovë për të mundësuar pajisjen e fëmijëve të tij me dokumente të Gjermanisë.

    Rasti i tij, sipas informacioneve, ishte trajtuar rreth 8 vite më parë në Prokurorinë Themelore të Pejës. Haki T. ishte liruar nga ndjekja penale, derisa në audio-incizim pretendon se këtë e kishte arritur duke paguar ryshfet deri tek Kryeprokurori Kurmehaj, në atë kohë prokuror i rastit.

    Gazeta Online Reporteri.net, nga 18 korriku 2023, disa herë ka dërguar pyetje në adresën e Kryeprokurorit të Pejës, Agim Kurmehaj, për të marrë versionin e tij në lidhje me pretendimet e folësit në audio-incizim, por i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur në asnjë nga insistimet me e-mail.

    Rrethanat e regjistrimit të këtij audio-incizimi, gazeta online Reporteri.net, nuk ka arritur t’i mësojë, sikurse as t’i vërtetojë pretendimet në të. Kjo pasi, sikurse Kurmehaj, në pyetjet e gazetës online Reporteri.net, prej më shumë se 10 ditësh, përkundër disa insistimeve, përgjigje nuk kanë dhënë as nga Prokuroria Themelore e Pejës që e kishte trajtuar rastin disa vite më parë.

    Vlen të ceket se audio-incizimi i arritur në adresën e gazetës, ka ndërhyrje dhe prerje në disa raste. Gazeta online Reporteri.net e publikon audio-incizimin ashtu siç ka arritur në adresën e redaksisë duke i lënë rrugën autoriteteve të sigurisë që ta trajtojnë dhe sqarojnë tutje rastin.

    Në audio-incizim, Haki T., përmend edhe emra dhe përshkruan edhe persona të tjerë gjatë bisedës, përveç Kryeprokurorit Kurmehaj, që sipas tij implikohen në rastin e falsifikimit të dokumenteve dhe shmangien e kapjes së tij dhe familjes nga autoritetet kosovare.

    “Kurmehaj në Pejë u kan mi lenden teme. Ka shku ky i Shqipërisë e ka gjet një polic në Shqipëri, shko kqyr a osht në Shqipëri me t’kuqe. Unë isha n’Shqipëri, hina me pasosh të huj n’Shqipni. Shko kqyr qyky Haki T.. Thotë po i njekun o’. Po pasha zotin i njekun osht. Lype Berat T., bile kur e ka shti, ik.. se ky hini, tha pe kap ….[ndërpritet incizimi]”, dëgjohet teksa thotë ai në audio-incizim.

    Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të gjejë kontakt edhe me folësin në audio-incizim, por ka qenë e pamundur, me që i njëjti sipas informacioneve jeton në Gjermani.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark