Insajderi
Insajderi Video

“Ia preu fytin”-Konfliktin e filluan fëmijët për TikTok, e përfundoi me vrasjen e të rriturit-Dëshmon mjeku

Insajderi
09 June 2026 - 10:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Ia preu fytin”-Konfliktin e filluan fëmijët për TikTok, e përfundoi me vrasjen e të rriturit-Dëshmon mjeku
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

“Florim Zani ishte prerë në fyt, ishte therur me thikë në shpinë dhe kishte pasur gërvishtje në ballë, faqe dhe në gjurin e djathtë”, kështu deklaroi Flamur Dylhasi, eksperti mjeko-ligjor që përpiloi raportin e autopsisë, shkruan Insajderi.

Ai, para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Gent Beka, Sulltane Hoti dhe Gazmend Bahtiri, foli për plagët që Skender Krasniqi dyshohet se ia kishte shkaktuar të ndjerit.

Mjeku nuk e përjashtoi mundësinë që i ndjeri, në kohën kur i janë shkaktuar plagët, të ketë qenë në këmbë dhe më pas, për shkak të pamundësisë për të qëndruar, të jetë rrëzuar në tokë. Ai deklaroi se si plaga e shkaktuar në fyt, ashtu edhe ajo në shpinë, kanë mundur të jenë vdekjeprurëse për Zanin, pasi të dyja kanë mundur të shkaktojnë gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme. Megjithatë, ai nuk mundi ta përcaktonte pozicionin që i akuzuari Krasniqi mund ta ketë pasur në momentin kur kishte përdorur thikën ndaj të ndjerit, shkruan Insajderi.

Prokurori Menduhi Kastrati, në seancën gjyqësore, propozoi administrimin e disa provave materiale. Gjatë paraqitjes së tyre, ai theksoi se “në oborrin e të akuzuarit janë gjetur një palë veshje sportive, në të cilat ishte i pranishëm gjaku i Zanit. Në kuzhinën e të njëjtit janë gjetur edhe njolla gjaku të të ndjerit, si dhe një thikë e vendosur në një dollap të kuzhinës, në të cilën, mund të ketë qenë gjaku i të miturit që djali i Krasniqit e kishte therur me thikë po atë ditë. Megjithatë, nuk është arritur të gjendet thika me të cilën i janë shkaktuar lëndimet tashmë të ndjerit”.

Lidhur me ditën kritike, në aktakuzë thuhet:

Konflikti mes dy të miturve, i nisur për një bisedë në TikTok, përfundoi me vrasjen e një familjari të njërës palë. Vepra u krye nga Skender Krasniqi, babai i të miturit T.K., të dyshuar për therje me thikë të të miturit A.Z.

Ngjarja ndodhi në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, në gusht të vitit 2024.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, gjithçka nisi pasi i mituri T.K. kishte therur me thikë A.Z.. Pas këtij incidenti, dy familjarë të të miturit të lënduar u nisën drejt shtëpisë së të dyshuarit për të kërkuar sqarime.

Ata komunikuan fillimisht me familjarët e tij, por teksa po largoheshin nga oborri, panë sërish të miturin T.K., personin që kishte therur nipin e tyre, i cili në atë moment mbante një thikë në dorë.

Në aktakuzë thuhet se, pas përfundimit të bisedës, tani i ndjeri Florim Zani dhe Ilir Zani u nisën nga porta e shtëpisë drejt rrugës së fshatit. Aty vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit.

Të mllefosur, Florim dhe Ilir Zani kthehen drejt tij dhe hyjnë sërish në oborr, ku nis një fjalosje. I mituri T.K. vazhdonte të mbante thikën në dorë, ndërsa të pranishmit i kërkonin ta lëshonte atë.

Por sipas aktakuzës, në ato çaste Skender Krasniqi, babai i T.K., ia merr thikën nga dora dhe, me qëllim që ta privojë nga jeta Florim Zanin, e godet dy herë radhazi.

Si pasojë e plagëve të marra, Florim Zani rreth orës 13:02 dërgohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Magure të Lipjanit, ku mjekët konstatojnë vdekjen e tij, shkruan Insajderi.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark