Insajderi
Insajderi Video

Dalladaku rrëfen se si ish shoku ia mori 160 mijë euro dhe shtëpinë me fajde: Më bëri zullum mua e familjes time

Insajderi
09 July 2026 - 11:17
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dalladaku rrëfen se si ish shoku ia mori 160 mijë euro dhe shtëpinë me fajde: Më bëri zullum mua e familjes time
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Faton Dalladaku në Gjykatën Themelore në Prishtinë deklaroi se nga Agjencia Kosovare e Privatizimit vite më parë kishte privatizuar një pronë të shtetit prej 14 hektarësh. Të njëjtën, ai tha se do ta ndante në katër pjesë, pasi ishte marrë vesh dhe kishte pranuar edhe pagesat për ta bërë një gjë të tillë.

Shtatë hektarë do t’ia jepte Zekë Jasiqit, i cili nga Prokuroria Themelore në Prishtinë po akuzohet për kryerjen e veprave penale “fajde” dhe “detyrim”, 2 hektarë do t’ia jepre vëllezërve Kelmendi, 1 hektar do t’ia jepte Florim Shalës dhe 4 hektarë do t’i mbante për vete.

Sipas Dalladakut, për hektarët në fjalë Jasiqi kishte paguar 210 mijë euro. Vëllezërit Kelmendi ia kishin dhënë 120 mijë euro, si dhe Shala, 1 hektarin në vlerë 70 mijë euro do ta kompeszonte përmes punës.

I dëmtuari në këtë rast penal tha se nuk kishte mundur të bënte bartjen e tokës në emër të personave të lartcekur pasi, sipas tij, përmes falsifikimit nga persona të tretë të njohur si “Vëllezërit Krasniqi” kjo pronë ishte bartur në emër të tyre.

Dalladaku deklaroi që menjëherë e kishte informuar të akuzuarin Jasiqi për këtë fakt, por ky i fundit kishte refuzuar ta ndihmojë, dhe sipas tij kishte thënë që edhe 100 vite do pres për t’iu bartë toka në emrin e tij, por vetëm nuk dëshiron të ketë punë me Vëllezërit Krasniqi.

Sipas të dëmtuarit, i akuzuari Jasiqi kishte kërkuar trefishin e të gjitha këtyre shumave në emër të pamundësisë së tij që të transferojë pronën në emër të tij dhe personave të tjerë.

Dalladaku deklaroi se nga frika, u detyrua të lë peng një tokë prej 3 hektarë si dhe një detyrim financiar prej 160 mijë euro, në emër të mosarritjes së transferimit të pronave të lartpërmendura. Kjo, sipas tij, u materializua me një kontratë të shitblerjes të nënshkruar nga avokati i tij, një vit pas marrëveshjes fillestare me të akuzuarin.

Prona 3 hektarëshe, ai tha se ishte bartë në emër të të akuzuarit, ndërsa sa i përket shumës prej 160 mijë euro, Dalladaku thotë se iu kërkuan me presion.

“Në vazhdimësi m’i ka kërku Zeka 160 mijë euro me presion tmerrues duke më kërkuar kudo që jam”, u shpreh Dalladaku.

Po ashtu, ai deklaroi se në vazhdimësi ishte kërcënuar edhe nga vëllezërit e Jasiqit përmes telefonit, si dhe e kishin shkuar tek shtëpia për të kërcënuar familjen e tij.

Dalladaku deklaroi se ishin takuar me të akuzuarin në një lokal ku i kishte shpjeguar pamundësinë që të paguajë detyrimin prej 160 mijë euro për arsye se situata e tij ishte e rënduar dhe disa prona tjera të tij ishin të bllokuara nga Agjensioni Kadastral i Kosovës.

Pas kësaj, sipas Dalladakut, i akuzuari i kishte thënë t’ia kthejë atij paratë dhe tokën 10 hektarëshe në afat 3 ditor, pastaj edhe kishte tentuar ta hidhte nga një lartësi.

Tutje, Dalladaku shtoi se kishte kontraktuar ta blejë një shtëpi me vlerë 650 mijë euro. Për përmbushjen e këtij obligimi, ai tha se kishte dhënë 2 lokale dhe 2 banesa me sipërfaqe totale 250 metra katrorë, një makinë Audi Q7, si dhe 72 mijë euro para të gatshme, por se nuk e kishte kompletuar pagesën e shtëpisë duke i mbetur një borxh prej 200 mijë euro.

Sipas tij, i akuzuari Jasiqi i kishte ofruar t’ia sigurojë këto para.

Në këtë kohë, i dëmtuari deklaroi ishte në proces të shitjes së disa aksioneve në vlerë prej 870 mijë euro.

Dalladaku pohoi se nuk ia kishte kthyer të akuzuarit Jasiqi paratë fillestare që ky i fundit i kishte dhënë për pronën, në shumën 190 mijë euro. Ai tha se i akuzuari Jasiqi për pagesën prej 200 mijë euro që do ta bënte për shtëpinë, kishte kërkuar që shtëpia të bartej në emër të firmës së tij.

“Kjo ishte një grackë e mirëmenduar prej Zekë Jasiqit të më vë në një situatë kaq të keqe para aktit të kryer para shitësit të shtëpisë i cili veç ishte i acaruar me vonimin e pagesës dhe përmbylljen e pagesës së tërësishme të shtëpisë”, tha i dëmtuari.

Dalladaku deklaroi se u detyrua të pranojë që shtëpia zyrtarisht të përvetësohet nga i akuzuari Jasiqi.

Ai shtoi se kishte lidhur marrëveshje të shkruar me të akuzuarin Jasiqi në vlerë prej 360 mijë euro (200 mijë për huazim për blerjen e shtëpisë dhe 160 mijë për kontratën e mëhershme si peng për mostransferimin e 10 hektarëve) dhe mbi këtë obligim u detyrua të paguajë kamatë mujore 1%, në vlerë 3 mijë e 600 euro në muaj.

Më pas, seanca u ndërpre për të vazhduar në një datë tjetër.

 Ndryshe Jasiqi është biznesmen dhe aksionar në disa kompani: “Liridoni Construction”, që merret me ndërtimin dhe shitjen e objekteve banesore; “Liridoni Distribution”, e cila merret me tregtinë me shumicë të artikujve ushqimorë, pijeve dhe produkteve të duhanit; si dhe “Market Liridoni”, që operon në sektorin e shitjes me pakicë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark