×
  • Lajme
  • Lajme

    Ilir Meta në Mal të Zi: Të respektohen simbolet e shqiptarëve

    Insajderi
    12 July 2016 - 18:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka nisur një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku është takuar me zyrtarët e lartë të shtetit dhe me parlamentarë malazezë.

    Meta iu drejtua Parlamentit të Malit të Zi dhe kjo ngjalli një interesim të jashtëzakonshëm meqë për herë të parë në këtë Parlament u dëgjua gjuha shqipe.

    “Kjo është një porosi e posaçme që u dërgohet jo vetëm shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe në gjithë botën, për arritjet e Malit të Zi për ç’gjë nga zemra i falënderoj”, tha kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta.

    Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Darko Pajoviq, paralajmëroi realizimin e nismës që parlamentarëve malazezë t’u mundësohet përdorimi i gjuhës amtare, që sipas tij “do të ishte hap i vogël që do të ndihmonte që shqiptarët dhe malazezët të ndjehen si në vendin e tyre”.

    Harmoninë e takimit të Podgoricës, e prishi një grup i parlamentarëve të grupeve proserbe; Partisë Popullore Demokratike dhe Demokracisë së Re Serbe që në hyrje të Parlamentit e shpalosën një pllakatë me porosinë se “Kosova është pjesë e Serbisë”, që në një deklaratë të tij e përsëriti edhe në gjuhën shqipe, lideri i Partisë Popullore Demokraike, Milan Knezheviq.

    Kryetari i Kuvendit shqiptar, Ilir Meta, u përgjigj se Shqipëria “maksimalisht e vlerëson vendimin e Malit të Zi për ta njohur Kosovën e pavarur”.

    Edhe pse dy partitë proserbe, për shkak të bojkotimit të mbledhjes së sotme të Parlamentit, nuk e dëgjuan fjalimin e Metës, ai i porositi “se vendi i tij çdo ditë po i përmirëson marrëdhëniet me Serbinë, dhe për këtë shpreson se së shpejti do t’i ketë në të njëjtin nivel siç janë me Malin e Zi”.

    “Marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë janë shembull i shkëlqyer në Ballkan. Keni një vend të shkëlqyeshëm që e kemi për zemër. Shqiptarët asnjëherë nuk do ta harrojnë besën e Malit të Zi ndaj mijëra shqiptarëve që në pranverën e vitit 1999 gjetën mikëpritjen e Malit të Zi”, tha Meta.

    Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ia dorëzoi dekoratën më të lartë të Shqipërisë që u ndahet shtetasve të huaj – Medaljen e Flamurit Kombëtar, me të cilin e ka dekoruar presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, për kontributin e veçantë dhe të çmueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, intensifikimin e marrëdhënieve, forcimit të miqësisë ndërmjet dy popujve dhe kujdesit kushtuar prezantimit të pakicës shqiptare në jetën politike e institucionale në Mal të Zi.

    “Njohjet janë zhvillime të rëndësishme në jetën e secilit njeri, por janë të çmueshme veçanërisht ato që vijnë nga fqinjtë”, tha kryeminstri Milo Gjukanovq, në fjalën e tij të falenderimit, duke nënvizuar si të veçantë njohjen që vjen nga një fqi në rajon si Ballkani Perëndimor. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark