×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ia kishte dhënë afro 175 mijë, Komuna e Përparim Ramës përmes tenderit një-burimor ia ndan edhe 17 mijë euro kompanisë së mikut të Hysen Durmishit

    Insajderi
    06 November 2023 - 16:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prishtinës, në krye me Përparim Ramën, ka ndarë 17,222 euro nëpërmjet një tenderi një-burimor për biznesmenin ferizajas, Bujar Shabanin, për ndërtimin e rrugës Slivovë-Peshter dhe krahun e rrugës në Llajshec. Për punime në të njëjtat rrugë, kjo komunë një vit më parë përmes një tenderi me procedurë të hapur ia kishte besuar pronarit të “Bagerit”, duke ia dhënë afro 175 mijë euro për zhvillimin e punimeve. Insajderi ka kontaktuar Komunën e Prishtinës dhe pronarin e “Bagerit” për ta pyetur nëse ky tender parasheh punime shtesë, por të dy palët s’kanë qenë të qasshme.

    Në fillim të muajit nëntor, Komuna e Prishtinës ka njoftuar për dhënie të kontratës ndaj kompanisë së biznesmenit Shabani në vlerë prej mbi 17 mijë euro për ndërtimin e rrugës Slivovë-Peshter dhe krahun e rrugës në Llajshec përmes procedurës negociuese, pa publikimin e njoftimit për kontratë.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim gjatë ditës nga zyrtarja përgjegjëse e prokurimit në Komunën e Prishtinës lidhur me këtë tender nëse tenderi i dhënë ka të bëjë me punime shtesë të rrugës, megjithatë deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë përgjigje.

    Mediumi ka tentuar ta kontaktojë edhe biznesmenin ferizajas, por edhe ai ka qenë i paqasshëm.

    Për ndërtimin e rrugëve të apostrofuara, fillimisht përmes një tenderi me procedurë të hapur, Komuna e Përparim Ramës në dhjetor të vitit të kaluar kishte ndarë afro 175 mijë euro.

    Promocion të punimeve në rrugën Slivovë-Peshter në sipërfaqe prej 14 mijë metrash katrorë i ka bërë operatori ekonomik përmes rrjeteve sociale, duke thënë se punët janë kryer “në kohë rekorde”.

    Rama ka zgjedhur t’ia besojë punët kompanisë, pronari i së cilës ka probleme me ligjin. Ai po përballet me një proces gjyqësor, nën akuzën që ka falsifikuar dokumente dhe ka bërë deklarim të rremë nën betim për një tender në komunën e Lipjanit

    Siç ka raportuar Insajderi, bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, i cili kap vlerën e 734 mijë eurove.

    Sipas të gjeturave të AVONET, kompania Bageri në këtë prokurim publik ka aplikuar me dokumente të falsifikuara.

    Në aktakuzë janë përfshirë dy tenderë publikë në të cilat mori pjesë biznesmeni Shabani me kompaninë e tij Bageri.

    Bëhet fjalë për tenderin 4.7 milionësh të Komunës së Ferizajt për asfaltimit të rrugëve në fshatin Jezerc, por Bageri dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër: Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi. Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro.

    Milioneri Shabani dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet këtyre mashtrimeve me kontratat publike.

    Biznesmeni Shabani s’e ka fshehur aspak afërsinë që ka me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Madje, ai ia ka parë hairin pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Gazeta Insajderi pati raportuar se kompania “Bageri” e cila është pronë e biznesmenit Bujar Shabani ka dhënë me qera Telekomit të Kosovës një objekt që ndodhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Qeraja për këtë objekt është rreth 16 mijë euro në muaj.

    Ndërkaq, nga ministria e Durmishit kompania e Shabanit fitoi tenderë ne vlerë prej 8.6 milionë euro. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark